BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Opinion nga Guvernatori i Bankes se Shqiperise, z. Ardian Fullani, publikuar ne gazeten e perditshme "Mapo", datë 22 mars 2011.

Data e publikimit: 23.03.2011

 

Që prej fillimit të këtij shekulli, çmimet e produkteve ushqimore në botë ndodhen nën presione të forta, si pasojë e zhbalancimit strukturor të kërkesës dhe ofertës. Trajektorja rritëse e ndjekur prej tyre, kulmoi në rekordet e larta historike të shënuara në vitin 2008. Më tej, nën efektin e krizës botërore, çmimet e produkteve ushqimore shënuan rënie, për t'u rikthyer përsëri në axhendën e diskutimeve ekonomike falë rritjes së shpejtë gjatë gjysmës së dytë të vitit 2010 dhe fillimit të vitit 2011. Në mënyrë të kuptueshme, çmimet e larta të produkteve bujqësore dhe agroindustriale janë vënë tashmë në qendër të vëmendjes së publikut të gjerë, të biznesit, dhe të autoriteteve politike. Së fundmi, në zhargonin e ekonomistëve, kjo tendencë e rritjes së çmimeve të produkteve bujqësore ka filluar të emërtohet Agflacion (Agflation si bashkim i flajçve Agricultural dhe Inflation). Kjo tendencë është më e theksuar në vendet në zhvillim, (si Shqipëria), në të cilët konsumi i produkteve ushqimore zë një pjesë të rëndësishme të shportës së shpenzimeve konsumatore. Por ajo është po aq shqetësuese edhe për ekonomitë e zhvilluara, me implikime të rëndësishme për zhvillimin ekonomik e social të tyre, si dhe për ekuilibrat makroekonomikë e gjeostrategjikë në nivel botëror.

Cilët janë faktorët që kanë sjellë këtë rritje çmimesh dhe ç'farë pritet për ecurinë e tyre në të ardhmen? Cili është ndikimi aktual dhe i pritur i tyre në ekonominë shqiptare? Cili duhet të jetë reagimi i autoriteteve politike dhe ç'farë implikimesh kanë këto çmime për perspektivën e zhvillimit të vendit? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të mundohem t'i shtjelloj në vijim, duke u përpjekur të jap perspektivën e një ekonomisti e bankieri qendror për to.

1.  Çmimet e ushqimeve: faktorët që ndikojnë dhe ecuria e pritur për të ardhmen 
Në rang botëror, rritja aktuale e çmimeve të produkteve bujqësore dhe agroindustriale përmban në vetvete ndikimin e faktorëve strukturorë, si përgjegjës për rritjen afatgjatë të  çmimeve nga njëra anë dhe efektin e faktorëve afatshkurtër, të cilët janë kryesisht përgjegjës për rritjen e shpejtë aktuale të tyre nga ana tjetër. Analiza e veçantë e këtyre dy komponentëve do të na lehtësonte kuptimin dhe parashikimin e dinamikës së çmimeve.

Faktorët strukturorë kanë efekte të qëndrueshme dhe japin një ndikim gradual në kohë. Në nivel global, preferencat për produktet bujqësore të konsumatorëve në vendet në zhvillim kanë ndryshuar në drejtim të cilësisë, duke rritur kërkesën globale për produkte të veçanta, si mishi dhe produkte me përmbajtje të lartë proteinike. Kërkesa për produkte bujqësore gjithashtu është ndikuar nga kërkesa në rritje për prodhimin e bioenergjisë, sidomos në kushtet e inflacionit të vazhdueshëm të çmimit të naftës. Nga ana tjetër, përshtatja e ofertës ka qenë e ngadaltë: sipërfaqja e mbjellë me kultura bujqësore nuk ka ndjekur ritmin e rritjes së kërkesës, ndërsa rendimenti bujqësor vlerësohet të ketë rënë. Për më tepër, rritja e çmimit të naftës ka shkaktuar rritjen e kostos së prodhimit të produkteve bujqësore.

