BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM
Projektet e Bankës së Shqipërisë në kuadër të zgjerimit infrastrukturor me ambiente të reja

Data e publikimit: 28.03.2011

 

“Kjo “zonjë” e rëndë që rri hijshëm në sheshin “Skënderbej”, në vite ka ruajtur vlerat e saj, duke mishëruar forcën e shtetit dhe të tregut.
 
Ajo i përçon publikut, mesazhin e rëndësishëm, që banka mbron dhe administron pasurinë tonë kombëtare.

Misioni i saj materializohet natyrshëm edhe në projektin e ri, shpirti i të cilit është vazhdimësia, rruga drejt standardeve të kohës dhe modelit të bankave qendrore evropiane”.

Ardian Fullani
Guvernator i Bankës së Shqipërisë


Banka e Shqipërisë është banka qendrore e Shtetit Shqiptar. Pas një historie të gjatë zhvillimesh ekonomiko-politiko-shoqërore duke filluar që nga viti 1913, ajo vjen sot si një bankë qendrore moderne, solide dhe e besueshme, me funksione të shtuara, zgjeruara dhe konsoliduara.

Objektivi kryesor i saj është ruajtja e stabilitetit të çmimeve, duke kontribuar kështu në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien tonë. Përveç këtij objektivi, Banka e Shqipërisë ka dhe shumë objektiva e funksione të tjera, të cilat të gjitha së bashku mund të përkthehen në një të vetëm: ruajtja e stabilitetit makroekonomik të vendit.

Godina qendrore e saj ndodhet në qendër të sheshit “Skënderbej”, duke përfaqësuar në mënyre dinjitoze një nga institucionet administrative më të rëndësishme të vendit tonë, bankën qendrore, në cilësinë e autoritetit të vetëm monetar si dhe mbikëqyrës. E ndërtuar rreth 70 vjet më parë, kjo godinë qëndron si një “Vepër Arti”, dhe mbrohet nga shteti si pjesë e qendrës së kryeqytetit, e shpallur Ansambël Monument Kulture.

Punimet për ndërtimin e godinës së Bankës Kombëtare të Shqipërisë, emri me të cilin njihej në ato vite, filluan në shkurt të vitit 1937, ndërsa ceremonia e përurimit të saj u zhvillua në 30 tetor 1938. Ajo u projektua nga prof. Vittorio Morpurgo Ballio, një ndër arkitektët më të njohur italianë të asajkohe.  

Kjo ndërtesë përbën një nga kryeveprat e tij. Stili arkitektonik i saj i përket rrymës së “racionalizmit”, rrymë e cila lulëzoi në gjysmën e parë të shekullit XIX në Evropë.

Nga pikëpamja urbanistike kompozimi i ndërtesës prej Morpurgos, është orientuar ndaj tre rrugëve kryesore të qytetit, Rrugës së Dibrës (aksi i rrugës përputhet me aksin kryesor të ndërtesës), Rrugës së Kavajës dhe Bulevardit të qytetit. Vendosja në këtë pozicion, bën të mundur që format elegante të saj të konceptohen nga distanca të largëta të Rrugës së Dibrës.

Vlerat arkitektonike të kësaj ndërtese janë të një rëndësie të veçantë në aspektin kulturor, si një përfaqësuese e spikatur e rrymës së “racionalizmit”, e cila përveç kësaj ndërtese ka edhe përfaqësuese të tjera në Shqipëri.

Solide dhe e rëndë në pamjen e parë, godina rrethohet nga një ngrohtësi origjinale, e cila buron nga ngjyra e kuqërremtë e fasadës dhe forma e zbutur e gjysmërrethit. Hyrja e saj kryesore me kolonat gjigande tepër të larta gjen një harmoni të plotë me qeramikën me të cilën është dekoruar. Shkrirja perfekte e materialit dhe ngjyrës që është përdorur aty, e veshin këtë godinë me një karakter monumental.

Madhështia, elementet artistike të saj, fasada e veshur me terrakotë, basorelievet në fasadën kryesore dhe në veçanti mozaiku në hollin kryesor të ndërtesës i japin një rëndësi të jashtëzakonshme kësaj vepre.

