BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Shpallen fituesit e "Çmimit të Guvernatorit për Diplomën më të Mirë" në Panelin e Guvernatorëve të Rajonit

Data e publikimit: 31.10.2006

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, shpalli sot gjatë punimeve të Konferencës VI Ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë fituesit e konkursit "Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë".

Dhënia e këtij çmimi synon të nxisë studentët universitarë për të ndërmarrë studime të thelluara në lidhje me ekonomiksin monetar, stabilitetin financiar dhe/ose çështjet e integrimit evropian, fusha këto që paraqesin një interes të veçantë për Bankën e Shqipërisë.

Një numër i madh studentësh të diplomuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e Evropës dhe më gjerë, mori pjesë në këtë konkurs, i cili ofroi edhe shpërblime materiale dhe mundësi trajnimi për fituesit e këtij çmimi.

Pas shqyrtimit të temave të diplomës nga ana e komisionit të posaçëm të vlerësimit, u vendos t'i akordohet:

• Çmimi i parë zj. Gizelda Emini, studente e Universitetit të Tiranës.
• Çmimi i dytë z. Arbër Boriçi, student i Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë.
• Çmimi i tretë zj. Lorena Gega, studente e Universitetit të Tiranës.

Me nismën e Guvernatorit Fullani, Banka e Shqipërisë synon ta kthejë këtë konkurs në një traditë të përvitshme. Ky çmim u dha gjatë panelit të Guvernatorëve ku merrnin pjesë guvernatorët e bankave qendrore të Serbisë, Malit te Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës, Rumanisë, Maqedonisë dhe Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës.

Ky panel shërbeu për dhënien e mesazheve nga ana e Guvernatorëve për ruajtjen e stabilitetit financiar, duke theksuar gjithnjë e me tepër rolin e bankave qendrore në këtë kuadër.

Në diskutimet e guvernatorëve u theksua domosdoshmëria e bashkëpunimit rajonal midis vendeve të Evropës Juglindore. Megjithëse globalizimi do të çojë përpara bashkëpunimin midis vendeve, përsëri ky nuk është një justifikim që bankat të mos punojnë më shumë në këtë drejtim në rajon.