BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje përgjigjet e konferencës për shtyp 4 nëntor 2020

Data e publikimit: 05.11.2020

 

 

Pyetje: Cili është qëndrimi i Bankës së Shqipërisë, për mundësinë e një pakete tjetër për pandeminë, që synon shtyrjen e kësteve të kredive përsëri? Do ishte e mirëpritur nga bankat?

Zëvendësguvernatorja: Me moratoriumin që u vendos për shtyrjen e pagesës së kësteve të kredive, Banka e Shqipërisë kishte synim të lehtësonte pagesat e kredimarrësve të cilët përkohësisht ishin në një pozitë të vështirë për të paguar. Aftësia e tyre për pagesë ishte e cënuar. Nga ana tjetër, duke ditur që ky problem është sistematik dhe mund të vazhdojë për një kohë të gjatë, Banka e Shqipërisë është përpjekur që të ndihmojë bankat e nivelit të dytë me likuiditet në mënyrë që ato të jenë të gatshme të akomodojnë të gjitha rregullat e vendosura për shtyrjen apo për ristrukturimin e kredive. Në kushtet aktuale, ne gjykojmë që moratoriumi ishte një instrument afatshkurtër që faktikisht i ka realizuar objektivat e veta. Banka e Shqipërisë është duke vërejtur me shumë kujdes sjelljen epidemiologjike të pandemisë dhe pasojave të saj, kështu që në një rast të përkeqësimit të tyre natyrisht që do të mbetet e hapur të diskutojë çdo kërkesë të arsyeshme dhe objektive, gjithmonë në bashkëpunim të ngushtë dhe intensive me Shoqatën e Bankave.

Pyetje: Bizneset në përgjithësi por ato të vogla në veçanti kanë pasur rezerva për përfitimin e kredisë sovrane, për shkak të kërkesave të larta të bankave ndaj tyre të përqendruar kryesisht tek kolaterali në një kohë që janë në vështirësi. Cili është komenti i Bankës qendrore për këto shqetësime?

Zëvendësguvernatorja: Garancia sovrane është në fakt një instrument financiar i elaboruar nga qeveria në bashkepunim të ngushtë me bankat dhe Shoqatën e Bankave. Secila nga këto palë në këtë marrëveshje ka objektivat e veta për të realizuar dhe ne besojmë se këto objektiva janë në favor të rritjes së mirëqenies dhe stabilitetit makrofinanciar dhe të orientuara drejt zgjidhjes së problemit. Megjithatë, në kushtet e pandemisë garancia sovrane duhet të shërbejë si për përmbushjen e objektivit të qeverisë, minimizimi sa më i madh i pasojave të pandemisë në ekonomi, por edhe plotesimin e kërkesave dhe kushteve që kanë bankat për sa i takon kritereve të tyre të riskut. Pra, është një marrëdhënie e vendosur dhe e institucionalizuar midis këtyre dy institucioneve me kushtin që të dyja këto institucione, në bashkëpunim, të ndihmojnë për të shmangur sa më shumë të jetë e mundur pasojat e pandemisë.

Pyetje: A i mbështesni bankat në shtrëngimin e kushteve të kreditimit për biznese që kërkojnë të bëjnë investime?

Zëvendësguvernatorja: Roli i Bankës së Shqipërisë është i përcaktuar si garantues i stabilitetit të sistemit financiar dhe në këtë funksion Banka e Shqipërisë përdor instrumentat e saj të mbikëqyrjes për të siguruar stabilitetin dhe mirëfunksioninim e sistemit financiar, e veçanërisht atij bankar. Por nga ana tjetër, bankat janë subjekte të pavarura të cilat kanë një plan të tyre, kanë një pavarësi operacionale, dhe vendosin në në mënyrë autonome për kushtet e tyre të kreditimit. Objektivat e bankave ndërtohen nga pritshëmëritë që ato kanë në një mjedis të caktuar ekonomik dhe financiar, për të bërë ofertën më të mirë dhe të kreditojnë në mënyrën më të lehtë të mundshme. Kështu që, Banka e Shqipërisë në këtë qasje ka një rol ndërmjetësues dhe lehtësues për një sistem financiar dhe bankar të qëndrueshëm dhe funksional.

