BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Presidenti Moisiu takon Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Z.Shkëlqim Cani

Data e publikimit: 26.02.2003

 

Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu zhvilloi sot një takim pune, me Guvernatorin e Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani.

Presidenti Moisiu trajtoi me Guvernatorin e Përgjithshëm Cani, problemet e mprehta të qarkullimit të parave dhe të aktivizimit e të ardhmes së Bursës Shqiptare, të krijuar që në vitin 1996.

Duke e vlerësuar Bursën si një element i rëndësishëm i ekonomisë së tregut, Presidenti Moisiu tërhoqi vëmendjen, në nevojën e funksionimit të mekanizmit përkatës për "një lëvizje në drejtimin e duhur të këtij institucioni për të gjetur tregun e aksioneve".

"Çështja e perspektivës së Bursës në Shqipëri, - vuri në dukje presidenti Moisiu, - duhet parë me kujdes dhe në kuadër të gjithë zhvillimit ekonomik të vendit, i cili kushtëzon funksionimin normal të saj". Guvernatori Cani nga ana e tij e informoi Presidentin Moisiu për gjendjen aktuale në Bursën shqiptare dhe vështirësitë që ajo has në kushtet e sotme ekonomike të vendit.

Duke evidentuar faktin se në Shqipëri ka shumë para, që nuk qarkullojnë nëpërmjet sistemit bankar, Presidenti Moisiu sugjeroi "rritjen e aftësisë për t'i shfrytëzuar ato në rrjetin e brendshëm bankar, vënien në shërbim të ekonomisë sonë". Guvernatori Cani bëri një ekspoze të aktivitetit bankar, shtrirjes së tij në vend si dhe nevojës së forcimit të besimit të popullsisë për to.

Në përfundim Presidenti Moisiu shprehu mendimin për nevojën e përpunimit të prognozave të qarta në këtë fushë.