BANKA E SHQIPËRISË

Sqarim i Bankës së Shqipërisë për mediat lidhur me çështjen e inflacionit

Data e publikimit: 08.07.2004

 

Kohët e fundit në disa komente, shkruhet se niveli i inflacionit në Shqipëri duhet të jetë me i lartë, pasi banda 2-4 për qind po pengon zhvillimin e biznesit dhe të ekonomisë. Pavarësisht se asnjeri nuk ka dhënë qartësisht ndonjë argument të pranueshëm se përse ky nivel inflacioni po pengon zhvillimin ekonomik apo se çfarë normë inflacioni, sipas tyre, do të krijonte premisa për një rritje më të madhe të produktit të brendshëm bruto, Banka e Shqipërisë, duke qenë e hapur dhe transparente me publikun po iu dërgon një qëndrim të saj teknik lidhur me argumentat se pse inflacioni në Shqipëri është/duhet 2-4 për qind dhe ç' efekte do të kishte një normë më e lartë inflacioni.

Gjithashtu, së shpejti në Bankën e Shqipërisë, Guvernatori dhe ekspertë të saj do të zhvillojnë një seminar në formën e debatit me gazetarë/analistë dhe mbi regjimin e ardhshëm të politikës monetare, shënjestrimin e inflacionit etj.

Gjithësesi, nisur nga sensibiliteti i çështjes dhe kërkesa e televizionit TVA, më poshtë mund të lexoni disa teza nga Dr.Erion Luçi, Drejtor i Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë.

* * *


Kohët e fundit nga analistë të ndryshëm është hedhur ideja se inflacioini në Shqipëri mbahet në nivele të tilla të ulta që po i shkakton kosto ekonomisë në terma reale. Niveli i inflacionit i synuar nga Banka e Shqipërisë përbën një çështje të rëndësishme për tu diskutuar, prandaj diskutime rreth kësaj çështje janë të mirëpritura. Por duhet thënë se, diskutimet e deritanishme lënë shumë për të dëshiruar në argumentat e ofruar në mbështetje të një niveli më të lartë inflacioni. Me këtë duam të theksojmë se problemi i mbajtjes së inflacionit të ulët është më i gjerë dhe më kompleks se sa është trajtuar në shtyp deri më sot.

Banka e Shqipërisë ka marrë angazhimin për ruajtjen e nivelit të ulët të çmimeve në kufijtë 2 deri 4 për qind në vit. Përcaktimi i objektivit të inflacionit deri më tani nga Banka e Shqipërisë ka mbajtur parasysh një sërë faktorësh. E rëndësishme është "natyra" e inflacionit. Megjithëse inflacioni percaktohet si një rritje në nivelin e përgjithshëm të çmimeve, në vendet në tranzicion, ekzistojnë lëvizje të shpeshta relative të çmimeve, në përgjigje të ndryshimeve të thella strukturore dhe prishjes së ekuilibrave. Kjo ushtron presion në rritjë të inflacionit. Duke qenë se lëvizjet relative të çmimeve janë në interes të zhvillimit të ekonomisë së tregut, Banka e Shqipërisë është munduar ta përshtasë nivelin e inflacionit me këto zhvillime dhe të përqëndrohet kryesisht në inflacionin me origjinë monetare. Pyetjes nëse është rasti që niveli i inflacionit 2-4 për qind i synuar nga ana e Bankës së Shqipërisë duhet rishikuar do mundohemi t'i përgjigjemi duke ballafaquar përfitimet e mundshme që mund të ketë një masë e tillë me kostot e parashtruara më sipër.

Një përfitim i mundshëm nga rritja e inflacionit lidhet me një koncept relativisht të vjetëruar ekonomik të kurbës së Philipsit. Bazuar në këtë koncept rritja e papritur e inflacionit mund të çojë në një ulje të papunësisë. Inflacioni i papritur shkakton një rënie të pagave reale, për shkak të fiksimit të pagave nominale me kontrata një apo më shumë vjeçare. Ulja e pagës reale bën që punëdhënësit të punësojnë më shumë individë. Duhet theksuar se kurba e Philipsit është kontestuar prej kohësh dhe aktualisht luan një rol të parëndësishëm në përpilimin e politikave ekonomike si dhe bie ndesh me konceptin e pavarësisë së bankës qendrore. Kështu që do të ishte mjaft e vështirë që argumenti i rritjes së inflacionit të bazohej në një koncept të tillë. Në rastin e Shqipërisë kurba e Philipsit është akoma më e kontestueshme për shkak se ndryshimet strukturore e bëjnë atë të zhvendoset vazhdimish, dhe për rrjedhojë rezultati i politikës së mësipërme bëhet shumë i papërcaktuar. Gjithashtu, deri më sot nuk ka pasur një evidence të qartë që mbajtja e inflacionit të ulët të ketë shkaktuar kosto ndaj prodhimit vendas. Përkundrazi, nga disa studime ështe pare se stabiliteti makroekonomik, i matur me periudhën me inflacion të ulët, luan një rol pozitiv në zgjerimin e kreditimit të ekonomisë dhe prodhimit.

