BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Takim diskutimi i Guvernatorit Sejko me sektorin bankar me temë “Sektori bankar si kontribuues i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit”

Data e publikimit: 29.05.2019

 

Në datën 29 maj 2019, në ambientet e Bankës Shqipërisë u zhvillua takimi me temë: “Sektori bankar si kontribuues i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit”. I kthyer tashmë në një traditë, ky takim ka për qëllim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënies së bashkëpunimit me sistemin bankar. Në këtë takim, të organizuar me iniciativën dhe nën drejtimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, morën pjesë drejtues të Bankës së Shqipërisë, përfaqësuesit ekzekutivë më të lartë të bankave tregtare (drejtorë të përgjithshëm dhe zëvendësit e tyre), si dhe përfaqësues nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

DSC p9499 498

Në fillim të fjalës së tij, Guvernatori Sejko u shpreh se nëpërmjet këtij takimi synohet të arrihet hartimi i një plani konkret masash për përmirësimin e sasisë dhe cilësisë së kreditimit, si dhe të zgjerohet gama e produkteve financiare.

Duke u ndalur në ecurinë e sektorit bankar, Guvernatori vlerësoi kontributin e rëndësishëm që sektori bankar jep në zhvillimin ekonomik të vendit, ku vëllimi i kursimeve financiare të administruara nga sektori bankar zë rreth 70% të PBB-së, ndërsa vëllimi i kredisë së dhënë prej tij është rreth 35% të PBB-së. Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, sektori bankar është shtylla kryesore e sistemit financiar dhe njëkohësisht ndër segmentet më të zhvilluara dhe profesionale të ekonomisë.

Konsolidimi i sektorit bankar si dhe reduktimi i vazhdueshëm i rrezikut të kredisë pritet të sjellin një rritje të procesit të kreditimit në vend. Për materializimin e këtij objektivi, Guvernatori Sejko kërkoi nga përfaqësuesit e sektorit bankar që të reflektojnë një përqasje më aktive në përmbushjen e misionin të tyre kryesor, atë të kreditimit të shëndetshëm të ekonomisë.

DSC x9471 498

Për këtë qëllim, Guvernatori Sejko cilësoi si të nevojshme që sektori bankar të ndërmarrë hapat e duhura për të zgjeruar gamën e produkteve të kreditimit si dhe të financojë sektorë të rinj të ekonomisë shqiptare, si bujqësia dhe biznese të tjera inovative në fushën e teknologjisë së informacionit. Ky proces duhet të shoqërohet paralelisht me një vëmendje të shtuar nga ana e sektorit bankar për të treguar kujdesin maksimal në përzgjedhjen dhe financimin e sektorëve që ofrojnë një potencial të lartë kthimi. Gjithashtu është detyrë e sektorit bankar që të plotësojë gamën e produkteve financiare me instrumente derivate të mbrojtjes ndaj rrezikut të kursit të këmbimit për atë kategori kredimarrësish që janë të ekspozuar ndaj tij.

Në mbyllje të fjalës së tij, Guvernatori Sejko u shpreh se një tjetër rol i rëndësishëm i sektorit bankar është sigurimi i shërbimeve të pagesave në ekonomi. Në këtë aspekt, për të përmirësuar tregun e pagesave me vlerë të vogël, Banka e Shqipërisë ka hartuar projektligjin “Për shërbimet e pagesave”, me miratimin e të cilit do të krijohen kushtet për promovimin e risive teknologjike, duke nxitur prezantimin e instrumenteve më efikase, më të shpejta dhe me kosto më të ulët, të cilat do të rrisin konkurrencën në treg, si dhe do të sigurojnë transparencë dhe mbi të gjitha mbrojtje për konsumatorin.

DSC 9745 498

Në fjalën e tij, Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Silvio Pedrazzi u shpreh se sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm dhe likuid, një parakusht i plotë ky për kreditimin cilësor të ekonomisë. Z. Pedrazzi u bëri thirrje bizneseve që të paraqesin projekte të reja për financim, projekte të cilat gjenerojnë rritje të punësimit në ekonomi. Në përfundim, ai shprehu angazhimin e sektorit bankar për të kontribuuar në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit.

DSC 9925 - Copy 498

Më tej, takimi vijoi me dy prezantime specifike “A mund të bëhet më shumë për rritjen e kreditimit dhe si?” dhe “Modernizimi i sistemeve të pagesave”, të cilat u ndoqën nga diskutime aktive të të pranishmëve mbi temat e prezantuara dhe çështjet e ngritura gjatë prezantimeve.

Në mbyllje të tij, takimi u vlerësua shumë frytdhënës nga të gjithë pjesëmarrësit, të cilët shprehën angazhimin e tyre për ta çuar më tej këtë përpjekje të përbashkët, duke bashkëpunuar për hartimin e një plani masash bazuar mbi konkluzionet e arritura në këtë takim.

 

 

DSC 9797 - Copy 300x200

DSC 9900 300x200