BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Takim me drejtuesit e sistemit bankar në vend për gjallërimin e kreditimit të ekonomisë

Data e publikimit: 02.09.2014

 

Në datë 2 shtator 2014, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani zhvilloi një takim me drejtues të sistemit bankar në vend. Në qendër të diskutimeve ishin zhvillimet më të fundit në sektorin bankar, me theks të veçantë në gjendjen e kredive me probleme si dhe në ecurinë e projektit të ristrukturimit të kredive të bizneseve.

Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën Këshilluese të Sektorit Financiar (FinSAC) të Bankës Botërore me qendër në Vjenë kanë hartuar platformën për trajtimin e kredive me probleme. Ky projekt është në vazhdën e masave të marra më herët nga Banka e Shqipërisë, ku disa nga më të rëndësishmet janë ndryshimet ligjore për lehtësimin e procesit të ekzekutimit të kolateralit, mënyra e pagesës së përmbaruesve dhe ato që rregullojnë fshirjen e kredive nga bilancet e bankave.

Në këtë takim, angazhimi i bankave në këtë projekt u cilësua  si domosdoshmëri për adresimin e kredive me probleme. Shtimi i kontakteve dhe krijimi i marrëdhënieve të qëndrueshme mes bankave dhe huamarrësve, do të çojë në një proces të mirëstudiuar ristrukturimi të kredive me probleme si dhe në nxitjen e gjallërimit të kreditimit.

Në opinionin e Bankës së Shqipërisë  janë krijuar kushtet e përshtatshme për një veprimtari më aktive të bankave. Një hap pozitiv në këtë drejtim është dhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura të sektorit publik ndaj subjekteve private.

Bankat u angazhuan për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të arritur objektivat e synuara nga ky projekt. Bashkëpunimi i ngushtë me ekspertët e Qendrës Këshilluese të Sektorit Financiar synon një ristrukturim më të thellë dhe profesional, e përmirësim të administrimit të kredive me probleme. Qendra Këshilluese e Sektorit Financiar (FinSAC) është themeluar nga Banka Botërore dhe ka për qëllim të ofrojë asistencë teknike, për çështje të rregullimit dhe të mbikëqyrjes së sektorit financiar, për bankat qendrore dhe rregullatorët financiarë në Evropë dhe në Azinë Qendrore.