BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Takimi i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Bosnje - Hercegovinës, z. Kemal Kozaric

Data e publikimit: 26.06.2006

 

Në vijim të intensifikimit të marrëdhënieve me bankat qendrore të rajonit, me ftesë të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Bosnje-Hercegovinës, zotit Kemal Kozaric, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani zhvilloi një vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Bosnje-Hercegovinës, në datë 23 qershor 2006.

fullani kozaric 1083 0

(Në foto: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani,
me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Bosnje-Hercegovinës, z. Kemal Kozaric)

Takimi i Sarajevës shënoi një hap të mëtejshëm në procesin e filluar të një bashkëpunimi rajonal gjithnjë e në rritje midis bankave qendrore. Pas shumë takimesh dypalëshe dhe shumëpalëshe midis shefave të bankave të qendrore të rajonit, është arritur një konsensus në shkallë të gjerë, se bankat qendrore të rajonit kanë një rol të rëndësishëm në rrugën e vështirë të integrimit ekonomik dhe financiar të rajonit me komunitetin evropian. Ky takim ishte një tjetër konfirmim i këtij qëndrimi, ku prej të dy eksponentëve të lartë të sistemit bankar u pranua se roli i bankave qendrore është i rëndësishëm jo vetëm në drejtim të konvergjencës së treguesve nominalë.

Guvernatori Fullani shprehu idenë e tij se rajoni do të jetë atraktiv për Bashkimin Evropian në qoftë se ai vepron në grup. Për këtë qëllim, do të ishte e arsyeshme ndërmarrja e reformave të përbashkëta, konvergimi i kornizave ligjore dhe i atyre rregullative, krijimi i stimujve të ndryshëm si dhe ideimi dhe zbatimi i projekteve të ndryshme infrastruktore dhe financiare me përfitim të përbashkët. Vetëm kështu, në mënyrë graduale, por të qëndrueshme, shanset e rajonit për të krijuar një treg të madh, të rregulluar dhe shumë atraktiv në sytë e Evropës do të ishin të prekshme dhe të vërteta.

Në vazhdim, të dy Guvernatorët në mënyrë respektive bënë një ekspoze të detajuar në lidhje me zhvillimet më të fundit në ekonomitë e tyre duke i vënë një theks të veçantë arritjeve në fushën e stabilitetit makroekonomik, reformave të ndërmarra, zhvillimeve në sektorin financiar dhe stabilitetit të tij. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim që eksperiencat e nxjerra nga trajtimi i shumë problemeve specifike të një vendi, mund të jenë të vlefshme edhe për vendin tjetër e për rrjedhim në këtë drejtim, bashkëpunimi duhet intensifikuar. Për këtë qëllim, z. Fullani i bëri me dije homologut të tij punën e filluar nga Banka e Shqipërisë që në vitin 2005 në lidhje me njohjen, shqyrtimin dhe plotësimin e parakushteve të domosdoshme për zbatimin e mundshëm të regjimit të inflacionit të shënjestruar në të ardhmen.

Një çështje tjetër me interes që u trajtua në takim ishte edhe krijimi i regjistrit të kredive nga Banka Qendrore e Bosnje-Hercegovinës. Nga të dy bashkëbiseduesit u ra dakord që ekspertë të Bankës së Shqipërisë të mund të njohin eksperiencën boshnjake.

Aktiviteti i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë zotit Fullani u ndoq nga afër edhe nga media lokale, interesimit të të cilave ai iu përgjigj nëpërmjet një interviste, e cila u pasqyrua në shtypin e shkruar vendas.

Në përfundim të takimit, z. Kozaric mirëpriti ftesën për realizimin e një vizite zyrtare në Shqipëri si dhe konfirmoi pjesëmarrjen e tij në Konferencën e Gjashtë të Bankës së Shqipërisë që do t'i zhvillojë punimet e saj në fund muajin tetor, në Tiranë.