BANKA E SHQIPËRISË

Pyetje – përgjigjet e konferencës për shtyp të datës 2 maj 2018

Data e publikimit: 02.05.2018

 

Pyetje: Dje ka patur një letër publike të hapur nga Shoqata e Eksportueseve ku kërkojnë ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë për sa i përket deuroizimit të ekonomisë. Cili është qëndrimi juaj, duke qenë se ata u shprehën se do të ketë para të munguara në qarkullim?

Guvernatori: Unë i ftoj eksportuesit të vijnë dhe të bashkëbisedojmë në Bankën e Shqipërisë për t’i sqaruar më qartë mbi efektet që ka strategjia jonë dhe rolin e Bankës së Shqipërisë. Ne e kemi marrë letrën dhe bashkohemi me shqetësimin e eksportuesve. Por, dua të bëj të qartë se Banka e Shqipërisë, si institucion që ka objektiv ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, shikon fenomenin makro dhe ndikimin e kursit të këmbimit në nivel ekonomie.

Është përmendur shumë herë në media që një nga faktorët që ka ndikuar në mbiçmimin e kursit të këmbimit ka qenë dhe efekti psikologjik i masave të marra nga strategjia e stimulimit të përdorimit të monedhës kombëtare që ne kemi lancuar. Faktikisht, kjo strategji ka masa që lidhen me rezervën e detyrueshme dhe aplikohen vetëm në tregun bankar. Nga të dhënat që ne kemi deri tani, niveli i depozitave në valutë, dhe kryesisht në euro, nuk ka ndryshuar, por përkundrazi është rritur. Nëse ka një rënie të këtyre depozitave, kjo vjen pikërisht nga mbiçmimi i kursit të këmbimit, pasi të shprehura në lekë tregojnë rënie, por de facto në vlerë absolute të shprehura në monedhë origjinale kanë treguar rritje. Pra, nuk kemi as rënie të depozitave në valutë dhe as rënie të normave të interesit.

Ne kemi parashikuar që strategjia e deuroizimit dhe stimulimit të përdorimit të monedhës kombëtare të ketë një efekt neutral në sistemin bankar dhe sistemin financiar. Kjo pasi masat që aplikohen mbi rezervën e detyrueshme në valutë kompensohen nga ato në lekë dhe anasjelltas. Ne presim një ulje të pozicioneve në monedhë të huaj në raport me monedhën kombëtare në një afat 3-5 vjeçar. Përveç faktit që masat nuk kanë hyrë ende në fuqi.

Në rast se kemi një efekt psikologjik, që nuk është i pamundur, ky vjen nga tregu. Vjen nga një zhurmë, mbireagim, keqkuptim ose ndoshta dhe keqreagim nga perceptimi i tregut. Por kemi dhe shumë faktorë të tjerë që lidhen me tregun real, kemi flukse të larta hyrëse, faktorë fondamentalë. Unë e përmenda dhe gjatë deklaratës, mbiçmimi i kursit të këmbimit ka filluar që në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015. Në rast se kemi një mbiçmim të kursit të këmbimit nga faktorë fondamentalë, kjo tregon që kursi po shkon drejt një ekuilibri të ri dhe  se nuk ka asnjë problem për ekonominë, pasi tregon rritje të fuqisë blerëse të ekonomisë. Por, në rast se kemi një mbiçmim më të lartë sesa ndikimi i faktorëve fondamentalë, si pasojë e faktorëve të ndryshëm, atëherë kjo ndikon negativisht dhe në nivelin e inflacionit.

Duke pasur objektiv kryesor stabilitetin e çmimeve, ne monitorojmë me kujdes tregun dhe do të reagonim në rast të tillë, në përputhje me regjimin tonë të politikës monetare. Dhe pikërisht këtë po bëjmë, po monitorojmë kursin e këmbimit në mënyrë ditore, në bazë të parametrave dhe kritereve, duke përcaktuar dhe strategjinë tonë të reagimit sipas instrumenteve konvencionalë të politikës monetare.

