BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Raporti i FMN-së është për stabilitetin e sistemit financiar, jo për luhatjet e normës të bonove

Data e publikimit: 23.09.2005

 

Zotëri,

Në përgjigje të artikullit tuaj të kohëve të fundit mbi tregun shqiptar të bonove të thesarit të datës 21 shtator 2005 dhe referencave tuaja mbi Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), ju lutem më lejoni të theksoj sa më poshtë:

FMN-ja është një organizatë me 184 vende anëtare që punon për të nxitur bashkëpunimin monetar ndërkombëtar, për të siguruar stabilitet financiar, për të lehtësuar tregtinë ndërkombëtare, për të nxitur punësim të lartë, rritje ekonomike të qëndrueshme dhe për të reduktuar varfërinë. Kjo bëhet nëpërmjet konsulencës për politikat, asistencës teknike dhe me programe të ndryshme huash.

Nuk është rutinë që FMN-ja të komentojë publikisht mbi zhvillimet ekonomike të vendeve të veçanta anëtare të saj. Në mënyrë të veçantë, që kur kam marrë pozicionin e përfaqësueses të përhershme të FMN-së në Shqipëri në mes të gushtit të 2005, unë nuk kam bërë ndonjë deklaratë publike në lidhje me ekonominë shqiptare, përfshirë këtu edhe tregjet e saj financiare. Në të vërtetë, konsulenca për politikat zakonisht i jepet direkt qeverive të vendeve anëtare dhe nëpërmjet publikimit të raporteve.

Në artikullin tuaj, ju i referehoni raportit të FMN Nr. 05/274 të datës 9 Gusht, 2005 "Shqipëria: Vlerësim i stabilitetit të sistemit financiar," (http://www.imf.org/external/country/ALB/index.htm). Ky raport bazohet në një program të përbashkët vlerësimi të sistemit financiar të FMN-së dhe Bankës Botërore që u bë në Tiranë, në shkurt dhe mars të këtij viti.

Programet e vlerësimit të sistemit financiar (PVSF) janë hartuar për të vlerësuar stabilitetin e gjithë sistemit financiar në përgjithësi dhe jo atë të institucioneve të veçanta. Ato janë zhvilluar për të ndihmuar vendet për të identifikuar dhe zgjidhur dobësitë në sistemet e tyre financiare. PVSF-të nuk mbulojnë rreziqe specifike për institucione të veçanta.

Në raportin e FMN-së Nr. 05/274, vihet re zotërimet e borxhit të qeverisë, p.sh. bonot e thesarit janë shumë të përqëndruara në Shqipëri dhe se kushtet e tregut ngrenë pikëpyetje lidhur me saktësinë e çmimeve. Mungesa e një tregu sekondar likuid për borxhin e qeverisë kontribon më tej në lëvizjet e çrregullta të çmimeve. Me kalimin e kohës, kur sistemi financiar shqiptar të maturohet dhe të thellohet, me mbështetjen e vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare, këto probleme do të vijnë duke u pakësuar.

Sinqerisht

Ann-Margret Westin
Përfaqësuese e Përhershme e FMN-së në Shqipëri