N.q.s. rritja e aftësisë konkurruese të Shqipërisë lidhet me zhvlerësimin e lekut dhe ky i fundit kërkon një inflacioni më të lartë, do të thoshim se kjo është një rrugë e shkurtër që të nxjerr më gjatë për disa arësye.
Së pari, Banka e Shqiperisë nuk mban lekun të mbivlerësuar sepse zbaton një regjim të lirë të kursit. Një regjim i tillë mbahet pirkërisht që kursi të eci me zhvillimet e ekonomise dhe jo vetëm të inflacionit.

Së dyti, rritja e inflacionit si pasojë e zhvlerësimin të lekut është e njgjashme me një ndërhyrje direkt të bakës në tregun e kembimit, gjë që bie ndesh me pikën e parë.

Së treti, në diskutime të ndryshme si dhe nga disa studime, është arritur në përfundimin që vlerësimi i kursit real të kembimit në Shqipëri deri më sot nuk ka luajtur rol të rendesishëm në përkeqësimin e bilancit tregtar. Ky perkeqesim ka origjine strukturore dhe jo monetare. Shqiperia gjatë viteve me inflacion te larte nuk është që ka pasur prodhim dhe eksporte të larta që vënia dhe mbajtja nen kontroll e inflacionit (që nuk eshte bere arritur nëpërmjet kursit te kembimit) të ketë ulur eksportet tona. Së fundi, duhet theksuar se ulja e nivelit të inflacionit në Shqiperi, dhe me këshillat e FMN-se, që papritur është bërë shume e modës për tu kritikuar, ka ardhur kryesisht si pasojë e disiplinimit fiskal dhe jo kontrollit te kursit te kembimit.

Një problem tjetër me rritjen e nivelit të inflacionit lidhet me efektin psikologjik që ai mund të shkaktojë në publik. Ky fenomen ka të bëjë me faktin se rritja e nivelit mund të çojë në një spirale të pandalshme inflacioniste. Megjithë punën e deritanishme të Bankës së Shqipërisë për të rritur reputacionin e objektivave të saj në publik, strategjia e ndryshimit të inflacionit nga një nivel më i ulët në një nivel më të lartë mund të vërë në rrezik reputacionin e deri tanishëm. Tregu, ndryshimin e nivelit të inflacionit, mund ta interpretojë si një paftësi të bankës qendrore për të mbajtur inflacionin e ulët dhe për rrjedhojë kjo e fundit do ta kishte shumë të vështirë që të ankoronte pritshmëritë e tregut në nivelin e ri më të lartë.

Banka e Shqipërisë gjatë muajve të fundit ka sqaruar opinionin publik lidhur me shtrembërimin e koncepteve dhe të dhënave mbi nivelin e inflacionit në Shqipëri. Si organi qëndror monetar, BSh ka për detyrë t'i sqarojë publikut nëpërmjet medias se sistemi aktual i ekonomisë gëzon stabilitet të plotë të treguesit inflacion dhe se idetë për zhvlerësim të lekut më shumë sesa argumenta janë "rufe në qiell të pastër".

Ndër të paktat politika ekonomike efikase të zbatuara në këta 13 vjet tranzicion në Shqipëri, sigurisht që renditet ajo monetare e zbatuar nga Banka e Shqipërisë dhe e pranuar si nga publiku vendas ashtu edhe institucionet financiare ndërkombëtare.

Me këtë argumentim nuk kishim si qëllim që të ezauronim të gjithë argumentat mbi nivelin optimal të inflacionit në Shqipëri, gjë që po analizohet me kujdes nga Banka e Shqipërisë në një studim të ndërmarrë kohët e fundit. Ajo që donim të theksonim është se megjithëse literatura teorike dhe empirike lë vend për spekullim mbi nivelin optimal të inflacionit, argumentat për rritjen e inflacionit mbeten jo shumë bindëse të paktën në kushtet aktuale që po kalon Shqipëria.