Në relievet e ulëta të hyrjes kryesore të godinës së bankës janë gdhendur figura të çmuara, vepra të skulptorit të famshëm italian Alfredo Biagini, të cilat simbolizojnë burimet e jetës e të pasurisë së kombit. Ato thyejnë lartësinë e mureve dhe figurat e gdhendura aty përshtaten me ato të sallës së brendshme të publikut, të cilat janë vepër e piktorit italian Giulio Roso. Elementet arkitektonikë të fasadave dhe të interierëve, si elementë të dritareve, dyerve dhe dekoracioneve në vetvete të thjeshta, por që në linjën e përgjithshme të ndërtesës, qëndrojnë në unitet të plotë.

Godina e Bankës së Shqipërisë përfundoi së ndërtuari në vitin 1938 dhe plotësonte kërkesat e kohës. Ndërsa, në vitet dyzetë, arkitekti Morpurgo hartoi një tjetër projekt, i cili parashikonte ndërtimin e godinave të tjera që i përshtateshin linjës arkitektonike të ndërtesës aktuale. Ndërtimi i tyre do të plotësonte kompleksin e Bankës së Shqipërisë. Por, ky projekt mbeti në letër pa mundur të realizohet.

Për më shumë se 70 vjet kjo ndërtesë ka strehuar brenda saj shumë prej institucioneve më të rëndësishme financiare të vendit, si Banka e Shtetit, Ministria e Financave apo dhe si filial i B.K.T.-së  për qytetin e Tiranës.

Gjatë këtyre viteve deri në projektin aktual, për këtë ndërtesë nuk është ndërmarrë ndonjë iniciativë për rikonstruksione të thjeshta ose të plota për ta rikthyer atë në gjendjen fillestare. Ka patur tentativa për projekte rikonstruksioni, por nuk është mundur të realizohen.

Ndërkohë ka pasur mirëmbajtje të thjeshta, të cilat janë parë si domosdoshmëri për të mos e lënë ndërtesën të degradohet, kjo derisa të niste realizimi i projektit të plotë i ndërhyrjes së rikonstruksionit.

Kështu, pas më shumë se 70 vjetësh godina mbeti po ajo, Ndërkohë që Banka e Shqipërisë zhvillohej me rritmin e kohës, godina ku ajo ushtron aktivitetin për fat të keq vazhdonte të ishte ajo e 70 viteve më parë. Një godinë me arkitekturë unike, me vendodhje të përkryer por që nga këndvështrimi i hapësirave të punës dhe funksionaleteve kishte mbetur mbrapa me kohën. Në kuadër të strategjisë së saj së zhvillimit, aktiviteti i Bankës së Shqipërisë zgjerohet dita-ditës dhe kualifikohet vazhdimisht. Si rrjedhim, ndërtesa nuk mund të plotësonte edhe kërkesat më minimale: akomodimin në ambiente pune të punonjësve të saj, për të mos thënë që për aktivitete të tjera të natyrës parësore, përfaqësuese dhe ndihmëse, si salla mbledhjejesh, konferencash, bibliotekë, muze si dhe ambiente të tjera të natyrës sociale as nuk mund të bëhej fjalë.

Pra, domosdoshmëria e rikonstruksionit dhe restaurimit të ndërtesës lindi si realizim i kërkesës kryesore për rritjen e funksionalitetit të ambienteve në ndihmë të aktiviteteve të Bankës së Shqipërisë, e cila mbështetej dhe në një parim tjetër, atë të kthimit në origjinalitet të ndërtesës ekzistuese.

Për këtë arsye, u shfrytëzua ideja e Morpurgos: të ndërtohej një shtesë në krahët jugorë dhe perëndimorë të oborrit, të një ndërtese ose të një kompleksi të ri, lartësia e të cilit duhet të ishte sa ajo e ndërtesës ekzistuese. Kjo kërkesë e Bankës së Shqipërisë, gjeti mbështetje dhe në planin rregullues të qendrës së qytetit të Tiranës.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë vendosi me procedurë të veçantë organizimin e një konkursi ndërkombëtar për përzgjedhjen e projekt-idesë më të mirë. Duke patur parasysh rëndësinë që paraqiste ky projekt, si dhe për të garantuar konkurrencën dhe pjesëmarrjen e subjekteve më prestigjioze në këtë fushë, Banka e Shqipërisë publikoi njoftimin për zhvillimin e konkursit ndërkombëtar për përzgjedhjen e projekt-idesë më të mirë në gazetën prestigjioze "Financial Times" dhe në shtypin vendas. Njoftimi iu komunikua gjithashtu ambasadave të huaja, shoqatave profesionale, si dhe u botua në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë.

