BANKA E SHQIPËRISË

Perspektivat e zhvillimit ekonomik të rajonit.

Data e publikimit: 25.05.2002

 

Të nderuar kolegë,

Dëshiroj të filloj prezantimin tim në këtë takim, me një paraqitje të shkurtër të kuadrit të përgjithshëm ekonomik të Shqipërisë dhe rolin që po luan Banka e Shqipërisë në proceset reformuese. Zhvillimet e brendshme ekonomike të vitit të kaluar Banka e Shqipërisë i vlerëson përgjithësisht të kënaqshme. Prodhimi i brendshëm vazhdoi të rritej, megjithëse me ritme më të ulëta se sa ato që ishin programuar; inflacioni qëndroi brenda objektivit të Bankës; deficiti fiskal u reduktua. Në tërësi, parametrat e përcaktuara në marrëveshjet tona me organizmat ndërkombëtarë qëndruan brenda kufijve të përcaktuar.

Sidoqoftë, në dialogun me qeverinë në hartimin e programeve të reformave, ne kemi vënë theksin në dobësitë strukturore që janë akoma të theksuara dhe që gradualisht po shëndërrohen në barriera të zhvillimit dhe te ruajtjes së një kuadri makroekonomik të stabilizuar. Një nga kërcënimet serioze që u shfaq që në fundin e vitit të kaluar ishte kriza e rëndë energjitike që përjetoi ekonomia e brendshme. Me këtë rast, dëshiroj të shpreh kënaqësinë time që institucionet përgjegjëse të këtij sektori, krijuan gjithashtu një kuadër të përbashkët në bashkëpunimin rajonal ballkanik. Krijimi i rrjetit të përbashkët të infrastrukturës ekonomike rajonale, përbën tashmë një orientim të rëndësishëm politik, dhe me përfitime për agjentët ekonomikë. Nga ana tjetër, iniciativat e marrëveshjeve të tregtisë së lirë midis vendeve të rajonit tashmë kanë filluar.

Megjithatë, vjelja e përfitimeve maksimale ekonomike që burojnë nga këto marrëveshje nuk mund të realizohet në gjendjen aktuale të infrastrukturës fizike dhe të asaj institucionale. Nga kjo pikëpamje, Banka e Shqipërisë ka qenë mjaft aktive në nxitjen e projekteve të tilla të karakterit rajonal, duke vënë në dispozicion të autoriteteve shqiptare gjithë ekspertizën e saj të kualifikuar për këtë qëllim. Në të gjitha forumet, sikurse edhe në të gjitha rastet, Banka e Shqipërisë, në mënyrë të qartë ka përsëritur nevojën për më shumë reforma veçanërisht reforma strukturore. Si përfundim, ne mund të themi se disa nga prioritetet më kryesore, të cilat të çojnë drejt një progresi të shpejtë të integrimit europian mund të përmblidhen si më poshtë:

Vendosja e një kuadri institucional efektiv për promovimin e investimeve të huaja direkte. Iniciativat kyçe përfshijnë adoptimin e një ligji dhe statuti për të krijuar një agjenci për promovimin e investimeve si dhe një agjenci për promovimin e eksporteve, vendosjen e një objektivi funksional për të zhvilluar zona të lira dhe zona doganore, si dhe për njohjen e pronësisë dhe të tapisë mbi tokën dhe pronën, duke përmirësuar sistemin e regjistrimit të pasurisë.

Përshpejtimi i procesit të privatizimit të sektorëve strategjikë. Unë mendoj se ka ardhur koha që të heqim dorë nga menaxhimi i disa kapaciteteve prodhuese strategjike sipas sistemeve të vjetra. Për fat të keq, shteti shqiptar
rezultoi të ishte totalisht i paaftë për të menaxhuar këto kapacitete strategjike duke i çuar ato drejt një fundi të mjerueshëm. Megjithatë, ne mendojmë se ka akoma kohë të inkurajojmë fuqishëm autoritetet për të vashduar privatizimin e Koorporatës Energjitike Shqiptare (KESH), Bankës së Kursimeve, privatizimin e Institutit të Sigurimeve, privatizimin e telefonisë fikse, e ndjekur kjo nga shitja e suksesshme e licensës së GSM, trasformimit të ndërmarrjes së Ujësjellësit në Kompani të përbashkëta aksionere.

