BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje përgjigjet e konferencës për shtyp 7 tetor 2020

Data e publikimit: 07.10.2020

 

Pyetje: Sa parashikohet të jetë tkurrja ekonomike për këtë vit duke qenë se skenarët janë negativë qoftë nga Banka Botërore qoftë nga BERZH. Banka Botërore deklaroi -8.4%. Sa është parashikimi i Bankës së Shqipërisë për këtë? Me këto ritme të rritjes ekonomike ose më saktë edhe me të dhënat që kemi kur do të fillojë kurba të ngrihet në ekonomi pavarësisht optimizmit për 2021 por mbi çfarë të dhënash do të vijë kjo rritje ekonomike?

Guvernatori: Banka e Shqipërisë njëlloj si gjithë institucionet e tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, por kryesisht institucione ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, BERZH dhe të tjera, ka parashikuar rënie ekonomike për këtë vit. Një rënie, e cila në një fare mënyre, ka qenë në linjë me pritjet tona për tremujorin e dytë, pasi parashikimi ynë ka qenë pak dhe më i thellë se niveli 10.2%. Gjithsesi, ne jemi në të njëjtën linjë me institucionet ndërkombëtare për parashikimin e rënies ekonomike. Parashikimi i deritanishëm i Bankës së Shqipërisë është në nivelin e -7.6 %, por nuk ka rëndësi shifra e saktë, sepse parashikimet ndryshojnë në mënyrë frekuente, javë pas jave, pasi dhe ekonomia është dinamike dhe kjo është një krizë e paprecedentë.

E rëndësishme është të theksojmë që ne parashikojmë që ekonomia do t’i kthehet ringritjes vitin e ardhshëm, në rast se ne nuk do të kemi një skenar të përkeqësuar të pandemisë ose nuk do të kemi materializim të skenarit të rreziqeve ekstreme që përmenda në deklaratën e politikës monetare. Pra, ne parashikojmë që të kemi një rikthim të rritjes ekonomike në vitin 2021, por dhe në vitet në vazhdim.

Gjithashtu është i rëndësishëm harmonizimi dhe koordinimi i politikave fiskale dhe monetare midis Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë, në linjë me rekomandimet e dakordësuara me institucionet ndërkombëtare, kryesisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar por dhe Bankën Botërore.

Pra ne presim që ekonomia t’i kthehet ringritjes dhe të kalojë në territor pozitiv në vitin 2021. Gjithashtu, presim që gjatë këtyre dy tremujorëve të kemi një përmirësim të situatës ekonomike. Sigurisht që kemi indikacione për këtë, jo vetëm nga shifrat e të dhënave të tërthorta, por edhe nga anketa e zhvilluar nga Banka e Shqipërisë mbi treguesin e besimit të konsumatorit që ka treguar se kemi elementë pozitivë që vërtetojnë kthimin.  

Pyetje: Si do të parashikohet borxhi publik në këto kushte duke qenë se situata në të cilën ndodhemi apo edhe masat e marra deri më tani. Si do të jetë ecuria e borxhit publik?

Guvernatori: E kam theksuar edhe në disa dalje të tjera, por dhe në raportimin që ne kemi bërë në parlament si Bankë e Shqipërisë, që borxhi është një e keqe e domosdoshme. Jo vetëm Shqipëria, por vendet e rajonit dhe më gjerë, në të gjithë botën, të gjitha vendet janë prekur nga kriza dhe si pasojë e pandemisë kanë rritur borxhin e tyre, borxhin e jashtëm por edhe të brendshëm. Parametrat e borxhit janë toleruar për të kapërcyer krizën, si një nga instrumentet bazë për kapërcimin e saj. Megjithatë, vlerësimi i institucioneve të vlerësimit ndërkombëtar, siç janë Standards & Poors, Moody’s,  nuk ka ndryshuar për Shqipërinë, megjithë rritjen e nivelit të borxhit. Kjo do të thotë që rritja e nivelit të borxhit është e pranuar në situatë të jashtëzakonshme krize.

Sigurisht që është një element rreziku i cili duhet adresuar seriozisht në të ardhmen me kapërcimin e rrezikut. Pas kapërcimit të rrezikut ne do të duhet t’i rikthehemi konsolidimit fiskal. Për momentin, për të kapërcyer krizën ne duhet të vazhdojmë me lehtësimin fiskal sikurse me politikën monetare lehtësuese, por në të ardhmen do të duhet të ndryshojmë dhe të kemi një ulje të nivelit të borxhit. Do të mundohemi të ulim borxhin deri në nivelin e deficitit buxhetor. Tani ne jemi në këtë situatë ku duhet të menaxhojmë kapërcimin e krizës dhe më pas, sigurisht në një të ardhme të mesme dhe afatgjatë synimi do të jetë ulja e nivelit të borxhit për të ruajtur balancat makroekonomike.

Pyetje: Duke qenë se Banka e Shqipërisë për këtë vit dhe nga raporti që ju keni publikuar pak ditë më herët nuk është bërë blerje e euros. Kjo ka ndodhur për shkak të themi se mungesa e eurove të futura në ekonomi nga turizmi ishte tejet e vogël këtë vit apo ka arsye të tjera?

Guvernatori: Ne kemi ndryshuar operacionet tona si Bankë Qendrore, pasi dhe sjellja e kursit të këmbimit ka ndryshuar. Banka e Shqipërisë ka blerë euro për dy arsye gjatë periudhave të mëparshme, para krizës: e para për të rritur rezervën si një objektiv operacional i Bankës Qendrore dhe e dyta se mbiçmimi i kursit të këmbimit ndikonte negativisht në nivelin e inflacionit. Situata ka ndryshuar, me fillimin e pandemisë patëm një nënçmim të lekut. Pra nga mbiçmimi i lekut kaluam në nënçmim, kështu që dhe ne kryem operacionin e kundërt. Në fillim, me nënçmimin e lekut u detyruam të shesim euro, një sasi e cila është deklaruar dhe ka qenë në nivelin rreth njëzet -njëzet e një milion euro. Tani kursi i këmbimit është stabilizuar dhe paraqitet mjaft i qëndrueshëm. Në këto kushte, është e panevojshme që Banka e Shqipërisë e shikon të panevojshme të tërheqë euro nga tregu, duke pasur një nivel të lartë rezervë, duke mos pasur ndikimin negativ të kursit të këmbimit në inflacion dhe duke mos pasur një mbiçmim në kursin e këmbimit.