BANKA E SHQIPËRISË

Skaneri i ekonomisë shqiptare.

Data e publikimit: 15.04.2004

 

Ekonomia shqiptare gjatë vitit 2003 iu rikthye ritmeve të kënaqshme të rritjes ekonomike. Vlerësimet paraprake tregojnë se Produktit të Brendshëm Bruto në terma realë është rritur me 6 për qind gjatë vitit 2003, krahasuar me 4.7 për qind që ishte në vitin 2002. Rritja e aktivitetit ekonomik është verifikuar në të gjithë sektorët e ekonomisë, pavarësisht se më e theksuar ajo vlerësohet të jetë në sektorin e ndërtimit, shërbimeve dhe transportit. Viti 2003, duhet theksuar se ka regjistruar një përmirësim të lehtë edhe në situatën e punësimit. Numri i të punësuarëve vazhdon të rritet, ndërkohë që problemet kronike të tranzicionit shqiptar: emigrimi dhe informaliteti i tregut të punës dhe ekonomisë në përgjithësi ndikojnë në uljen e forcave të punës gjithsej dhe vështirësojnë shpegimin e efektit në punësim të politikave dhe zhvillimeve ekonomike të vendit. Në fund të nëntëmujorit vitit 2003, sipas burimeve zyrtare papunësia u ndal në nivelin 15 për qind krahasuar me 15.8 për qind që ishte në fund të vitit 2002.

Viti 2003 u karakterizua nga një inflacion i ulët, brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Vlera e inflacionit në muajin dhjetor ishte 3.3 për qind, duke respektuar objektivin e Bankës së Shqipërisë ndërkohë që mesatarisht gjatë vitit 2003, çmimet e konsumit janë rritur me 2.37 për qind. Pavarësisht faktorëve të ndryshëm që kanë ndikuar, vlerësohet se ky inflacion i ulët e ka burimin tek kontrolli i kërkesës së brendshme, si pasojë e politikave të përshtatshme fiskale e monetare.

Ndryshe nga vitet e mëparshëm, viti 2003 u karakterizua nga një shpërndarje më racionale e shpenzimeve fiskale. Kërkesa e qeverisë për hua ka qenë më e njëtrajtshme gjatë vitit 2003, duke shmangur përqendrimin e financimit të deficitit në muajin dhjetor. Deficiti vjetor në total ishte 19 për qind më i ulët në krahasim me një vit më parë, duke arritur në nivelin 4.4 për qind të PBB-së. Megjithatë, duhet të theksohen dhe disa probleme si realizimi i të ardhurave në masën 93 për qind dhe veçanërisht realizimi i shpenzimeve kapitale vetëm në masën 62 për qind të planit. Për herë të parë gjatë periudhës së tranzicionit, kursimet publike arritën një vlerë pozitive si rezultat i konsolidimit të financave publike, kryesisht në kryerjen e shpenzimeve. Kursimet publike kanë ndikuar në rritjen prej 0.8 pikë përqindje të kursimeve të brendshme krahasuar me vitin 2002, duke bërë që në fund të vitit 2003 kursimet e brendshme të vlerësohen sa 13.8 për qind e PBB-së.

Në total investimet vlerësohen në 22.3 për qind të PBB-së duke shënuar një rritje të lehtë në krahasim me vitin 2002. Rritja e investimeve gjatë këtij viti i atribuohet më së shumti rritjes së investimeve private, për vetë faktin se investimet publike të realizuara gjatë vitit 2003 ishin rreth 11.7 për qind më të ulta se viti i mëparshëm.

Viti 2003 është karakterizuar nga një aktivitet intensiv në sektorin e jashtëm të vendit, i shprehur në rritjen e konsiderueshme të të ardhurave dhe të shpenzimeve korente. Deficiti i llogarisë korente vlerësohet të jetë ulur me 2 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë duke arritur në 6.7 për qind të PBB-së. Pozicioni i përgjithshëm i bilancit të pagesave është pozitiv duke bërë që rezervat valutore të vendit të rriten vazhdimisht. Për herë të parë, në muajin dhjetor, niveli i përgjithshëm i tyre kaloi shifrën 1 miliard dollarë amerikanë.

Shërbimet lënë pas bujqësinë.
Viti 2003 përforcoi edhe më shumë rëndësinë e sektorit të shërbimeve në ekonominë e vendit. Pesha e këtij sektori është rritur nga viti në vit dhe si rrjedhim në fund të vitit 2003 vlerësohet se kontributi i këtij sektori në PBB ka arritur në 46.1 për qind. Indeksi i vëllimit të shitjeve për zërin "tregti, hotel, restorante" dhe "shërbime të tjera" është rritur 11.5 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë që sipas vlerësimeve paraprake të Bankës së Shqipërisë të ardhurat nga turizmi për vitin 2003 janë rritur me 7.2 për qind. Bujqësia, një nga degët, tradicionalisht me potencialin më të madh në drejtim të zhvillimit të vendit, ka ulur më tej kontributin e saj. Problemet që kanë të bëjnë me reformën e tokës, me pronësinë dhe me lëvizjet migratore të popullsisë shihen si pengesat më serioze në zhvillimin e sektorit të bujqësisë. Nga ana tjetër, bujqësia mbetet sektori me preferencë të ulët për kreditim nga bankat. Një shkak i mundshëm veç të tjerash, mund të jetë dhe mbulimi shumë i pakët me biznes bankar i zonave rurale. Sipas vlerësimeve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, prodhimi bujqësor gjatë vitit 2003 është rritur me 3.0 për qind në krahasim me vitin 2002, rritje e cila është mbështetur nga prodhimet e pemëtarisë, të blegtorisë dhe të bimëve industriale. Sektori industrial ka kontribuar me 10.2 për qind në rritjen ekonomike të vendit një shifër pak a shumë e njëjtë me atë të vitit 2002. Në total, prodhimi mall i shitur për industrinë për vitin 2003, në terma nominalë shënon një rritje prej 18 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Industria nxjerrëse, veçanërisht sektori i hidrokarbureve dhe ai energjitik, patën rritjen më të lartë (12 dhe 90 për qind respektivisht). Ndërkohë që industritë përpunuese të metalurgjisë, ajo mekanike, e ndonjë tjetër pasqyrojnë ende një lloj gjendje amullie. Gjatë vitit 2003 situata energjitike e vendit ka qenë relativisht e ndryshme nga periudhat e mëparshme. Ndoshta për shkak të kushteve më të favorshme atmosferike si dhe të një administrimi më të mirë nga ana e KESH-it u shënua një rritje e ndjeshme e prodhimit në vend. Importet u ulën me 46.5 për qind në krahasim me vitin 2002 ndërkohë që kapacitetet e brendshme të prodhimit plotësuan 80 për qind të kërkesës së brendshme, krahasuar me 57 për qind të një viti më parë.