Përmirësimi i i transparencës dhe reduktimi i korrupsionit në sektorin publik. Një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar luftës kundër korrupsionit në administratën doganore , si dhe t'i jepet mbështetje sistemit të drejtësisë.Iniciativa kyçe në këtë fushë përfshijnë vlerësime të vazhdueshme të progresit në zbatimin e planit të veprimit antikorrupsion, duke shtrënguar dhe përcaktuar rregullat e prokurimit publik, të deklarimit të pasurive nga punonjësit e doganave dhe punonjësit e tjerë të administratës publike, duke pasur si model përvojën e Komitetit të Këshillimit të Biznesit, i cili ka provuar të jetë një insitucion shumë efektiv në promovimin e transparencës dhe në strukturimin institucional të lobit të biznesit.

Përmirësimi i infrastrukturës fizike. Nisur nga kriza e rëndë energjitike e vitit që kaloi, qeveria duhet të përgatisë një plan strategjik duke e diskutuar problemin e furnizimit me energji elektrike me komunitetin e biznesit dhe më gjerë. Nga ana tjetër, prioritet i duhet dhënë edhe infrastrukturës së rrugëve.

Përmirësimi i zbatimit të ligjeve tregtare, të rregullave dhe të rregulloreve. Në shumë raste kuadri ligjor i marrëdhënieve tregtare ekziston dhe është në rregull, por zbatimi i tij është i dobët dhe aplikimi nuk është konsistent dhe shumë herë arbitrar. Ajo çka do të shtoja tjetër është se do të doja të ktheheshim prapa, në ato fusha në të cilat unë mendoj që janë të lidhura më shumë me përgjegjësitë e bankës qendrore. Një mori çështjesh mund të rreshtohen në këtë drejtim, por më e rëndësishme është që ta fillojmë nga parimet klasike, si për shembull pavarësia, transparenca, përgjegjshmëria etj. Unë besoj, se duke kontribuar për një bankë sa më të fuqishme qendrore, nënkuptohen më shumë mundësi për një integrim rajonal të suksesshëm. Megjithatë, qëllimi final politik, pranimi në bashkimin europian, të imponon kushte të ndryshme si dhe sfida për një pjesë të madhe të ekonomive të rajonit tonë. Në këtë proces, mendoj unë, kontributi ynë është kyç. Unë mund të them se politika jonë afatgjatë duhet të orientohet nga praktikat e Bankës Qendrore Europiane dhe supozoj që secili nga ne këtu, të paktën një herë të vetme, duhet të jetë intriguar nga alternativa Euro. Banka e Shqipërisë ka vendosur dhe ka rënë dakord me agjencitë e tjera, si kombëtare dhe ato ndërkombëtare që të adoptojnë një strategji me afat të gjatë, regjimin e targetimit të inflacionit, por në të njëjtën kohë, të njëjtat autoritete dhe disa nga ekonomistët më me zë po marrin në konsideratë faktin e një lëvizjeje të duhur strategjike për të ardhmen, që është euroizimi i ekonomisë.

Kështu dilema për të përdorur euron apo lekun, mendoj se është një çështje kohe dhe ajo çka është e sigurt është se koha po punon për Euron. Të krijojmë më shumë hapësirë për ekspertët tanë që t'i futen më thellë këtij procesi e, pse jo, të mos krijojnë një forum të përhershëm, ku mund të shkëmbejnë pikëpamjet e tyre, të rejat më të fundit dhe specifikat e vendeve të tjera, në mënyrë që të jenë të gatshëm që kur të vijë koha, të bëhet një euroizim gradual dhe i butë ( lehtë) i ekonomive tona.

Së fundi, pas një dekade tranzicioni ekonomik, tashmë është përvijuar krijimi i ndërvarësive ekonomike edhe në rajonin tonë, prej shekujsh të fragmentarizuar. Pa dyshim që ne i përshëndesim këto tendenca dhe i inkurajojmë ato. Por, kjo ngre nevojën e fuqizimit të mëtejshëm të bashkëpunimit të institucioneve tona, në emër të garantimit të stabilitetit të sistemit financiar në gjithë rajonin tonë. Ky do të ishte njëkohësisht edhe kontributi ynë më i çmuar për forcimin e stabilitetit politik të rajonit dhe për rritjen e prosperitetit ekonomik të qytetarëve tanë.