Ndërkohë që faktorët e mësipërm kanë një ndikim afatgjatë në çmime, dukuritë natyrore kanë qenë nxitësit kryesorë në rritjen e shpejtë të çmimeve gjatë vitit 2010 e më tej. Kushtet atmosferike të pafavorshme, të nxitura nga fenomeni i ngrohjes globale, kanë vijuar të shkaktojnë situata përmbytjesh e thatësirash të tejzgjatura, që janë pasuar më tej nga humbja e të lashtave në vendet e mëdha prodhuese. Gjithashtu, situata e tensionuar gjeopolitike e muajve të fundit ka shtuar presionet rritëse mbi çmimet.

Duke gjykuar nga sa më sipër, në kontekstin jo të favorshëm të zhbalancimeve strukturore të kërkesës dhe të ofertës, çmimet e produkteve agroushqimore do të vijojnë të rriten në horizontin afatmesëm e afatgjatë. Stabilizimi tyre do të kërkojë masa strukturore, efekti i të cilave gjithsesi, do të jetë i ngadaltë. Në një persppektivë më afatshkurtër, çmimet e produkteve bujqësore pritet të mbeten veçanërisht të larta gjatë vitit në vazhdim. Sipas organizmave prestigjioze të cilët monitorojnë ecurinë e këtyre çmimeve, FMN dhe FAO, veprimi i goditjeve të përkohshme të ofertës si rezultat i fatkeqësive natyrore do të zgjasë deri në të korrat e vitit 2011 në hemisferën veriore. 

2. Ndikimi në ekonominë shqiptare 
Ekonomia shqiptare është mjaft e ekspozuar ndaj luhatjeve të çmimeve të ushqimeve në tregjet e huaja, si importuese e tyre dhe si një ekonomi me një regjim të luhatjes së lirë të kursit të këmbimit. Efektet e tyre në ekonominë shqiptare mund të analizohen në dy drejtime: ndikimi në inflacion dhe implikimet për zhvillimin ekonomik.

Nga një vështrim krahasues i indeksit të grupit "ushqime" për Shqipërinë me një panel të zgjedhur ekonomish të huaja, duket se indeksi i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri ka tentuar të konvergjojë drejt mesatares së indeksit të vendeve të tjera. Luhatjet e tij, në një pjesë të madhe, i janë përgjigjur me një kohë-vonesë luhatjeve të indeksit të ushqimeve të ndërtuar e të publikuar nga FAO, i cili është edhe përfaqësues i çmimeve në tregjet ndërkombëtare të vendosura nga prodhuesit kryesorë botërorë. Rritja e çmimeve të ushqimeve në periudhën 2007- 2008 në tregjet e huaja, u pasqyrua në mënyrë shumë më graduale në tregun shqiptar, në kushtet e amortizimit të pjesshëm të krijuar nga pozicioni i mbiçmuar i monedhës vendase. Po ashtu, rritjet e çmimeve të ushqimeve në Shqipëri u paraqitën graduale në periudhën gusht 2010 - janar 2011, duke sinjalizuar një absorbim të moderuar të tyre në tregun vendas si pasojë edhe e kërkesës jo të fortë konsumatore.

Indekset e grupit "ushqime" (majtas); ndryshimet vjetore të indekseve (djathtas)

untitledy 3838 0 dib
Burimi: Eurostat, HCPI (8 mars 2011); FAO (16 mars 2011).
Shënim: *Për qëllime krahasimi si periudhë bazë e gjithë indekseve është marrë muaji dhjetor 2007=100%

Ndërkohë, shpejtësia e lartë e rritjes së tyre në muajin shkurt 2011 përbën një zhvillim të ri për natyrën e çmimeve të produkteve ushqimore në vend. Kjo tendencë mund të shtrihet edhe më tej gjatë vitit 2011, në kushtet e një prodhimi bujqësor vendas të kufizuar si pasojë e ndikimeve negative në ofertë që mund të japë situata e përmbytjeve në veri të vendit.