Një ndër sektorët më dinamikë të ekonomisë shqiptare është ai i ndërtimit. Të dhënat në dispozicion tregojnë se vëllimi i shitjeve në çdo tremujor të vitit 2003 ka qenë më i lartë se tremujori përkatës i vitit të kaluar duke kulmuar në tremujorin e tretë me një rritje prej 22 për qind. Kjo përbën një rritje të madhe reale, duke qenë se rritja vjetore e indeksit të kushtimit në ndërtim, regjistroi një shifër prej 2.7 për qind.

Inflacioni brenda objektivit.
Banka e Shqipërisë përmbushi misionin për kontrollin dhe mbajtjen e inflacionit brenda intervalit 2 - 4 për qind gjatë vitit 2003. Në fund të vitit, inflacioni vjetor shënoi vlerën 3.3 për qind. Ecuria e tij gjatë vitit ka qenë më e qëndrueshme në krahasim me vitet e mëparshme. Norma mesatare e inflacionit vjetor rezultoi 2.37 për qind. Ndër faktorët që kanë ndikuar në ecurinë e inflacionit nga ana e kërkesës mund të përmendim:

Shpenzimet buxhetore më të ulëta se niveli i parashikuar vjetor dhe shpërndarja në mënyrë më të njëtrajtshme krahasuar me vitin paraardhës, duke ndikuar në uljen e presioneve inflacioniste. Gjithashtu, qeveria ka respektuar nivelin e parashikuar të financimit të brendshëm të deficitit buxhetor. Ashtu siç edhe ishte parashikuar nga Banka e Shqipërisë, financimi i brendshëm është përballuar nga kursimet e ekonomisë ndërkohë që Banka e Shqipërisë nuk ka marrë pjesë në këtë financim.

Politika monetare e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2003 ka patur një kah zbutës. Ritmi i lehtësimit të politikës monetare është diktuar nga ecuria e inflacionit në ekonomi dhe nga nevoja për të mos cënuar tendencën pozitive të treguesve monetarë dhe përputhshmërinë me parashikimet e programit.

Mbiçmimi i lekut ka ndikuar në zbutjen e ndikimit të inflacionit të importuar dhe ka mbajtur të ulëta pritshmëritë e publikut për inflacionin. Veçanërisht ky faktor ka qenë i ndjeshëm në gjashtëmujorin e dytë, gjatë të cilit leku u mbiçmua mesatarisht me rreth 3.8 për qind ndaj euros dhe me rreth 7.8 për qind kundrejt dollarit.

Gjatë vitit 2003 ka pasur dhe disa presione rritëse të inflacionit kryesisht nga disa goditje të ofertës dhe të rritjes së çmimeve të administruara. Lufta në Irak çoi në rritjen e çmimit botëror të naftës, e cila u transmetua dhe në rritjen e kostos së transportit në Shqipëri, duke ndikuar normën vjetore të inflacionit për muajt shkurt dhe mars. Në muajt në vazhdim ndikimi i këtij faktori në inflacion u zbut. Sektori i bujqësisë rezultoi me një prodhim më të ulët të disa prej artikujve "fruta - perime" në krahasim me parashikimet fillestare. Temperaturat e ulëta në prill, thatësira e zgjatur e stinës së verës dhe rritja e eksportit të produkteve bujqësore dhe blegtorale për periudhën janar-gusht kanë bërë që të ndihej mungesa e prodhimit bujqësor vendas në treg. Rritja e kostove të prodhimit, e shprehur ne rritjen e Indeksit të Çmimeve të Prodhimit, ka ndikuar në rritjen e nivelit të çmimeve. Rritja e çmimeve që në hallkat e para të prodhimit rezulton në rritjen e çmimeve të produkteve përfundimtare. Inflacioni i importuar ka ushtruar presion të moderuar mbi çmimet e mallrave të konsumit në Shqipëri në kushtet kur partnerët kryesorë të vendit tonë, Italia dhe Greqia, kanë shënuar norma më të larta inflacioni sesa ajo e Eurozonës, por të krahasueshme me ekonominë shqiptare.
_____________________________
Pjesë nga fjala e mbajtur në Kuvend gjatë prezantimit të Raportit Vjetor 2003.