BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Prezantohet studimi i Bankës Botërore për financimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme

Data e publikimit: 10.07.2018

 

Në datën 10 korrik 2018, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u organizua workshop-i i përbashkët i Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore me temë “Financat për rritje ekonomike”. Workshop-i u përqendrua në prezantimin e studimit të Bankës Botërore “Aksesi në financim për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme”. Ekspertët e Bankës Botërore kanë hartuar një raport të hollësishëm diagnostikimi dhe rekomandimesh mbi bazën e këtij studimi, i cili analizon mjedisin ekonomik ku zhvillojnë aktivitet ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në Shqipëri.

Raporti do të shërbejë si një platformë për politikëbërësit dhe rregullatorët vendas gjatë hartimit të programeve mbështetëse për financimin dhe zhvillimin e këtij sektori mjaft të rëndësishëm për ekonominë.

 DSC7651-2 - Copy - 498

 

Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme janë cilësuar si lokomotivat e rritjes ekonomike dhe burimet e inovacioneve që ushqejnë progresin, e megjithatë, ato vijojnë të përballen me burime të kufizuara financimi.

Workshop-i u çel me fjalën përshëndetëse të Zëvendësguvernatores së Dytë të Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj. Në fjalën e saj, zj. Ahmetaj u ndal në rolin që ka për ekonominë zhvillimi i këtij sektori, si prezantues i ideve dhe aktiviteteve të reja që qëndrojnë në themel të përdorimit efektiv të pasurive të vendit. Zëvendësguvernatorja Ahmetaj theksoi se për vendet në tranzicion si Shqipëria këto ndërmarrje luajnë një rol dyfish të rëndësishëm për ekonominë, pasi ato janë jo vetëm ofruesi kryesor i vendeve të reja të punës, por shërbejnë si pikënisje në rrugën e ekonomisë drejt industrializimit. Pikërisht për këtë, ato kanë nevojë për më shumë akses në financim për të shtuar mundësitë e mbijetesës në ekonomi. Për shkak të profilit natyror të tyre, ato nuk kanë mundësinë e publikimit të informacionit si bizneset e mëdha, gjë që e bën më të kushtueshme njohjen e rrezikut real nga ana e institucioneve financiare, duke bërë që kjo kosto të kompensohet në normë me të lartë interesi dhe kushte më të shtrënguara kreditimi.

Për sa i përket përmirësimit të aksesit në financim, zj. Ahmetaj u shpreh se Regjistri i Kredive dhe Byroja e Kreditit duhet të shërbejnë si mekanizma që lehtësojnë ndarjen e informacionit dhe vlerësimin e aftësisë kredimarrëse për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Gjithashtu për këtë sektor nevojiten statistika të besueshme, por ky proces duhet të realizohet pa rritur barrën e burokracisë për të.

Më tej, Zëvendësguvernatorja theksoi se është e rëndësishme të ndërmerren të gjithë masat e nevojshme për të përmirësuar politikat, infrastrukturën dhe stimujt përkatës me qëllim që këto ndërmarrje të kenë mbështetjen e duhur për përmirësimin e kapaciteteve njerëzore e teknologjike, gjë që mundëson përfshirjen e tyre në procesin e globalizuar të prodhimit.

Në mbyllje të fjalës së saj, zj. Ahmetaj falënderoi përfaqësuesit e Bankës Botërore për iniciativën dhe përfshirjen racionale të ekspertëve të Bankës së Shqipërisë dhe sistemit tonë financiar në hartimin e këtij raporti.

 DSC7490-2 - Copy - 498

 

Zj. Maryam Salim, Përfaqësuesja e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, e cila ishte e pranishme në prezantimin e këtij raporti, ritheksoi rëndësinë e një aksesi më të mirë në financim të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Zj. Salim u shpreh se një akses më i mirë në financim i këtyre ndërmarrjeve do të thotë rritje e inovacionit dhe krijim i vendeve të reja të punës. Në mbyllje të fjalës së saj, zj. Salim vlerësoi rëndësinë e hartimit të studimeve të tilla dhe falënderoi Bankën e Shqipërisë për bashkëpunimin e saj në realizimin me sukses të j raportit.

Më pas përfaqësuesit e Bankës Botërore, vijuan me prezantimin e raportit si dhe iu përgjigjën pyetjeve dhe komenteve të të pranishmëve.

Workshop-i u pasurua me kontributin e një paneli diskutues nga sektori i ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, institucionet financiare dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë. I pranishëm ishte dhe Zëvendësministri i kësaj Ministrie z. Elton Harxhi, i cili vlerësoi cilësinë e raportit dhe shprehu angazhimin serioz të qeverisë në përmbushjen e rekomandimeve të tij.