BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Shpallen fituesit e "Çmimit të Guvernatorit për Diplomën më të Mirë"

Data e publikimit: 07.12.2007

 

Sot, në datë 7 dhjetor 2007, u zhvilluan punimet e ditës së dytë të Konferencës VII Vjetore të Bankës së Shqipërisë, me temë "Strategjitë e Politikës Monetare për Ekonomitë e Vogla". Progresi i bërë nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2007, në lidhje me përgatitjet për adoptimin e regjimit të ri të politikës monetare në të ardhmen, ka qenë fokusi i këtyre punimeve.

Ekspertët e huaj dhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë konferencë kanë vlerësuar punën e bërë nga Banka e Shqipërisë, në drejtim të plotësimit të parakushteve për kalimin drejt regjimit të inflacionit të shënjestruar. Ata kanë ndarë të njëjtin mendim, se Banka e Shqipërisë është në rrugën e drejtë, duke treguar edhe një herë kështu angazhimin e saj institucional për përballimin e sfidave të reja, që rrjedhin nga zhvillimet në tregjet financiare, dhe integrimin e vazhdueshëm ekonomik të Shqipërisë.

Gjatë punimeve të kësaj konference, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, shpalli edhe fituesit e konkursit "Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë", për vitin 2007.

guvernatori ne takimin 3

Komisioni i vlerësimit në Bankën e Shqipërisë, pasi shqyrtoi aplikimet e shumta të ardhura nga studentë të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, në universitetet më të njohura shqiptare dhe evropiane, ka vendosur të akordojë çmimet e mëposhtme:

  • Çmimi i parë, z. Drini Imami dhe z. Endrit Lami, studentë në Masterin Shkenca Ekonomike Evropiane, Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Bambergut, për temën "Kërkimi për një cikël politik të biznesit në Shqipëri".
  • Çmimi i dytë, zj. Ersida Doçaj, studente në London Metropolitan University, për temën "Cili ka qenë impakti i sistemit bankar në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë në vitet 1992-2006?"
  • Çmimi i tretë, z. Afrim Laçi, student në Universitetin e Shkodrës për temën "Turizmi dhe potencialet e tij në diversifikimin e ekonomisë në zonën e Pukës".

Dhënia e këtij çmimi, e cila tashmë përbën një traditë të përvitshme të Bankës së Shqipërisë, synon të nxisë studentët që të ndërmarrin studime të thelluara në fushën e bankingut qendror dhe të ekonomisë në përgjithësi, duke shërbyer edhe si një mundësi e mirë për Bankën e Shqipërisë për të thithur burime njerëzore të kualifikuara.