BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Prezantohet Raporti i Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim 2017-2018

Data e publikimit: 11.04.2018

 

Në datën 11 prill 2018, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u prezantua Raporti i Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), 2017-2018.

Në fjalën përshëndetëse të këtij aktiviteti, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, theksoi se Raporti i Tranzicionit këtë vit ndalet në diskutimin e disa çështjeve shumë të rëndësishme për ekonomitë në tranzicion, siç janë konvergjenca e produktivitetit dhe dinamika e firmave, rëndësia e infrastrukturës rrugore për rritjen ekonomike dhe oportunitetet e reja që mund të sjellë ekonomia e gjelbër.

 DSC9860-2 - 498 F

Raporti ka një vlerësim pozitiv mbi zhvillimet në rajon. “Pas disa vitesh me rritje ekonomike anemike, tashmë rajoni shfaq një rigjallërim të aktivitetit ekonomik dhe prospektet mbeten pozitive, pavarësisht problemeve gjeopolitike dhe sfidave të brendshme e të jashtme me të cilat përballemi. Disa vende të rajonit kanë ecur më shpejt se vende të tjera të globit me madhësi dhe zhvillim të njëjtë. Flukset hyrëse të kapitalit kanë qenë relativisht të ndjeshme, duke çuar në ngushtimin e diferencës së normave të interesit në rajon në krahasim me ato në ekonomitë e mëdha. Çka është më e rëndësishme, duket se inflacioni po kthehet gradualisht në nivelet e shënjestruara dhe rritja ekonomike e përshpejtuar në Ballkanin Perëndimor po mbështetet nga kreditimi i bankave dhe nga disa projekte madhore në infrastrukturë.”, tha Guvernatori.

Megjithatë raporti vëren se rritja e produktivitetit është ngadalësuar dhe për këtë, dinamika e bizneseve private identifikohet si një nga problemet kryesore që duhet të shqetësojë rajonin tonë. Lidhur me këtë, Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë vlerëson se zhvillimi i sistemit financiar është i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë drejtim, nëpërmjet politikave tona, ne po përpiqemi të nxisim një shpërndarje më eficiente të kreditimit bankar, në mënyrë që të jetë sa më pak i fragmentarizuar apo i përqendruar në sektorë të caktuar të ekonomisë.

Më tej, Guvernatori shtoi se produktiviteti është i rëndësishëm pasi përcakton edhe shpejtësinë e konvergjencës drejt ekonomive të zhvilluara. “Për këtë arsye, mendoj se autoritetet rajonale dhe shqiptare duhet të vazhdojnë zbatimin e reformave strukturore, të cilat synojnë:

  • Rritjen e shkallës së formalizimit të ekonomisë, si një instrument për rritjen e konkurrencës, për inkurajimin e konsolidimit, për përmirësimin e qeverisjes së bizneseve dhe për uljen e kostos së tyre të financimit;
  • Nxitjen e hapësirave për zhvillimin e bizneseve në fusha ku rajoni dhe Shqipëria ofron avantazhe konkurruese, si turizmi apo agro-industria, dhe në fusha me vlerë të shtuar të lartë, si teknologjia e informacionit apo shërbimet financiare.
  • Zhvillimin e tregut të kapitaleve, si një instrument për mbështetjen e bizneseve të reja, inovative, por edhe si një partner për ndarjen e rrezikut financiar të sipërmarrësve në fazën e zgjerimit e zhvillimit.”, tha Guvernatori.

 DSC9860-2 - 498 F

Lidhur me të ardhmen, raporti vlerëson pozitivisht reformat e ndërmarra nga autoritetet shqiptare. Mjedisi makroekonomik vlerësohet i qëndrueshëm dhe prospektet tregojnë për ruajtjen e ritmit pozitiv të rritjes së ekonomisë.

Raporti gjithashtu evidenton se projektet dhe investimet në infrastrukturë kanë ndihmuar në rritjen e integrimit ekonomik të Shqipërisë me vendet e rajonit, duke dhënë një efekt pozitiv në produktivitet dhe në rritjen e oportuniteteve.

Në mbyllje, Guvernatori Sejko theksoi se, sipas sugjerimeve të raportit, është koha që sistemi financiar të fokusohet te ndërmarrja, si njësia bazë e punësimit, inovacionit, produktivitetit dhe rritjes ekonomike.

Guvernatori Sejko falënderoi dhe njëherë BERZH-in për kontributin e rëndësishëm dhe mbështetjen konkrete me investime financiare në fusha kyçe të ekonomisë së vendit tonë, si dhe e ftoi të vazhdojë të vlerësojë potencialet që ofron Shqipëria.

Më pas, përfaqësuesit e lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim prezantuan Raportin e Tranzicionit të BERZH për periudhën 2017-2018 dhe vlerësimet mbi Ballkanin Perëndimor si dhe iu përgjigjën interesit të të pranishmëve.