BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Takimi i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, me zj. Ngozi Okonjo-Iweala, Drejtoreshë e Lartë e Bankës Botërore

Data e publikimit: 10.01.2011

 

Në datën 10 janar 2011 Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani ka zhvilluar një takim me Drejtoreshën e Lartë të Bankës Botërore zj. Ngozi Okonjo-Iweala, në ambientet e Bankës së Shqipërisë.

Gjatë takimit, u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy institucioneve si dhe u inkurajua forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh. Banka Botërore vazhdimisht ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Bankën e Shqipërisë në zbatimin e projekteve që kanë për qëllim final konsolidimin, modernizimin dhe qëndrueshmërinë e sistemit bankar shqiptar.

2011 01 10 takimi me ngozi iweala 3673 0

Më tej, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë e ka njohur zj. Iweala, me zhvillimet më të fundit makroekonomike në Shqipëri, me një theks të veçantë në ecurinë e inflacionit, dhe përpjekjet e bëra nga Banka e Shqipërisë për kontrollin e tij. Në fjalën e tij Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u ndal dhe në zhvillimet më të fundit në sistemin bankar, dhe punën e realizuar nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen dhe stabilitetin e tij.

Nga ana e saj zj. Iweala vlerësoi kontributin dhe rolin e Bankës së Shqipërisë në sigurimin e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit.

Gjatë vizitës së saj zj. Iweala shoqërohej dhe nga zj. Jane Armitage, Drejtore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore në Bankën Botërore si dhe zj. Kseniya Lvovsky, Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri.