BANKA E SHQIPËRISË

Njoftim për shtyp i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Data e publikimit: 31.07.2004

 

Misioni i FMN-së ka vizituar Tiranën gjatë 19-30 korrikut për të rishikuar zhvillimet makroekonomike, zbatimin e buxhetit 2004 dhe zbatimin e reformave strukturore. Misioni ka diskutuar gjithashtu politikat monetare dhe të sektorit financiar dhe ka nisur diskutimet mbi parametrat kryesorë të buxhetit të 2005. Ashtu si edhe në raste të tjera, misioni ka gjetur mikëpritjen e ngrohtë të autoriteteve dhe ka patur diskutime mjaft kosntruktive për të cilat ne duam të shprehim mirënjohjen tonë.

Zhvillimet makroekonomike dhe prespektiva. Me vazhdimin e politikave të matura monetare dhe fiskale rritja ekonomike mbetet e forte dhe inflacioni i ulët. Pas një tremujori të parë më të dobët seç pritej, aktiviteti ekonomik është gjallëruar dhe duket në linjë me parashikimet për një rritje reale 6 përqind të parashikuar për 2004. Aktiviteti ekonomik në 2004 do të mbështetet nga ecuria e mirë në sektorët e energjisë, bujqësisë, ri-eksporteve dhe nga ana e kërkesës nga dërgesat e mëdha të emigrantëve dhe nga shpenzimet shtesë të buxhetit. Norma 12 mujore e inflacionit pritet të mbetet afër kufirit të poshtëm të intervalit të Bankës së Shqipërisë, falë ofertës së rritur të mallrave ushqimore dhe mbiçmimit të lekut. Pas një përmirësimi të ndjeshëm në 2003, defiçiti i llogarisë korrente është parashikuar të bjerë edhe më tej në 2004 falë dërgesave të shumta.

Politika fiskale. Zbatimi i buxhetit të 2004 është në rrugë të mbarë për përmbushur objektivat e programit. Fillimi i ngadalshëm i shpenzimeve kapitale gjatë gjysmës së parë të vitit, pritet që të kompensohet nga një rritje në zbatimin e projekteve gjatë pjesës së mbetur të 2004, përfshirë këtu edhe projektet e buxhetit suplementar. Misioni gjithashtu filloi diskutimet mbi buxhetin e 2005 dhe paketën fiskale. Sipas mendimit tonë, buxheti i 2005 duhet të vazhdojë reduktimin e huamarrjes së brendshme dhe borxhit të brendshëm. Kjo është e nevojshme për të siguruar qëndrueshmërinë afatmesme të financave publike si dhe për t'i kanalizuar gjithnjë e më shumë kursimet e brendshme në financimin e investimeve të sektorit privat. Për këtë qëllim do të jetë e nevojshme që të përmirësohet mobilizimi i burimeve buxhetore, përfshirë këtu edhe zgjerimin e bazës së taksës dhe përmirësimin e efiçencës së shpenzimeve. Kur të ardhurat nga taksat të përmirësohen dhe të jenë reduktuar mospagesat mund të ketë vend për ulje të normave të taksave në të ardhmen. Ndërsa ulja e konsiderueshme e taksave në këtë fazë do të kompromentonte objektivat e të ardhurave buxhetore dhe financimin e shpenzimeve publike prioritare që lehtësojnë varfërinë dhe nxisin rritjen.

Zbatimi i reformave për të përmirësuar efiçencën e institucioneve fiskale duket sa ka filluar mbarë. Në mënyrë të veçantë, ne mirëpresim zbatimin e sistemit komjuterik ASYCUDA në dogana dhe i inkurajojmë autoritetet që ta zgjerojnë më shumë përdorimin e teknologjisë së informacionit në mënyrë që të rrisin efektivitetin dhe të reduktojnë hapësirat për manovrim të zyrtarëve publikë

Politika monetare Zhvillimet në sektorin financiar të Shqipërisë janë inkurajuese. Depozitat bankare vazhdojnë të rriten me 14 përqind në baza vjetore dhe përdorimi i cash-it ka ardhur në rënie, çka tregon një rritje të besimit te leku dhe te sektori financiar. Së bashku me një defiçit të jashtëm më të ulët të llogarisë korrente, këto zhvillime përforcojnë mbiçmimin e lekut. Rrija e besimit dhe presionet e ulëta inflacioniste, kanë bërë të mundur që Banka e Shqipërisëtë ulë gradualisht normën bazë të interesit të bankës qendrore nga 6.5 përqind në fund të 2003 në 5.5 përqind. Misioni i mirëpret këto zhvillime dhe e mbështet politikën e Bankës së Shqipërisë.

