BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje përgjigjet e konferencës për shtyp 4 korrik 2018

Data e publikimit: 04.07.2018

 

Pyetje: Ju thatë se ndërhyrja në treg do të vazhdojë? Sa euro do të blihet në treg?

Guvernatori: Nuk e dimë dhe nuk mund ta dimë se sa euro do të blejmë në treg. Qëllimi i ndërhyrjes është të arrijmë objektivin tonë kryesor, ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, pra nivelin e inflacionit. Sipas analizave që kemi bërë, kemi përcaktuar ndikimin që ka mbiçmimi i kursit të këmbimit në arritjen e objektivit të nivelit të inflacionit. Kur vlerësuam që ai nivel kursi do të ndikonte negativisht në afatin e shkurtër dhe të mesëm të inflacionit të pritur – mund të na çonte dhe në një inflacion në nivelin 0, Këshilli Mbikëqyrës mori vendimin për të filluar një program të ndërhyrjeve në tregun e brendshëm valutor, për të tërhequr tepricën e valutës për efekt të inflacionit.

Ne nuk mund ta parashikojmë kursin e këmbimit dhe nuk mund ta përcaktojmë dot atë. Duke qenë se nuk përcaktojmë dot kursin, nuk përcaktojmë dot as masën e ndërhyrjeve tona. Banka e Shqipërisë ka filluar aplikimin e programit të ndërhyrjeve duke blerë valutë në treg. Ky program ka patur efekt pozitiv; nëpërmjet tij ne kemi frenuar mbiçmimin e monedhës vendase, që u vlerësua negativ për arsyet që përmenda më lart. Mbi baza të rregullta ne analizojmë situatën në mbledhjet e Këshillit Mbikëqyrës për të gjykuar se sa do të vazhdojë ky program dhe ndikimi që do të ketë, i cili do të duket në të ardhmen. Ne nuk mund të parashikojmë në mënyrë absolute sa do të shpenzojmë dhe sa do të vazhdojë programi i ndërhyrjeve sepse kjo varet nga ecuria e kursit të këmbimit në të ardhmen.

Pyetje: Z. Guvernator në vazhdimësi të pyetjes së koleges, sa euro keni blerë gjatë muajit qershor? Dhe në daljen tuaj tëë fundit, ju u shprehët se kemi më shumë euro se sa lekë në treg, qoftë nga ato formalet por edhe pas vendimit që janë mbyllur 40 pika të këmbimit valutor, sa ka ndikuar kjo masë e juaja?

Guvernatori: Po e filloj nga fundi i pyetjes përgjigjen. Unë mund të jap përgjigje dhe mund të jap një shifër lidhur me eurot që janë në sistemin bankar i cili është i licencuar dhe i rregulluar nga Banka e Shqipërisë. Shifrën absolute nuk e mbaj mend, por është mbi 4 miliardë euro, mund të jetë 4.3 miliardë euro. Por, tregu përfshin tregun formal dhe atë informal dhe ne nuk kemi të dhëna mbi eurot e tregut informal. Ne kemi të dhëna mbi sasinë e parasë në qarkullim në lekë. Leku është paraja që ne prodhojmë si bankë qendrore dhe prandaj ne monitorojmë qarkullimin e parasë kombëtare. Por nuk e dimë sa euro janë në qarkullim në treg. Për sistemin bankar mund ta themi sasinë e euros dhe unë e thashë një shifër.

Në përputhje me rregulloren e Bankës së Shqipërisë ne raportojmë për programin e ndërhyrjeve dhe sasinë e tyre tre muaj pas përfundimit të çdo tremujori. Tani ne raportuam shifrën e blerjeve të valutës gjatë tremujorit të parë të këtij viti.

Aktualisht ne po zbatojmë një program ndërhyrjesh për efekt të ndikimit të mbiçmimit të kursit të këmbimit në inflacion, por sigurisht që dhe para kësaj ne kemi blerë valutë në treg për efekt të rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë. Këto transaksione mund të kenë të njëjtin ndikim pasi ne e blejmë me lekë euron, por qëllimet kanë qenë të ndryshme. Në fund të tremujorit përkatës, ne për transparencë do të raportojmë sasinë e blerjeve në përputhje me rregulloren. Për momentin, nuk kam një shifër të saktë, por e rëndësishme është që programi i ndërhyrjeve ka dhënë efekt në frenimin e mbiçmimit të kursit të këmbimit.