Pas këtyre publikimeve, shfaqën interes për të marrë pjesë në konkurs 27 studio projektimi dhe projektues të huaj, nga të cilët 17 prej tyre paraqitën dokumentacionin përkatës.

Konkursi u zhvillua në tre faza, ku në fazën e parë u verifikua kualifikimi ligjor i dokumentacionit të detyrueshëm për paraqitje nga konkurrentët. Në fazën e dytë, nëpërmjet një jurie ndërkombëtare me ekspertë të njohur, të huaj dhe vendas, u krye vlerësimi teknik duke u ruajtur deri në këtë fazë fshehtësia e identitetit të 8 (tetë) konkurrentëve që kaluan fazën e kualifikimit ligjor. Në përfundim të vlerësimit, juria renditi në një listë përmbledhëse projekt-idetë sipas numrit të pikëve të fituara nga çdo konkurrent dhe vendosi për kualifikimin në fazën e tretë të 3 (tre) projekt-ideve, që fituan numrin më të lartë të pikëve.

Projekti fitues, i cili tashmë ka filluar zbatimin edhe në praktikë,  është realizuar nga arkitekti italian Marco Petreschi. Arkitekt Petreschi, mban titullin profesor dhe është Shef i Katedrës së Arkitekturës në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Arkitekt Petreschi, përveç krijimtarisë së tij arkitekturore, është edhe një njohës i thellë i kulturës dhe traditës së arkitekturës italiane të epokës së racionalizmit, kur është realizuar projekti i Morpurgos.

Qëllimi primar i këtij projekti është rikthimi në gjendjen fillestare (projekti origjinal) i ndërtesës. Çdo ndryshim, shtesë ose ndërhyrje e realizuar nga viti 1938 e deri më sot do të eliminohet. Gjatë procesit të rikonstruksionit të ndërtesës, elementët e ndryshëm arkitekturorë (dyer, dritare, rifinitura të ndryshme) do të rifreskohen, me restaurime ose edhe me zëvendësime, të cilat do t’i përkasin të njëjtin material, formë, teknologji, etj..

Respektimi i vlerave arkitektonike që paraqet kjo ndërtesë ka qenë kërkesa kryesore e Bankës së Shqipërisë ndaj projektit fitues. Për rrjedhojë, elementët artistikë, si basorelievet dhe mozaikët, do të restaurohen nën mbikëqyrjen e specialistëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë dhe të specialistëve italianë. Metodikat, mënyrat e restaurimit dhe teknologjitë që do të përdoren janë parashikuar në projektin përkatës, për çdo element në veçanti.

Në projektin e ri, parashikohet që në përputhje me filozofinë e Bankës së Shqipërisë, përveç plotësimit të kërkesave administrative të plotësohet edhe kërkesa për marrëdhënie më të plota dhe transparente me publikun. Në këtë kuadër, është parashikuar që në këtë ndërtesë, Banka e Shqipërisë do të ketë muzeun e numizmatikës dhe të historisë së aktivitetit financiar dhe bankar të Shqipërisë. Në këtë mënyrë, koleksioni i pasur i monedhave dhe kartëmonedhave të emetuara që nga antikiteti e deri më tani do të jetë i hapur për publikun.

