BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Takimi i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani me përfaqësues të komunitetit të biznesit, pushtetit lokal, sektorit bankar dhe akademikët e Universitetit të qytetit të Shkodrës

Data e publikimit: 17.02.2006

 

Sot, në datën 17 shkurt 2006, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, zhvilloi një takim në qytetin e Shkodrës, me përfaqësues të komunitetit të biznesit, të pushtetit lokal dhe të sektorit bankar, dhe me akademikët e Universitetit të Shkodrës.

Në fjalën e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë evidentoi një tablo optimiste në lidhje me zhvillimet ekonomike të vitit 2005 dhe ato të pritshme të vitit 2006. Ndër të tjera, pritshmëritë optimiste për vitin 2006, mbështeten edhe nga vrojtimet që Banka e Shqipërisë ka realizuar me komunitetin e biznesit.

foto shkodra 1048 0

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, gjithashtu evidentoi domosdoshmërinë e shtimit të informacionit jo vetëm nga burimet zyrtare, por edhe nga vetë njësitë bazë të inputit statistikor, që janë kompanitë e biznesit. Për këtë qëllim, ai i bën apel komunitetit të biznesit që të bashkëpunojë me degët e Bankës së Shqipërisë, për të ofruar informacion të vlefshëm në lidhje me aktivitetin e tyre. Analizat dhe studimet që do të lëvrohen mbi bazën e këtij informacioni do të ndihmonin në procesin e vendimmarrjes të Bankës së Shqipërisë mbi politikën monetare të saj, por njëkohësisht do të jenë shumë të vlefshme edhe për komunitetin e biznesit për hartimin e planit të tyre në biznes.

Në fjalën e Guvernatorit bie në sy edhe roli i ri që kanë marrë degët e Bankës së Shqipërisë, për t'u shndërruar në qendra të fuqishme dhe profesionale të grumbullimit, të përpunimit dhe të analizës ekonomike-financiare të rajonit. Degët e Bankës së Shqipërisë duhet të jenë të hapura për bashkëpunim me grupe të ndryshme interesi, duke bërë çmos që në këtë "vorbull" analizash dhe studimesh, të përfshijnë elitën intelektuale të rajonit, ku sigurisht në pararojë do të jenë qarqet akademike vendore.

Edhe një herë, Guvernatori iu rikthye problemit të kanalizimit të pagesave nëpërmjet sistemit bankar, në kuadër të të cilit Banka e Shqipërisë ka realizuar dy projekte: sistemin e pagesave në vlerë të madhe dhe atë të pagesave në vlerë të vogël. Tashmë që këto dy projekte janë bërë realitet, është krijuar shtrati i sigurt për kanalizimin e pagesave periodike të të gjitha shërbimeve utilitare nëpërmjet sistemit bankar, duke shtuar në këtë mënyrë edhe mundësinë e përdorimit të kartave elektronike.

Një tjetër çështje që u theksua në fjalën e Guvernatorit, ka të bëjë edhe me stabilitetin financiar të vendit në përgjithësi, dhe të sistemit bankar në veçanti. Guvernatori pasi bëri një përshkrim të shkurtër të zhvillimeve të sistemit bankar, tërhoqi vëmendjen se qëndrueshmëria e sistemit bankar po merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë është e angazhuar që të zbatojë me përpikmëri të gjitha rekomandimet e lëna nga raporti i Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) të FMN-së gjatë vitit 2005, vënia në jetë e të cilave do të rriste ndjeshëm eficiencën dhe sigurinë e sistemit bankar dhe të atij financiar, në një kontekst më të gjerë. Banka e Shqipërisë, si autoriteti mbikëqyrës i bankave tregtare, e ndien për detyrë të tërheqë vëmendjen se rritja e madhe e vëllimit të kredive gjatë vitit 2005 si dhe rritja e mëtejshme gjatë viteve në vazhdim, duhet të shoqërohet me masa efektive për rritjen e kapaciteteve monitoruese, analizuese dhe kontrolluese të vetë bankave për të shmangur përkeqësimin e portofolit të kredive. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë do të forcojë kapacitetet e saj mbikëqyrëse, sidomos inspektimin në vend duke ndërtuar plane masash, të cilat do të synojnë një kontroll të kujdesshëm për çdo bankë anëtare të sistemit.

Të pranishmit u shprehën entuziastë për këtë iniciativë të Bankës së Shqipërisë dhe theksuan se përfitimi nga kjo iniciativë do të jetë reciprok, si për komunitetin e biznesit ashtu edhe për bankat, sepse përmirësimi i mëtejshëm i statistikave dhe i informacionit do të ndihmojë në rritjen e bashkëpunimit midis këtyre komuniteteve.