BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Prezantohet Raporti i Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim 2022-2023

Data e publikimit: 30.01.2023

 

Në datën 30 janar 2023, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u prezantua Raporti i Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), 2022-2023.

Në fjalën përshëndetëse të këtij aktiviteti, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, u shpreh se Raporti i Tranzicionit të BERZH-it mbetet një analizë profesionale dhe autoritare e ecurisë së ekonomive në proces tranzicioni e konvergjence, si dhe një udhërrëfyes i çmuar i politikave të stabilizimit e zhvillimit, të nevojshme për të mbështetur një progres të qëndrueshëm ekonomik e shoqëror.

498-7806

Në këtë kontekst, Guvernatori Sejko u shpreh se për Bankën e Shqipërisë është kënaqësi ta mirëpresë këtë event të përvitshëm, i cili mbledh së bashku studiues të fushës, aktorë të rëndësishëm të sektorit publik e privat, si dhe përfaqësues të industrisë financiare.

“Kryefjalë e Raportit të këtij viti janë pasojat ekonomike të konfliktit ushtarak në Ukrainë, të para këto si në planin afatshkurtër e afatmesëm, ashtu dhe në atë afatgjatë. Në aspektin ekonomik, ky konflikt ishte një goditje e fortë oferte për thuajse gjithë kontinentin evropian, goditje e cila u pasqyrua në rritje të inflacionit dhe të pasigurisë, në përkeqësim të termave të tregtisë, në thellim të deficiteve të llogarisë korrente, si dhe në shtrëngim të kushteve financiare” theksoi Guvernatori.

Më tej, Guvernatori shtoi se brenda një harku të shkurtër kohor, pas përfundimit të emergjencës së pandemisë, ekonomitë e rajonit u detyruan të përballen me këtë sfidë tjetër madhore, e cila rrezikoi stabilitetin ekonomik e financiar dhe dëmtoi perspektivat e rritjes për të ardhmen.

Në mënyrë të natyrshme, ekonomia shqiptare nuk bëri përjashtim nga ky realitet. Pas një rimëkëmbjeje të shpejtë e të plotë ekonomike gjatë vitit 2021, goditja e ofertës së huaj u transmetua direkt në kostot e prodhimit dhe në çmimet e konsumit. Për rrjedhojë, rritja e inflacionit u përshpejtua, duke arritur në nivele të pashënuara prej disa dekadash.

Guvernatori u shpreh se në kuadër të objektivit prioritar të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, Banka e Shqipërisë ndoqi në mënyrë konsekuente një proces normalizimi të qëndrimit të politikës monetare, i cili u materializua në rritje progresive të normës bazë të interesit, në komunikim të hapur të pritjeve për të ardhmen, si dhe në rikonfirmim të vazhdueshëm të vullnetit për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për kthimin e inflacionit në objektiv, brenda një horizonti kohor të arsyeshëm dhe me kosto sa më të ulëta mbi aktivitetin ekonomik.

Më tej, Guvernatori ritheksoi edhe një herë se këto politika ekonomike ndihmuan në ruajtjen e një niveli relativisht të ulët të inflacionit krahasuar me vendet e rajonit, në uljen e pasigurisë, si dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar. Ai shtoi se projeksionet e Bankës së Shqipërisë  sugjerojnë se inflacioni do të vijojë trajektoren rënëse gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024.

Duke u ndalur në mesazhet kryesore të Raportit të Tranzicionit, Guvernatori veçoi përfundimin se konfliktet dhe tensionet gjeopolitike sjellin pashmangshmërisht ndryshime të rëndësishme strukturore, të cilat shoqërohen me rritje të emigracionit, me pasoja afatgjata si për vendet pritëse dhe për ato të origjinës. Gjithashtu, tensionet gjeopolitike pasqyrohen në rritje të proteksionizmit, fragmentarizim të zinxhirëve të prodhimit dhe riorientim të flukseve të investimeve të huaja direkte drejt vendeve mike, si dhe frenim të procesit të globalizimit. Ndër të tjera, ato ulin vëmendjen ndaj reformave strukturore, të cilat kanë qenë dhe mbeten instrumenti i vetëm për një rritje më të shpejtë e më të qëndrueshme ekonomike.

Në mbyllje, Guvernatori Sejko theksoi se detyra e politikëbërësve, në nivel kombëtar e ndërkombëtar, është t’i njohin këto sfida dhe të kujdesen për minimizimin e pasojave të tyre, sidomos kryerja e reformave strukturore, e cila është ngadalësuar që prej nisjes së pandemisë në të gjitha vendet e rajonit, duhet të rikthehet si prioritet kombëtar strategjik për të gjitha vendet në tranzicion.

Guvernatori Sejko falënderoi dhe njëherë BERZH-in për kontributin e rëndësishëm dhe mbështetjen konkrete me investime financiare në fusha kyçe të ekonomisë së vendit tonë, si dhe e ftoi të vazhdojë të vlerësojë potencialet që ofron Shqipëria.

Më pas, përfaqësuesit e lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim prezantuan Raportin e Tranzicionit të BERZH-it për periudhën 2022-2023 dhe vlerësimet për Ballkanin Perëndimor, si dhe iu përgjigjën interesit të të pranishmëve dhe gazetarëve.