BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Prezantohet Raporti i Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim 2016-2017

Data e publikimit: 27.01.2017

 

Në datën 27 janar 2017, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u prezantua Raporti i Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), 2016-2017.

Në fjalën përshëndetëse të këtij aktiviteti, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, theksoi se Raporti i Tranzicionit paraqet një vlerësim të pavarur dhe një standard bashkëkohor që ndihmon në gjykimin objektiv mbi ecurinë e reformave dhe politikave ekonomike të ndërmarra nga autoritetet, si dhe evidenton e dokumenton me profesionalizëm dhe besueshmëri progresin ekonomik, ligjor dhe institucional të çdo vendi.

guvernatori berzh

Në rastin e Shqipërisë, raporti vlerëson pozitivisht reformat dhe politikat ekonomike të ndërmarra. "Për më tepër, përfundimet e raportit mbi zhvillimet ekonomike dhe situatën monetare dhe financiare janë të ngjashme me analizat dhe përfundimet e Bankës së Shqipërisë në fund të vitit 2016. Më konkretisht, ekonomia shqiptare ka përshpejtuar ritmet e rritjes mbështetur kryesisht nga politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë dhe transmetimi më efektiv i saj në ekonomi. Këto faktorë, së bashku me gjallërimin e mëtejshëm të kërkesës së brendshme, do të luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen e mëtejshme të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2017." tha Guvernatori .

Raporti evidenton një çështje aktuale për të gjitha vendet në tranzicion, e cila ka të bëjë me thellimin e pabarazisë shoqërore. "Banka e Shqipërisë dhe sistemi bankar i kushton një rëndësi të veçantë kësaj çështjeje. Programet tona të edukimit financiar, botimet informuese mbi produktet dhe shërbimet bankare, së bashku me rregullimin, licencimin, prezantimin dhe mbështetjen e teknologjive dhe instrumenteve të reja të pagesave e shërbimeve financiare, synojnë rritjen e përfshirjes financiare dhe krijimin e mundësive për akses financiar nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Megjithatë, vlerësoj se mund dhe duhet të bëhet më shumë për të konceptuar e promovuar produkte financiare që i përgjigjen më mirë nevojave të këtyre shtresave të popullsisë." theksoi Guvernatori.

Gjithashtu, Guvernatori Sejko vlerësoi temat e prekura në raport si dhe gjetjet e prezantuara lidhur me kreditë me probleme. "Raporti evidenton faktin e rëndësishëm se sistemi bankar është likuid, i mirëkapitalizuar dhe i aftë të përballojë goditjet që mund të vijnë nga sektori i jashtëm. Ai identifikon kredinë me probleme si rrezik kryesor jo vetëm për shëndetin e sistemit, por edhe për sa i takon transmetimit të politikës monetare në rritjen e kredisë për sektorin privat. Megjithatë raporti vlerëson pozitivisht planin e koordinuar të veprimit të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me qeverinë dhe institucionet ndërkombëtare, për të adresuar në mënyrë të plotë dhe përfundimtare problemin e kredive me probleme.", u shpreh ai.

Më pas, përfaqësuesit e lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim prezantuan Raportin e Tranzicionit të BERZH për periudhën 2016-2017.

Në përfundim, Guvernatori Sejko falënderoi dhe njëherë BERZH-in për kontributin e rëndësishëm dhe mbështetjen konkrete me investime financiare në fusha kyçe të ekonomisë së vendit tonë, si dhe e ftoi të vazhdojë të vlerësojë potencialet që ofron Shqipëria.

Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në prezantimin e Raportit të Tranzicionit të BERZH 2016-2017

Raporti i Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), 2016-2017