Zhvillimet e vrullshme sasiore dhe cilësore që kanë shoqëruar aktivitetin e Bankës së Shqipërisë kanë bërë që kërkesat për hapsira ndërtimore për të ushtruar aktivitetin e saj ditor të rriten në vazhdimësi. Ushtrimi i shumë prej funksioneve unike të përfaqësimit, kërkesat funksionale gjithnjë e në rritje, angazhimet e shumta të Bankës së Shqipërisë në aktivitetet ndërkombëtare,  kërkesat e domosdoshme ne teknollogjike e informacionit, dhe një sërë arsyesh të tjera diktonin nevojën për ambiente të tjera shtesë. Në këto kushte, blerja e godinës së ish - Hotel  Dajtit, përbën një nga lëvizjet strategjike të Bankës së Shqipërisë, për një zgjidhje afat gjatë të dhe dinjitoze, në sigurimin e ambienteve të reja, të cilat do plotësojnë më tej infrastrukturën që ofron godina qendrore. Kjo është një lëvizje që do të ndikojë në përafrimin e Bankës së Shqipërisë me Bankën Qendrore Evropiane. Pas kësaj blerjeje mund të thuhet se tashmë Banka e Shqipërisë zotëron dy nga godinat me të spikatura të qendrës së Kryeqytetit shqiptar, Tiranës. Është detyra e saj tashmë që brenda një kohe sa më shpejtë t’i kthejë të dy godinave shkëlqimin e dikurshëm duke i bërë ato pjesë të çmuara të trashëgimisë kulturore dhe arkitektonike të Tiranës.

I ndërtuar rreth viteve ’30, nga Gherardo Bosio, një arkitekt fiorentinas  i shkollës së “racionalizmit“ të shekullit XX, dhe i dizenjuar në detaje nga Gio Ponti, i konsideruar si babai i dizajnit modern evropian, ai ndahet në një distancë shumë të shkurtër  me godinën qendrore të Bankës së Shqipërisë. Me sipërfaqen e tij të madhe dhe vendndodhjen fizike, godina plotëson kërkesat e Bankës së Shqipërisë për zgjerimin e strukturës si dhe do ti vijë më së miri në ndihmë angazhimit të saj  për të qenë transparente, e hapur dhe sa më afër publikut.

Nga këndvështrimi historik, hotel “Dajti“ për qytetarët e Tiranës ka qenë një nga veprat më të spikatura dhe njëkohesisht më të lakmuara. Eleganca, pajimet dhe mobilimet e hotelit ishin të një niveli të veçantë, në përputhje me rangun e tij. Ndërsa, në planin rajonal, kjo ndërtesë është vlerësuar për shumë kohë si hoteli më modern i Ballkanit.

Banka e Shqipërisë, në kuadrin e restaurimit të ndërtesës, ka hartuar planet për funksionimin e ndërtesës në shërbim të veprimtarisë së saj. Pavarësisht shkatërrimit që ka pësuar gjatë këtyre viteve, këto projekte parashikojnë rikthimin e ndërtesës në të gjithë aspektet e saj në gjendjen fillestare,  ringjalljen e këtij objekti dhe kthimin e shkëlqimit të dikurshëm.

Vlen të theksohet se restaurimi do të kryhet në përputhje me idetë fillestare të arkitektit Bosio, por natyrisht në kushtet e shekullit të ri, pa harruar edhe ambientin e gjelbëruar përreth tij.

Kjo godinë me bibliotekën shumë të pasur të saj do të jetë një dritare e kontaktit të drejtpërdrejtë me publikun veçanërisht më kërkuesit, akademikët, studentët dhe median.

Në vend të mbylljes


Banka e Shqipërisë është një bankë qendrore moderne, me një sërë funksionesh të cilat të përmbushura në kohë dhe me cilësi ndikojnë në mirëqënien e gjithë shqiptarëve.  Ashtu si çdo inidivid, edhe ajo mbart brenda vetes aspiratën për të qenë në lartësinë e “shoqeve” të saj, e cila mund të përmbushet vetëm me një standard të lartë infrastrukture dhe teknologjie.  Komoditeti funksional nuk është vetëm një dëshirë për tju ardhur në shërbim punonjësve të saj, por një domosdoshmëri e kohës, e cila me kalimin e viteve do të përkthet në rritje të mëtejshme të profesionalizmit dhe besueshmërisë së Bankës së Shqipërisë.

Me përfundimin e investimeve në këto dy objekte, Banka e Shqipërisë shpreh bindjen se modeli i saj institucional do të përafrohet akoma më shumë më atë të sistemit të bankave qendrore të Evropës. Nga ana tjetër do të jetë një kontribut i jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe evidentimin e trashëgimisë kulturore të qytetit të Tiranës si dhe në nxitjen cilësore të aktivitetit edukativo-shkencor të vendit në fushën e bankingut qendror e financave.