Pyetje: Ju jeni shprehur se Banka e Shqipërisë do të marrë masa jo-konvencionale nëse do të ishte e nevojshme për kapërcimin e pandemisë. Nëse do të ishin të nevojshme këto hapa, cila do të jetë masa e parë që do të shfrytëzonit?

Zëvendësguvernatorja: Banka e Shqipërisë e ka theksuar në vazhdimësi se përkeqësimi i mëtejshëm dhe i papritur i situatës natyrisht do të kërkonte rishikim në kahun lehtësues të politikës monetare dhe asaj fiskale, dmth të politikave ekonomike. Në rastin tonë, ne kemi përgatitur një plan kontigjence i cili do të aktivizohet në rast të përkeqësimit të situatës, por dhe në varësi të formës së goditjes që do të japë pandemia në ekonomi. Të gjitha këto plane kontigjence janë të koordinuara dhe të konsultuara me partnerët tanë ndërkombëtarë sic është FMN.

E kemi theksuar se operacionet e lehtësimit sasior, janë të mirëpritura dhe do të ndihmonin në shtimin e likuiditetit dhe stabilizimin e normave të interesit. Kur të jenë të nevojshme, këto masa jokonvencionale do të përdoren.

Pyetje: Qeveria vitin që vjen ka parashikuar të marrin borxh në tregun e brendshëm në vlerën e 49.9 miliardë lekëve. A mund të realizohet kjo hua në tregun financiar në vend, dhe a do e cenonte likuiditetin e bankave?

Zëvendësguvernatorja: Në fakt, tregu i brendshëm financiar ka akomoduar gjatë vitit 2020 një kërkesë të ngjashme me shumën që përmendet në pyetje. Nëse shikojmë bilancet e sektorit bankar mendoj se janë të afta për të akomoduar një shumë të tillë. Sidoqofte, ne si bankë qendrore rekomandojmë që kujdes duhet të tregohet në shpërndarjen në kohë të këtij financimi dhe në monitorimin sa më të drejtë të përdorimit të tij në ekonomi.

Pyetje: Sa rrezikon ecurinë ekonomike një mbyllje e dyte për shkak te pandemisë?

Zëvendësguvernatorja: Faktikisht, nga zhvillimet e fundit epidemiologjike të virusit në shoqëri, një mbyllje e dytë e ekonomisë do të ndodhte vetëm në qoftë se do të kishte një nevojë urgjente për të kontrolluar përhapjen e pandemisë dhe për të mbrojtur sistemin tonë shëndetësor nga një mbingarkesë. Kështu që, natyrisht, në rast se do të ndodhte, padyshim pasojat në ekonomi janë negative, ritmi i rritjes dhe treguesit e punësimit, gjendja financiare, të gjitha do të përkeqësoheshin. Megjithatë, pa ndodhur ne nuk mund të themi sa do të ishte forca e kësaj goditjeje negative, por është e sigurt që fuqia e kësaj goditjeje negative mbi ekonominë do të varej nga kohëzgjatja, modalitetet teknike të mbylljes por edhe nga politikat ekonomike që do të shoqëronin këtë vendim për të bërë një lockdown të dytë apo një mbyllje të pjesshme të ekonomisë.

Pyetje: Si ka ecur shpërndarja e garancisë sovrane 1 dhe 2? Sa ka qene disbursimi deri tani dhe sa subjekte kane aplikuar?

Zëvendësguvernatorja: Mund të themi që garancitë sovrane, si garancia sovrane 1 dhe ajo 2 kanë qenë të suksesshme dhe janë përdorur nga bizneset. Sipas të dhënave të marra nga Shoqata e Bankave, janë rreth 560 biznese që kanë përfituar nga lëvrimi i fondeve për financimin e pagave nëpërmjet garancisë sovrane 1 në vlerë rreth 52 milionë euro. Ndërsa, përsa i përket garancisë sovrane 2, rezulton se kanë aplikuar 200 kredimarrës dhe kanë përfituar një vlerë totale rreth 51 milionë euro.