BANKA E SHQIPËRISË

Pyetje – përgjigjet e konferencës për shtyp të datës 28 mars 2018

Data e publikimit: 28.03.2018

 

Pyetje: Ju deklaruat se mbiçmimi i kursit të këmbimit është zbehur. A ka marrë ndonjë masë Banka e Shqipërisë për forcimin e euros dhe çfarë efektesh të tjera pritet të ketë në treg?

Guvernatori: Banka e Shqipërisë ndjek një regjim të lirë të kursit të këmbimit. Në këtë kuadër, kursi përcaktohet nga kërkesa dhe oferta. Politikat e Bankës së Shqipërisë nuk kanë si objektiv arritjen e një niveli të caktuar të kursit të këmbimit, duke qenë se është regjim i lirë.

Në rast se ka luhatje të mëdha të kursit të këmbimit, dhe nëse plotësohen kriteret e përcaktuara prej saj, Banka e Shqipërisë bën ndërhyrje në treg. Në rastin konkret, ne nuk kemi gjykuar se janë përmbushur kriteret e përcaktuara për të ndërhyrë. Kursi është përcaktuar nga faktorët  e kërkesës dhe ofertës.

Javën e kaluar kemi patur një mbiçmim të monedhës tonë lek, i cili ka zgjatur për dy ditë dhe pastaj kursi është rikthyer në tendencat e tij të mëparshme. Operacionet dhe kuotimet e bankave tregtare dhe agjentëve të tjerë që operojnë me kursin e këmbimit janë stabilizuar.

Analizat e Bankës së Shqipërisë për një periudhë më të gjatë kohore, tregojnë se kursi i këmbimit, kryesisht euro-lek, por edhe për monedhat e tjera, është përcaktuar nga faktorë fondamentalë. Ne si Banka e Shqipërisë, krenohemi me qëndrueshmërinë e monedhës tonë kundrejt monedhave të tjera, nëse i referohemi luhatjeve të kursit të këmbimit. Monedha jonë ka një stabilitet të konsiderueshëm, krahasuar me monedhat e vendeve të rajonit, por edhe më gjerë.

Për momentin, duhet thënë se kursi është ristabilizuar pas luhatjeve të tregut të javës së kaluar. Nuk parashikojmë që të ketë luhatje të tjera, por e theksoj dhe njëherë se kursi përcaktohet nga kërkesa dhe oferta të tregut. Ne nuk kemi objektiv të ndërhyjmë në kursin e këmbimit.