BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Sqarim për publikun: Mbi rikonstruksionin e ish-hotel Dajtit

Data e publikimit: 13.06.2017

 

Ditët e fundit, në disa media janë transmetuar disa lajme të pavërteta mbi rikonstruksionin e ish-hotel Dajtit. Lidhur me këtë çështje, Banka e Shqipërisë sqaron publikun si më poshtë vijon:

  • Blerja e godinës së "ish-Hotel Dajtit"

Në vijim të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 345, datë 12.05.2010 "Për shitjen e pasurisë së paluajtshme shtetërore të ish-Hotel Dajtit", Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë me anë të vendimit nr.40, datë 16.06.2010 miratoi "Procedurën e prokurimit të drejtpërdrejtë "Për blerjen e pasurisë së paluajtshme shtetërore "Ish-Hotel Dajti" nga Banka e Shqipërisë", në vlerën 30 milionë euro.

Pasuria e paluajtshme u ble dhe u rregjistrua në pronësi të Bankës së Shqipërisë në ZRPP.

  • Projekti për rikonstruksionin e ish-hotel Dajtit

Me anë të vendimit nr.55, datë 27.07.2011, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi "Procedurën e veçantë të prokurimit për realizimin e projektit të zbatimit të rikonstruksionit të ndërtesës së ish-hotel Dajtit". Kjo procedurë u realizua po gjatë vitit 2011 dhe u finalizua me nënshkrimin e kontratës me Ark. Marco Petreschi.

Përzgjedhja e projektuesit u realizua duke konsideruar edhe eksperiencën me rikonstruksionin e ndërtesës qendrore të Bankës së Shqipërisë, ku projekti për këtë ndërtesë i Ark. Petreschi u përzgjodh fitues nga organizimi i një konkursi ndërkombëtar.

  • Buxheti për punimet për rikonstruksionin

Fondet për rikonstruksionin e ndërtesës së ish-hotel Dajtit, për herë të parë, janë miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës me vendimin nr. 86, datë 28.12.2011 "Për miratimin e buxhetit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2012", në vlerën rreth 16 milionë euro, mbi bazën e projektit zbatimit të prezantuar nga projektuesi dhe të kontrolluar dhe pranuar nga Banka e Shqipërisë.

Gjatë vitit 2013, ky fond pësoi rritje si rezultat i ndryshimeve në projektin teknik që reflektuan gjendjen teknike aktuale të strukturës së objektit. Mbas këtij rishikimi, fondi limit përfundimtar për punimet e rikonstruksionit prej 18 milionë euro (ekuivalenti në lekë) u miratua nga Këshilli Mbikëqyrës me vendimin nr. 38, datë 29.05.2013 "Për miratimin e buxhetit afatmesëm të Bankës së Shqipërisë".

Duke qenë se fondi ishte miratuar më herët, në vitin 2015, Këshilli Mbikëqyrës miratoi me vendimin nr. 27, datë 01.04.2015 vetëm kohëzgjatjen deri në tre vjet të kontratës për zbatimin e rikonstruksionit.

  • Miratimi i lejeve për projektin e rikonstruksionit

Në 30 janar 2015, projekti u dorëzua në Institutin e Monumenteve të Kulturës, i cili iu përgjigj Bankës së Shqipërisë në qershor të të njëjtit vit. Më tej u vijua me marrjen e miratimit nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, një detyrim ligjor ky për rikonstruksion të objekteve shpallur Monument Kulture.

Në vijim, Banka e Shqipërisë ndoqi procedurat e aplikimit në Këshillin Kombëtar të Territorit (KKT) nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, si ministri e linjës. Me përfundimin e procedurave për marrjen e lejes dhe njoftimin zyrtar nga autoritetet përkatëse, në fund të korrikut 2016, pas njohjes me detyrimin për shlyerjen e taksës së ndikimit në infrastrukturë, Banka e Shqipërisë kreu të gjitha pagesat përkatëse për Bashkinë e Tiranës.

