BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje përgjigjet e konferencës për shtyp 3 tetor 2018

Data e publikimit: 03.10.2018

 

Pyetje: Tashmë jemi të njohur me eurobondin, por na intereson të dimë implikimet reale të tij. Si do të ndikojë emetimi i tij në klimën e biznesit në kushtet kur nuk kemi investime të reja të huaja direkte? Cili është mendimi i bankës qendrore?

Guvernatori: U informuam mbi emetimin e eurobondit për qeverinë shqiptare. Emetimi i tij është një sukses si nga vlera – u ofruan mbi 1 miliard euro pavarësisht se nevoja e qeverisë ishte 500 milionë euro-, ashtu edhe nga norma e interesit prej 3.5% dhe afati. Të gjitha këto janë tregues për emetimin me sukses të eurobondit.

Emetimi i eurobondit është një tregues i vlerësimit të ekonomisë shqiptare nga tregjet e huaja ndërkombëtare. Përveç vlerësimeve që kemi patur nga institucionet ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Komisioni Evropian, etj., tashmë kemi dhe tregues të saktë të vlerësimit të ekonomisë shqiptare, vlerësimin e tregut ndërkombëtar i cili e çmoi eurobondin me një normë të mirë interesi për tregjet aktuale. Duhet të kuptojmë që norma e interesit ndryshon nga ditë në ditë në tregje, por ky çmim është pasojë e dy faktorëve. Faktori i parë është norma e ulët e interesit në tregjet ndërkombëtare. Faktori i dytë është vlerësimi pozitiv i ecurisë së ekonomisë, në kushtet kur për eurobondin u kërkua dyfishi i shumës së ofruar.

Emetimi i eurobondit ka disa elemente pozitivë. Në radhë të parë, liron likuiditetin në treg, duke i dhënë mundësinë sistemit bankar të priret drejt kreditimit. Pra orienton likuiditetin e bankave drejt kreditimit, duke qenë se ato nuk kanë nevojë të investojnë në eurobond. Gjithashtu është një sinjal pozitiv për investitorët e huaj pasi është një tregues i vlerësimit të ekonomisë shqiptare.

Ne e vlerësojmë një transaksion të suksesshëm. E rëndësishme është të theksohet se, nga kontaktet që ne kemi me Ministrinë e Financave dhe nga shikimi i pasqyrave financiare të buxhetit të shtetit, eurobondi nuk do të ndikojë në rritjen e borxhit të Shqipërisë. Një pjesë e tij është llogaritur për shlyerjen e borxhit të vjetër dhe pjesa tjetër do të menaxhohet e përdoret gjithmonë në kontekstin e një konsolidimi fiskal. Pra, eurobondi nuk do të ndikojë në rritjen e borxhit të ekonomisë, në afatmesëm dhe afatgjatë. Ne kemi një ligj organik i cili na detyron të ecim drejt konsolidimit fiskal dhe të vazhdojmë uljen e nivelit të borxhit; ne do ta vazhdojmë ta mbajmë të ulur nivelin e borxhit.

Në përfundim, eurobondi është një vlerësim dhe tregues pozitiv i vlerësimit të tregjeve ndërkombëtare për ekonominë shqiptare.

Pyetje: Lidhur me shitblerjen e bankave tregtare, largimi i bankave me origjinë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe futja e bankave që nuk kanë origjinë nga Bashkimi Evropian a është tregues për një klimë të mirë biznesi në vend?

Guvernatori: Ky është një fenomen që po ndodh në gjithë rajonin, nuk po ndodh vetëm në Shqipëri. Pas krizës, shumë nga bankat evropiane, kryesisht ato që operojnë në Eurozonë dhe që kanë filialet e tyre në vendet e lindjes, si pasojë e kushteve shtrënguese të Bankës Qendrore Evropiane, kanë qenë të detyruara ose të injektojnë kapital, pra të rrisin kapitalin, ose të vazhdojnë me procesin e zvogëlimit, pra të mbylljes të disa degëve ose filialeve të tyre në disa shtete. Natyrisht që, injektimi i kapitalit ka qenë më i vështirë. Në mungesë të injektimit ose të gjetjes të kapitalit për të shtuar normën e mjaftueshmërisë së kapitalit, këto banka janë detyruar të tërhiqen nga rajoni.

Ne e kemi analizuar këtë situatë prej vitesh, prandaj nuk është e papritur, këtë ne e dinim. Si rregullator të sistemit financiar, ne kemi synuar që ky proces të shoqërohej me konsolidimin e sistemit bankar dhe në njëfarë mënyre ka dhënë rezultat pozitiv, pasi sot kemi dy banka të përthithura nga banka ekzistuese. Pra, në total ne sot kemi 14 banka, kundrejt 16 bankave që kishim më parë. Ky është një tregues pozitiv për  sistemin tonë bankar e financiar.

Nga ana tjetër, jemi treguar të kujdesshëm dhe po monitorojmë zhvillimet dhe për ato banka që janë në procesin e tërheqjes. Por dua të theksoj që ne, si rregullator dhe bankë qendrore, nuk ndërhyjmë në procesin e shitblerjes së aksioneve të bankave. Ai është një proces i lirë ku vetë bankat zgjedhin procesin e tyre të tenderimit për të gjetur blerësin më të mirë. Ajo që unë garantoj në emër të Bankës së Shqipërisë është që në momentin e aplikimit dhe të paraqitjes së kërkesës në Bankën e Shqipërisë për ndryshimin e aksionerëve, ne do të respektojmë strikt kërkesat ligjore të rregulloreve tona, sikurse kemi bërë gjithmonë në drejtim të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit financiar. E theksoj edhe një herë që, në këtë kontekst, çdo gjë është e monitoruar dhe e kontrolluar; nuk kemi asnjë surprizë.

Sistemi bankar mbetet i mirëkapitalizuar, norma e mjaftueshmërisë së kapitalit është rritur edhe më tej si pasojë e nivelit të lartë të përfitueshmërisë së bankave. Norma e mjaftueshmërisë së kapitalit ka arritur në nivelin e 18% dhe bankat janë me tepricë likuiditeti, të cilën ne synojmë që ta përkthejnë në kredi të shëndetshme për ekonominë, pasi sikurse e përmenda dhe vetë emetimi i eurobondit i ka krijuar qeverisë likuiditete të tepërta për nevojat e saj. Likuiditeti i sistemit bankar duhet të jetë i orientuar drejt kreditimit të shëndetshëm të ekonomisë, qoftë për individët, qoftë për bizneset.

Në përfundim, theksoj se ne po monitorojmë procesin dhe ju garantoj edhe njëherë që do të respektojmë strikt kërkesat e ligjit dhe të rregulloreve tona në aprovimin e çdo aksioneri të ri që do të hyjë në sistemin bankar shqiptar.