BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje përgjigjet e konferencës për shtyp 7 gusht 2019

Data e publikimit: 07.08.2019

 

Pyetje: Z. Guvernator, ditët e fundit një pjesë e mirë e klientëve të një prej bankave kryesore në vend, që është një ndër më të mëdhatë, janë të shqetësuar pasi banka në fjalë ka vendosur që të rrisë vlerën e komisioneve që paguajnë për veprimet në cash në arkë. A është në dijeni Banka e Shqipërisë dhe a mund të ndërhyjë institucioni juaj, në një rast të tillë ku qytetarët thonë që këto komisione janë të padrejta dhe të shtrenjta për xhepat e tyre?

Guvernatori: Ne jemi në një treg të lirë, ku bankat në qoftë se respektojnë kriteret e transparencës dhe kushtet e kontratës, mund t’i rrisin komisionet e tyre. Rritja e komisioneve përbën një element që prek konkurrencën, pasi ajo bankë që rrit çmimet bëhet më pak konkurruese se një bankë tjetër.

Banka e Shqipërisë si një institucion rregullator nuk ndërhyn direkt në përcaktimin  e çmimeve të bankave të nivelit të dytë. Sigurisht, ne jemi shumë sensitiv në këtë drejtim sepse kemi disa objektiva parësorë siç janë: lufta kundër informalitetit, rritja e përfshirjes financiare të popullatës dhe rritja e edukimit financiar. Për këtë ne kemi ndërmarrë shumë masa dhe iniciativa.

Ne monitorojmë dhe mbikëqyrim nëse bankat respektojnë kushtet e transparencës. Në rastin konkret, ne kemi ndërmarrë një inspektim konkret, për të parë nëse janë respektuar rregullat dhe kushtet që banka duhet të ndjekë në ndryshimin e komisioneve, në përputhje me kërkesat e rregullores së transparencës së Bankës së Shqipërisë.

Për modernizimin e sistemeve të pagesave ne kemi marrë iniciativa konkrete, kemi përgatitur projekt-ligjin për shërbimet e pagesave, i cili jo vetëm do të sigurojë modernizimin e pagesave në territorin e Republikës së Shqipërisë, por dhe do të ndikojë në uljen e kostove për agjentët privatë ekonomikë dhe individët. Ky projektligj ka përfunduar dhe është  gati për të kaluar në parlament. Përveç tij, është dhe një projekt-ligj tjetër në përgatitje e sipër, ligji për llogarinë e pagesave. Edhe ky projekt tenton të rrisë përfshirjen financiare të popullatës dhe do të ketë efekte në reduktimin e kostove.

Veç këtyre dy projekt-ligjeve, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë 3 iniciativa konkrete për të modernizuar sistemet e pagesave në Republikën e Shqipërisë me efekt uljen e kostove për agjentët ekonomikë dhe individët.

Këto janë: implementimi i sistemit të shyerjes së pagesave të brendshme në Euro (settlement) i cili jo vetëm do të përshpejtojë kohën e kryerjes së pagesave në Euro, por do të ulë dhe kostot; implementimi i një “switch”-i kombëtar, një platformë kombëtare e cila do të bëjë një procesim më të shpejtë dhe më modern nëpërmjet pagesave me kartë dhe pagesave mobile (me celular) dhe kjo do të ketë efekte në uljen e kostove; si dhe një platformë kombëtare në procesimin e pagesave në kohë reale që do të shmangë proceduarat e procesimit ndërkombëtar për pagesat me kartë. Të tre këto iniciativa janë konkrete dhe pas implementimit do të kenë efekt në uljen e kostove.

Pra ndjejmë shqetësim, jo vetëm për efekt çmimi që ndikon te konsumatori, por më shumë në drejtim të rritjes së përfshirjes financiare të popullatës dhe formalizmit të mëtejshëm të ekonomisë, sikurse dhe për një banking më të mirë. Sa më e përfshirë të jetë popullata në marrëdhënie me bankat aq më shumë lehtësira krijohen dhe për më tepër zbutet dhe pabarazia ekonomike.

Këto janë ato që mund të bëjë një bankë qendrore. Në rastin konkret, është për tu parë nëse janë respektuar kushtet e kontratës dhe kërkesat e rregullores së transparencës. Përndryshe Banka e Shqipërisë nuk ka të drejtë ligjore për të ndërhyrë në çmim.

Pyetje: Cilat janë planet konkrete të Bankës së Shqipërisë për të ndërhyrë për euron, pasi mbiçmimi i lekut vazhdon dhe a ka ndryshuar volumi i eurove nga viti i kaluar në këtë vit?

Guvernatori: Kjo është një pyetje sensitive që bëhet vazhdimisht dhe ne kthejmë përgjigje sipas situatës. Ne jemi në pikun e sezonit. Kjo do të thotë se zhvlerësimi i euros dhe mbiçmimi i lekut është si rezultat i sezonit turistik që po kalojmë. Ne kemi një regjim të lirë të kursit të këmbimit, ku çmimi përcaktohet sipas kërkesës dhe ofertës në treg. Nënkuptohet që oferta e shtuar vjen nga sezoni turistik.

Banka e Shqipërisë e ka bërë të qartë prej kohësh, që në momentin që miratoi programin e ndërhyrjeve në treg, që do të ndërhynte për të tërhequr tepricën e eurove në treg në rast se do të cenohej objektivi i saj kryesor i inflacionit.  Ne monitorojmë tregun në bazë ditore, madje edhe shumë më shpesh gjatë ditës për të parë sesi luhatet kursi i këmbimit. Sjellja e kursit të këmbimit përveç mbiçmimit të fortë të monedhës kombëtare ka qenë e rregullt dhe normale, nuk kemi çrregullime. Sigurisht që ne do të ndërhynim në rast se do të kishim një cenim të objektivit tonë të inflacionit, por nuk jemi akoma në këto parametra. I vetmi faktor kryesor për këtë mbiçmim është efekti sezonal.

Nuk po i hyjmë analizës që kush fiton dhe kush humbet pasi ka shumë palë. Ata që kanë të ardhura në lekë dhe pagesa në euro fitojnë si dhe ata që kanë të ardhura në euro dhe pagesa në lekë humbasin. Kjo në të gjithë agjentët ekonomikë ashtu edhe tek individët. Regjimi i lirë i kursit të këmbimit i ka këto efekte pra ekspozimi ndaj riskut të kursit të këmbimit do të ekzistojë për sa kohë ne do të kemi një regjim të lirë të kursit të këmbimit dhe ky është regjimi më i mirë që ne kemi të imponuar dhe nga institucione ndërkombëtare si nga FMN ashtu edhe nga Bashkimi Evropian si dhe të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë pasi është amortizues automatik i të gjithë goditjeve që merr ekonomia jonë si nga jashtë ashtu edhe nga brenda.

Vëllimin e eurove  nuk mund ta them me saktësi, por nuk kemi ndonjë të dhënë që ka ndryshuar në krahasim me vitin e kaluar. Nga analizat javore që ne bëjmë me të dhënat formale nuk na rezulton të ketë ndryshuar ky vëllim. Përgjithësisht kursi është një tregues që përcaktohet ose merr formë në tregun formal të sistemit bankar, dhe nga monitorimi që ne bëjmë në sistemin bankar nuk vëmë re ndonjë ndryshim esencial në këtë vëllim. Vëllimi ndryshon me ditë, ulet, ngrihet, por nuk kemi një ndryshim esencial.