BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Reagim i Bankës së Shqipërisë mbi lajmin e botuar në gazetat e ditës së sotme, ku thuhej se BSh-së po lehtëson pastrimin e parasë nëpërmjet "blerjes direkt të bonove të thesarit në BSh-së nga ana e individëve nëpërmjet transaksione të parregulluara"

Data e publikimit: 23.03.2005

 

Banka e Shqipërisë mendon se kjo hamendje është e gënjeshtërt dhe e papërgjegjshme. Kjo për arsyet e mëposhtme:

  • Sipas ligjeve dhe rregulloreve shqiptare, Banka e Shqipërisë është një subjekt raportues ashtu dhe një autoritet përgjegjës; dhe përgjegjësitë që i lindin për çështje që lidhen me luftën kundër pastrimit të parasë, mbështeten nga nivelet më të larta drejtuese në Bankën e Shqipërisë.
  • Si një subjekt raportues, Banka ka përgatitur dhe zbaton procedura, të cilat janë në përputhje me ligjin dhe me standardet më të mira ndërkombëtare, në mënyrë që të sigurohet se personeli që merret me shitjen e bonove të thesarit është i njohur me kërkesat e parandalimit të pastrimit të parasë për regjistrimin dhe raportimin e transaksioneve, jo vetëm në Bankën e Shqipërisë, por dhe në të pesta degët e Bankës së Shqipërisë nëpër rrethe.
  • Aspektet operacionale që lidhen me aktivitetin e shitjeve të bonove të thesarit, kontrollohen nga zyra e Inspektorit të Përgjithshëm, si pjesë e planit të tyre normal të inspektimeve. Gjatë inspektimeve të kryera nuk janë gjetur shkelje të politikave dhe procedurave.
  • Banka e Shqipërisë ka koordinuar të gjitha aktivitetet e saj me autoritetet qeveritare përgjegjëse për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit. Drejtori i Njësisë Shqiptare të Inteligjencës Financiare (FIU) dhe Këshilltari i tij rezident janë të mirëinformuar mbi aktivitetet dhe kontrollet që kryen Banka e Shqipërisë.
  • Banka e Shqipërisë ka bërë dhe bën shumë hapa përpara në luftën kundër pastrimit të parasë. Stafi i saj ka qenë i përfshirë direkt në implementimin operacional dhe proceset e kontrollit për luftën kundër pastrimit të parasë për të qenë në përputhje me ligjet dhe me rregulloret shqiptare dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Aktivitetet e Bankës së Shqipërisë janë kontrolluar në mjaft raste nga specialistë të FMN dhe të Bankës Botërore dhe të gjitha sugjerimet e tyre janë konsideruar dhe adoptuar me prioritet. Vlen të përmendet se në muajt e fundit, një ekip i FMN-së dhe Bankës Botërore ka kryer një vlerësim të sektorit financiar. Lufta kundër pastrimit të parasë ishte përfshirë në këtë proces, dhe ekipi i FMN dhe Bankës Botërore konkludoi se praktikat e Bankës së Shqipërisë për luftën kundër pastrimit të parasë përputhen me praktikat dhe standardet më të mira ndërkombëtare.

Së fundi, Banka e Shqipërisë dëshiron t'ju sigurojë se Guvernatori, Zëvëndësat e tij, Këshilli Mbikëqyrës dhe stafi janë shumë të përkushtuar në përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.