Në të njëjtën kohë kreditimi i sektorit privat vazhdon të rritet me shpejtësi—me një rritje prej 30 përqind në baza vjetore që nga fillimi i vitit. Megjithëse niveli mbetet përsëri i ulët, kjo rritje duhet të mbështesë investimet dhe rrijten. Kjo gjithashtu tregon edhe dinamizmin e sektorit bankar pas privatizimit të Bankës së Kursimeve, e cila ilustrohet edhe nga rritja e shërbimeve të disponueshme për klientët, si përshembull e automatët e parave. Në këtë kontekst, misioni inkurajon autoritetet që të përshpejtojnë pagesat e rrogave të qeverisë nëpërmjet sistemit bankar. Duke parë prespektivën për zgjerim të mëtejshëm të sektorit financiar, autoritetet janë duke forcuar mbikqyrjen bankare. Ato kanë ranë gjithashtu dakord të marrin pjesë gjatë 2005 në një Program Vlerësimi Financiar, i cili do të ndihmojë në ravijëzimin e rrugës për reformat e ardhshme në sektorin financiar.

Pavarësia e Bankës së Shqipërisë ka luajtur një rol qendror në konsolidimin e politikës monetare dhe kuadrit financiar dhe në besimin e publikut në sektorin bankar. Misioni beson se emërimet e pritshme të Këshillit Mbiqkyrës së BSH dhe Guvernatorit, do ta përforcojnë këtë pavarësi dhe do të vazhdojnë anagazhimin e bankës qendrore për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe menaxhimin me zotësi të likuiditetit.

Reformat Strukturore. Misioni i FMN-së është i inkurajuar nga vullneti i autoriteteve për të ecur përpara me reformat strukturore. Plani i Veprimit në sektorin e energjisë, është zbatuar në mënyrë të kënaqshme deri më tani dhe si rezultat ka patur një përmirësim të dukshëm në furnizimin me energji si dhe në performancën financiare të KESH-it. Për më tepër KESH-i ka qenë në gjendje që të mobilizojë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për të financuar programin e tij të investimeve, me qëllim që të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me energji në të ardhmen. Reforma të ngjashme janë të nevojshme tashmë dhe në sektorin e furnizimit me ujë. Këto do të ndihmojnë gjithashtu në parandalimin e rilindjes së detyrimeve të prapambetura të ndërsjella të ndërmarrjeve, të cilat kanë prirje të shkaktohen nga pozicioni i dobët financiar i sektorit të ujësjellsave. Autoritetet po bëjnë hapa përpara për privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore. Vendimi i qeverisë për të proceduar me privatizimin e Albtelekomit dhe ARMO-s nga një investitor i huaj strategjik, është një hap i mirëpritur, që duhet të zbatohet në muajt e ardhshëm. Në këtë kontekst misioni mirëpriti garancinë e dhënë, që monopoli i Albtelekomit për lidhjet ndërkombëtare do të përfundojë në fund të 2004 dhe se është ecur më tej në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura me operatorët privatë. Misioni inkurajon autoritetet që të forcojnë procedurat e brendshme për kontraktimin e projekteve të financuara me kushte tregtare, përfshirë këtu edhe realizimin paraprak të studimeve strikte te fizibilitetit dhe tenderave të hapur publikë.

Investimet e huaja në Shqipëri janë akoma në nivele të ulta. Rritja ekonomike dhe si rezultat zhvillimi socio-ekonomik mund të përshpejtohen më tej duke zgjidhur pengesat kryesore ndaj aktiviteteve të sektorit privat. Misioni mbështet zbatimin e Planit të Veprimit të autoriteteve për të hequr pengesat ndaj investimeve. Megjithatë vëren se ka ende nevojë për përpjekje në shumë fusha sidomos përsa i përket: (i) zbatimit strikt dhe të bazuar në rregulla të ligjeve të ligjeve për taksat dhe doganat; (ii) përmirësime në praktikat e rimbursimit të taksave dhe të procedurave të ankimimit për taksat; (iii) thjeshtimin e procedurave për dhënien e licencave; dhe (iv) vazhdimësinë e regjimit të hapur tregtar. Misioni vuri re që zhvillimet e përshpejtuara në sektorët e agrikulturës dhe turizmit, kanë nevojë për tituj të pakontestueshëm pronësie. Në këtë kontekst misioni shpreson që korniza ligjore e diskutuar së fundmi—si dhe zbatimi i mëpasëm i saj—do të bëhet me shkallën më të lartë të mundshme të marrëveshjes ndërmjet palëve politike.

Ne i urojmë autoriteteve suksese, kurajo dhe vendosmëri për një zbatim të suksesshëm dhe sërish i falenderojmë ata për bashkëpunimin gjatë gjithë misionit.

Julio Escolano Jan-Peter Olters
Shef i Misionit Përfaqësues i Përhershëm