  • Procedurat për përzgjedhjen e kompanisë zbatuese

Në periudhën gusht - shtator 2016, Banka e Shqipërisë hartoi specifikimet teknike për procedurën e prokurimit të rikonstruksionit të godinës së ish-Hotel Dajtit sipas projektit të pranuar prej saj që në vitin 2013 dhe të miratuar nga KKT.

Për të garantuar një proces sa më cilësor dhe eficient, Banka e Shqipërisë, gjatë muajit tetor 2016 publikoi në gazetën ndërkombëtare "Financial Times" njoftimin për shprehje interesi, për procedurën e rikonstruksionit të godinës së ish-hotel "Dajtit". Afati i pritjes së shprehjes së interesit ishte 30 ditë nga publikimi.

Në përgjigje të këtij njoftimi, pranë Bankës së Shqipërisë shprehën interesin për pjesëmarrje në tender 10 kompani.

Nisur nga rëndësia që paraqet ky objekt, si dhe veçoritë teknike dhe arkitekturore të tij, Banka e Shqipërisë hulumtoi kompanitë që shprehën interes me qëllim vlerësimin e besueshmërisë së tyre në treg, kapaciteteve teknike dhe punimeve të ngjashme të realizuara më parë. Në përfundim, u vendos të vijohej me procedurën "Tender i kufizuar ndërkombëtar", në përputhje të plotë me rregulloren "Për procedurat e prokurimit të Bankës së Shqipërisë" miratuar me vendim të Këshillit Mbikëqyrës nr.81, datë 15.11.2006, e ndryshuar. Banka e Shqipërisë prokuron shërbime dhe mallra mbështetur në përcaktimet e kësaj rregulloreje, dhe jo mbështetur në ligjin "Për prokurimin Publik". Kjo bazuar në nenin 76 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë", i ndryshuar.

Për të siguruar cilësinë e procesit dhe të një rezultati sa më eficient për Bankën e Shqipërisë, u vlerësuan për t'u ftuar për të marrë pjesë në tender 7 kompani të huaja.

Procedura "Tender i kufizuar ndërkombëtar" është aplikuar nga Banka e Shqipërisë edhe për rikonstruksionin e ndërtesës qendrore të saj. Fondi i kontraktuar për kontratën bazë dhe shtesat e saj për rikonstruksionin e ndërtesës qendrore të Bankës së Shqipërisë ishte në vlerën 15.8 milionë euro. Ndërsa, konkursi ndërkombëtar është aplikuar nga Banka e Shqipërisë vetëm për përzgjedhjen e projektit për rikonstruksionin dhe jo për punimet e rikonstruksionit.

Me kërkesë të administratorëve të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2015-2016, u bë një rishqyrtim i të gjitha kostove, përfshirë edhe të atyre të zbatimit të projektit të miratuar për rikonstruksionin e ish-hotel Dajtit, me qëllim minimizimin e tyre. Në përfundim, fondi me të cilin u çel procedura e prokurimit u ul në 16 milionë euro nga 18 milionë euro (ekuivalenti në lekë) që ishte parashikuar sipas vendimeve përkatëse të Këshillit Mbikëqyrës.

Në vijim, u ndoqën të gjitha procedurat e tenderimit për objektin e prokurimit "Rikonstruksioni i ndërtesës së ish-hotel Dajtit", procedurë që do të përfundojë me nënshkrimin e kontratës mes palëve.

  • Transparenca dhe llogaridhënia e Bankës së Shqipërisë

Sjellim në vëmendje të publikut se çdo procedurë dhe vendim i Këshillit Mbikëqyrës është marrë në përputhje të plotë me ligjin për Bankën e Shqipërisë dhe aktet nënligjore në fuqi. Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës dhe gjithë veprimtaria institucionale e Bankës së Shqipërisë është subjekt llogaridhënieje pranë Kuvendit të Shqipërisë, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Komitetit të Auditit që drejtohet nga anëtarë joekzekutivë të Këshillit Mbikëqyrës, si dhe Inspektorit të Përgjithshëm.

Banka e Shqipërisë siguron publikun se ka qenë dhe mbetet e angazhuar të garantojë transparencën me publikun, në përputhje të plotë me ligjet e vendit e standardet ndërkombëtare.