Unë i bëj thirrje gjithë agjentëve ekonomikë që të mos bëjnë veprime të nxituara paragjykuese mbi nivelin e kursit, pra të mos bëjnë konvertime të nxitura nga luhatjet e kursit të këmbimit, pasi mund të pësojnë humbje në të ardhmen. Çdo ndikim psikologjik ose nga faktorë të ndryshëm në kursin e këmbimit, i cili është jashtë faktorëve fondamentalë, është gjithmonë i përkohshëm. Dhe në rast se është i përkohshëm kjo do të thotë që ata agjentë ekonomikë do të bënin veprime të nxituara dhe do të kishin humbje. Ky është postulat dhe ka ndodhur. Por sigurisht, askush nuk e parashikon dot sesi do të shkojë; se ndryshe do të ishim profetë po të parashikonim nivelin e kursit të këmbimit dhe kështu reagimet do të ishin të sakta, edhe për agjentët ekonomikë.

Një gjë është e sigurtë që ne kemi flukse të larta hyrëse të euros në ekonomi. Por dhe forcimi ose mbiçmimi i kursit të këmbimit përtej parametrave mund të jetë dhe si pasojë e faktorëve spekulativë në treg. Prandaj dhe njëherë, i bëj thirrje agjentëve ekonomikë për të reaguar me zgjuarsi dhe për të marrë masa në vazhdimësi, jo vetëm në një situatë mbiçmimi ose nënçmimi, për të ulur rrezikun e kursit të këmbimit në kontratat e tyre, sikurse ndodh në të gjithë botën.

Për t’u rikthyer dhe një herë tek ajo që përmendët, unë i ftoj eksportuesit dhe ne do të mbajmë kontakte me ta për t’u shpjeguar në detaje strategjinë tonë për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare dhe për t’i sqaruar që kjo strategji nuk ka objektiv ndikimin e kursit të këmbimit. Ne kemi si objektiv stabilitetin e çmimeve dhe një mbiçmim i tepërt i kursit do të ndikonte objektivin tonë. Ne do t’i elaborojmë gjithë elementët e strategjisë tonë në mënyrë që të jemi të qartë dhe të koordinuar jo vetëm me eksportuesit, por dhe me të gjithë grupet e tjera të interesit të cilët janë sensitivë për këtë çështje.

 

Pyetje: Ju folët për flukset hyrëse, cilat janë burimet e këtyre flukseve hyrëse?

Guvernatori: Ne i kemi përmendur vazhdimisht burimet e flukseve hyrëse. Ato janë investimet e huaja, remitancat, dhe sidomos periudha e verës sjell të hyra nga vizitorët dhe turizmi. Kemi dhe përmirësim të bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë. Është vënë re që është rritur ndjeshëm niveli i eksporteve gjatë periudhës së fundit, gjë që tregon dhe rritje të konkurrueshmërisë. Një nga faktorët që ka ndikuar kursin e këmbimit është pikërisht niveli i lartë i eksporteve. Eksportet shqiptare kanë pasur një rritje shumë pozitive, por nga ana tjetër kemi deficit të llogarisë korrente, bilanci i eksport-importeve është negativ, pra kemi më shumë importe sesa eksporte. Në rastin konkret, për çdo një lek të mbiçmimit të kursit të këmbimit ka më shumë përfitues sesa humbës.

Por, nuk është kjo strategjia dhe qëllimi i Bankës së Shqipërisë. Në nivel makro, e thashë që mbiçmimi i kursit të këmbimit tregon rritje të fuqisë blerëse, për sa kohë që përcaktohet nga faktorë fondamentalë. Objektivi ynë është të kemi një stabilitet çmimesh dhe të arrijmë objektivin prej 3% të inflacionit. Do të bashkëpunojmë me gjithë grupet e interesit për të qenë sa më transparentë dhe të koordinuar për shpjegimin e strategjisë të Bankës së Shqipërisë në përputhje me objektivat e saj ligjorë që mos të kemi keqkuptime apo keqperceptime, siç ndodh shpeshherë, pasi janë fenomene makroekonomike specifike dhe të vështira për t’u kuptuar. Ne do të vazhdojmë të kemi një komunikim sa më transparent dhe më të elaboruar për t'u mirëkuptuar, për t’i sqaruar dhe orientuar tregjet në drejtimin e duhur. Por, natyrisht kursi është pasojë e kërkesë – ofertës, duke qenë se kemi një regjim të lirë të kursit të këmbimit valutor.