BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Njoftim per mediat i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar
Data e publikimit: 27.04.2004
Gjatë misionit të 14-27 prillit në Tiranë, FMN-ja dhe autoritetet shqiptare, ranë dakord në përgjithësi mbi programin ekonomik për periudhën Qershor 2004 - Mars 2005, i cili synon të përfitojë nga mjedisi makroekonomik relativisht i favorshëm për të përshpejtuar zhvillimin social-ekonomik dhe reduktimin e varfërisë në Shqipëri. Ne dëshërojmë të përfitojmë nga rasti për të shprehur mirënjohjen tonë të sinqertë për bashkëpunimin konstruktiv të autoriteteve dhe për mikpritjen e tyre të ngrohtë gjatë qëndrimit tonë në Shqipëri.
Situata makroekonomike
Rritja ekonomike vazhdon të jetë dinamike, inflacioni i ulët dhe leku i fortë. Në bazë të informacionit në dispozicion, si dhe mbështetur në politikat për të cilat u ra dakord gjatë rishikimi të programit, ne presim që ecuria e mirë e ekonomisë të vazhdojë në 2004 dhe në periudhën afatmesme. Gjatë 2004, ne parashikojmë një rritje ekonomike rreth 6 përqind dhe një normë inflacioni nën kufirin e 4 përqindëshit të Bankës së Shqipërisë. Rezervat valutore janë parashikuar në nivele të larta, për të mbuluar më shumë se 4 muaj importe. Paralelisht, investimet private dhe eksportet tregojnë shenja rritjeje në përqindje të PBB-së. Ndaj ne presim që përmirësimi në deficitin e llogarisë korrente i vënë re në 2003 të mbahet edhe gjatë 2004, pjesërisht i mbështetur nga rritja e eksporteve.
Politika Monetare
Banka e Shqipërisë e ka menaxhuar me zotësi likuiditetin. Presionet inflacioniste mbeten të dobëta dhe leku është forcuar. Në mënyrë të veçantë, politika monetare lehtësuese e ndjekur në fund të 2003 ishte e përshtatshme. Mund të ketë ende hapësirë për lehtësim të mëtejshëm, por Banka e Shqipërisë duhet të marrë parasysh me kujdes kushtet ndërkombëtare dhe rritjen e parashikuar në shpenzimet publike. Privatizimi i Bankës së Kursimeve do të sjellë një rritje të dinamizmit të sektorit bankar, që ndonëse i mirëpritur do të sjellë sfida të reja. Në këtë kontekst, theksi aktual mbi përmirësimin e kuadrit rregullator financiar dhe të mbikqyrjes është i goditur. Reformat e fundit në sistemin ndërbankar të pagesave e kanë rritur në mënyrë të ndjeshme efiçencën e infrastrukturës së tregut dhe duhen vazhduar më tej. Nën udhëheqjen e Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë, autoritetet kanë miratuar një strategji për reduktimin e përdorimi të cash-it në ekonomi dhe për thellimin e ndërmjetësimit financiar. Kjo do përmirësojë efiçencën ekonomike dhe rritjen në sektorin privat. Por, po kaq e rëndësishme, do të reduktojë ekonominë informale, mundësitë për shmangien e detyrimeve tatimore dhe korrupsionin. Si një hap kyç i kësaj strategjie, autoritetet planifikojnë të paguajnë rrogat e sektorit publik nëpërmjet sistemit bankarfillimisht si një projekt pilot që më pas do të shtrihet te të gjithë punonjësit e sektorit publik.
Politika Fiskale
Qeveria e Shqipërisë ka vazhduar konsolidimin gradual të financave publike, i nevojshëm për të përballuar rënien e ndihmës së huaj koncesionare me kalimin e kohës. Defiçiti i përgjithshëm, në nivelin prej 4.4 përqind të PBB-së në 2003, është 5 pikë përqindje më i ulët se sa në vitin 1999. Vendosja e financave publike mbi një bazë të shëndoshë është thelbësore për të mbrojtur shpenzimet prioritare në programet e uljes së varfërisë, infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim. Është gjithashtu thelbësore për të ruajtur besimin në stabilitetin makroekonomik. Në këtë aspekt, ne i mirëpresim masat për përmirësimin e të ardhurave dhe axhustimin e shpenzimeve që autoritetet do të ndërmarrin në mënyrë që të realizojnë objektivat e buxhetit të 2004. Ne gjithashtu e mbështesim vendimin për t'i përdorur gjysmat e të ardhurave nga privatizimi i Bankës së Kursimeve për investime prioritare me efekt të madh social-ekonomik në kuadrin e SKZHES-së.
Reformat Strukturore
Mbledhja e të ardhurave të brendshme mbetet një sfidë politike që do të kërkojë përmirësime të rëndësishme në administratën doganore dhe tatimore. Ne konstatuam se Doganat po ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për të siguruar që sistemi kompjuterik i ASYCUDA-s, pas instalimit në Tiranë, nga mesi i qershorit të jetë tërësisht operacional në Portin e Durrësit, një parakusht për të diskutuar programin ekonomik të Shqipërisë në Bordin e FMN-së. Ne gjithashtu u inkurajuam nga progresi i bërë nga administrata tatimore në dhënien e numrit të identifikimit për të gjithë taksapaguesit e mëdhenj dhe nga planet për të përshpejtuar rimbursimet e TVSH-së eksportuesve. Aplikimi i ligjit të shërbimit civil në administratën tatimore do të kontribojë në depolitizimin e vendim-marrjes dhe në rritjen e profesionalizmit.
Me rënien e pritshme të ndihmës së huaj, misioni i vlerëson hapat e ndërmarra nga Qeveria për të përmirësuar menaxhimin e projekteve të investimeve me financim të huaj jo koncesionar dhe integrimin e tyre në strategjitë sektoriale përkatëse të përfshira në SKZHES dhe në kuadrin afatmesëm të shpenzimeve publike. Autoritetet janë të angazhuara për t'ia nënshtruar të gjitha projektet e mëdha në procese tenderash ndërkombëtarë dhe t'i ndërmarrin ato vetëm në rast se janë pregatitur studime të pavarura fizibiliteti të standarteve ndërkombëtare. Kjo do të çojë në një rritje të transparencës dhe të cilësisë së përgjithshme të investimeve publike.
Këto inisiativa janë në përputhje me programin e përgjithshëm të reformave të Shqipërisë dhe në mbështetje të ambicieve të saj, si për të përparuar negociatat me Bashkimin Europian për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, ashtu edhe për të realizuar objektivat politike të shprehura në SKZHES. Ne e dimë që kjo është një sfidë e vështirë që kërkonnga të gjitha palët e përfshirakurajo dhe vendosmëri. Në këtë rrugë, reformat që synojnë në përmirësimin e qeverisjes, forcimin e insititucioneve dhe formalizimin e aktiviteteve ekonomike, mbeten elementë kritike për të pasur një klimë biznesi të drejtë, të barabartë dhe të bazuar në rregulla që çojnë në norma më të larta të investimeve private. Ne u urojmë autoriteteve suksese në përpjekjet e tyre për të krijuar një ekonomi moderne dhe konkuruese që do të ngrejë standartet e jetësës për të gjithë shqiptarët.
Faleminderit shumë!
Julio Escolano Jan-Peter Olters
Shef i misionit Përfaqësues i Përhershëm