BANKA E SHQIPËRISË

Harmonizimi i politikës monetare me atë fiskale dhe programi monetar për vitin 2004
Raport i Guvernatorit në Komisionin e Ekonomisë, të Financave dhe të Privatizimit.

Data e publikimit: 16.12.2003

 

Në përputhje me kuadrin e saj të hartimit dhe zbatimit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë ndërton cdo vit programin monetar, i cili është një plan financiar që synon disiplinimin e qarkullimit të fondeve në ekonomi, në përputhje me objektivat e zhvillimit të vendit. Synimi kryesor është përmbushja e nevojave të ekonomisë për mjete monetare, pa ndikuar në prishjen e ekuilibrit të kërkesës dhe ofertës për mjete monetare, duke prodhuar inflacion ose duke kontraktuar ekonominë.

Edhe programi monetar i vitit 2004 është ndërtuar mbi të njëjtat premisa. Nuk përbën ndonjë sekret fakti që edhe për vitin e ardhshëm, ashtu si në vitet e mëparshme, dy institucionet kryesore vendimarrëse të vendit në fushën e
ekonomisë dhe të financave, Qeveria e Shqipërisë dhe Banka e Shqipërisë, kanë arritur konsensusin për objektivat e përgjithshëm të zhvillimit të vendit, përfshirë dhe atë që konsiderohet si bashkëjetesë e harmonizuar midis politikave fiskale dhe monetare. Për më tepër, ky proces ka qenë pjesë e një konsultimi konstruktiv me institucione të tilla si FMN dhe BB, duke bërë të mundur që edhe për vitin 2004 të arrihet një marrëveshje e re financiare me këto dy institucione.

Politika monetare e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2003 është karakterizuar nga tendencat lehtësuese të kushteve monetare, në përputhje me zbutjen e presioneve inflacioniste dhe përmirësimin e treguesve monetarë. Banka e
Shqipërisë ka filluar zbatimin e një politike monetare zbutëse që prej muajit prill të këtij viti duke ulur normën bazë të interesi me 0.5 pikë përqind. Në muajt korrik dhe tetor të këtij viti u bënë dhe dy ulje të tjera, 0.5 pikë përqindje secila,
duke e cuar normën bazë të interesit në nivelin që kishte në fillim të një viti më parë. Në fund të muajit nentor të vitit 2003, norma bazë e interesit ishte 7.0 përqind, norma vjetore e inflacionit për këtë muaj rezultoi 3.4 përqind, ndërsa
inflacioni mesatar vjetor në fund të muajit tetor është vetëm 2.24 përqind.

Lexo Raportin e plotë të Guvernatorit.