Çmimet e larta të produkteve bujqësore e agroindustriale në botë do të ndikojnë edhe aktivitetin ekonomik në vend. Në njërin kah, këto çmime të larta do të tentojnë të rritin faturën e importeve të ekonomisë shqiptare, duke kufizuar shpenzimet konsumatore për mallra e shërbime të prodhuara në vend. Nga ana tjetër, ato do të nxisin prodhimin e brendshëm bujqësor dhe zëvendësimin e artikujve të importit, duke i shërbyer zhvillimit të degës së bujqësisë. Efekti afatshkurtër dhe afatgjatë në ekonomi i çmimeve të larta bujqësore do të varet pikërisht nga ndërveprimi i këtyre dy faktorëve. Aftësia e ekonomisë shqiptare për të konkurruar në sasi dhe në cilësi me produktet e huaja do të jetë vendimtare në horizontin afatshkurtër. Në ecurinë afatgjatë, kjo rritje çmimesh e produkteve bujqësore duhet parë edhe si një mundësi për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në vend. Nëpërmjet rritjes së çmimeve relative të produkteve bujqësore, ajo krijon parakushtet e duhura për një alokim më të madh të fondeve private në sektorin bujqësor dhe për një vëmendje më të madhe të sektorit publik për zhvillimin e tij.

3. Politika monetare përballë inflacionit bujqësor 
Politika monetare është një instrument i cili përdoret për të administruar kërkesën agregate dhe për të kontrolluar presionet e pritjet inflacioniste në ekonomi. Në këtë kontekst, reagimi i politikës monetare ndaj rritjes së çmimeve ushqimore duhet parë në shkallën që kjo rritje jep në inflacionin e përgjithshëm.

Rritja e çmimeve në tregjet e huaja jep një ndikim direkt në rritjen e inflacionit në Shqipëri, nëpërmjet rritjes së çmimeve të importit. Përtej këtij efekti, ajo mund të shoqërohet me rritje të kostove të prodhimit të produkteve të tjera dhe të pritjeve inflacioniste në ekonomi, duke i hapur rrugë të ashtuquajturave "efekte të raundit të dytë".

Efekti direkt (i raundit të parë) mbi inflacion është më i madh në vendet në zhvillim, ku pesha e produkteve ushqimore është më e madhe. Këto artikuj zënë rreth 40 për qind të shportës së shpenzimeve konsumatore në Shqipëri, dhe si të tilla kanë dhënë një ndikim të konsiderueshëm në shifrën aktuale të inflacionit. Ashtu si zë ushqimi një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave dhe shpenzimeve të familjeve, kostoja e produkteve bujqësore zë një pjesë të konsiderueshme të kostos së prodhimit edhe për industrinë ushqimore. Duke qenë se agjentët ekonomikë janë më të ndjeshëm ndaj rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, ata e kanë relativisht më të vështirë të dallojnë midis goditjeve me natyrë të përkohshme dhe të përhershme. Destabilizimi i pritjeve inflacioniste në një periudhë afatmesme mund të krijojë kushtet që punonjësit të kërkojnë rritje të pagave për të  përballuar koston e rritur të jetesës dhe firmat të rrisin çmimet. Rritja e pritjeve inflacioniste në këtë mënyre ndikon përbërësin e përhershëm të inflacionit (inflacionin bazë), edhe pas zhdukjes së shkaqeve fillestare.

Teorikisht, në mungesë të shfaqjes së pritjeve inflacioniste nëpërmjet efekteve të raundit të dytë, inflacioni në një periudhë afatmesme mbetet pranë vlerave të shënjestruara pa patur nevojë për ndërhyrjen e politikës monetare. Megjithatë, në vendet ku është vënë re një destabilizim i pritjeve inflacioniste apo ku janë shfaqur shenjat e para të shfaqjes së efekteve të raundit të dytë, bankat qendrore kanë reaguar me sinjale shtrënguese për të parandaluar fillimin e spirales inflacion - paga. Duke qëndruar në këtë linjë, Banka e Shqipërisë po monitoron me kujdes efektet e pritura direkte dhe indirekte të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore në inflacion, duke synuar gjithnjë marrjen në kohë të masave të duhura për respektimin e objektivit të saj të inflacionit.