BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Organizohet Konferenca II e Muzeut të Bankës së Shqipërisë, ''Roli i parasë gjatë luftërave''

Data e publikimit: 20.09.2018

 

Më datë 20 shtator 2018, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u organizua Konferenca e Dytë e Muzeut të Bankës së Shqipërisë, me temë “Roli i parasë gjatë luftërave”.

Në këtë konferencë ishin pjesëmarrës historianë, akademikë, numizmatë, arkeologë të vendit dhe të huaj, studiues të historisë monetare e ekonomike, për të prezantuar e diskutuar gjetjet e studimeve të tyre.

Konferenca II e Muzeut të Bankës së Shqipërisë u përshëndet nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko.

 DSC0275-2 - 498

Në krye të fjalës së tij, Guvernatori Sejko falënderoi të pranishmit, duke theksuar se kjo konferencë është një prej zhvillimeve më të rëndësishme të këtij Muzeu. Guvernatori shtoi se Muzeu i Bankës ndihmon për të pasuruar dhe vijuar studimin e koleksioneve të ekspozuara në të, por gjithashtu u shërben studiuesve vendas si një platformë diskutimi për punën e tyre kërkimore.

Më tej, Guvernatori vijoi se Banka e Shqipërisë, si institucion që ruan dhe promovon një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit, siç është monedha, ndjen privilegjin dhe detyrimin për të punuar dhe bashkëpunuar që Muzeu i Bankës të mos jetë vetëm një ekspozim koleksionesh të rralla, por një vend ku publiku të gjejë literaturën dhe ekspertizën e duhur për të njohur historinë ekonomike dhe monetare, si dhe për të marrë edukatën financiare, aq të nevojshme për vendin tonë. 

Në përfundim, Guvernatori u shpreh se këto momente të rëndësishme për historinë ekonomike dhe monetare të Shqipërisë, por edhe më gjerë, do të jenë objekt diskutimi në konferencën e sotme. 

 DSC0241-2 - 498

Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni, mbajti fjalën hapëse të konferencës, në të cilën nënvizoi se ky aktivitet plotëson koleksionin e pasur të Muzeut me kontekstin historik dhe të vendit qe i ka prerë këto monedha, kontribuon në rolin historik dhe edukativ të Muzeut. Ajo shtoi se ky takim përfaqëson një mundësi shumë të mirë për të shkëmbyer eksperienca me përfaqësues të institucioneve kryesore të kulturës në vend, të muzeve të bankave homologe dhe të institucioneve të huaja të fushës.

Zëvendësguvernatore Gjoni u shpreh se konferenca e këtij viti, e Muzeut të Bankës së Shqipërisë adreson marrëdhënien e ndërsjellë, të komplikuar dhe shumëdimensionale midis parasë dhe luftës. Luftërat kanë ndikuar ekonominë dhe zhvillimin e njerëzimit që në agimin e qytetërimit e deri në ditët e sotme.

Në përfundim, zj. Gjoni shpjegoi se kjo konferencë synon të tregojë se si ndryshimet rrënjësore që luftërat kanë sjellë në sistemet politike dhe aleancat apo ndasitë mes shteteve, kanë ndikuar edhe në zhvillimet monetare. “Historia na tregon se periudhat e konflikteve apo luftërave janë veçanërisht të lidhura me ndryshimet rrënjësore në sistemet dhe politikat monetare.” – përfundoi Zëvendësguvernatore Gjoni.

I ftuar i veçantë në këtë konferencë ishte Prof. Olivier Picard, ish-Drejtor i Shkollës Arkeologjike Franceze në Athinë, Profesor në Universitetin e Sorbonës, Anëtar i "Académie des Inscriptions et Belles - Lettres" (Instituti i Francës), i cili trajtoi temën me interes të veçantë për vendin tonë “Prodhimi i monedhave ilire në periudha luftërash”.

 DSC0446 - Copy-Pano