BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Trajnimi i Bankës së Shqipërisë për edukimin ekonomiko-financiar të mësuesve të shkollave të mesme të rrethit të Elbasanit, 28 Shtator 2009

Data e publikimit: 28.09.2009

 

Në datën 28 shtator, 2009 në qytetin e Elbasanit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani ka zhvilluar një takim me drejtues, mësues e punonjës socialë të shkollave të mesme të rrethit, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore Rajonale në kuadër të programit edukues “Banka Qendrore në Jetën e Përditshme”. Ky program tashmë ka gjetur shtrirje edhe në qytetin e Elbasanit. Aktivitetet e këtij programi përfshijnë disa faza: trajnime për mësuesit e shkollave të mesme, takime me nxënësit e shkollave të mesme, shpërndarje të broshurave edukative në shkolla si dhe zhvillimin e konkursit “Vlera e vërtetë e parasë” midis shkollave të mesme të këtij qyteti, që synon të zgjerojë njohuritë e të rinjve mbi politikën monetare të Bankës Qendrore.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në fjalën e tij të rastit, vlerësoi trajnimin për mësuesit e shkollave të mesme si një mundësi mjaft e mirë jo vetëm për ngritjen dhe zhvillimin e tyre profesional, por edhe si një iniciativë që ndihmon në edukimin e brezave të rinj. Pjesëmarrësit i drejtuan Guvernatorit pyetje të shumta, që lidhen me zhvillimin e ekonomisë së vendit në përgjithësi dhe rolin e Bankës së Shqipërisë, me aktivitetin e sistemit bankar në vendin tonë dhe shërbimet që ky i fundit i ofron publikut etj.. Në përfundim të takimit, z. Fullani shpërndau për mësuesit pjesëmarrës në seminar edhe certifikatat përkatëse.

Banka e Shqipërisë falënderon Drejtorinë Arsimore të rrethit të Elbasanit për mbështetjen që i ka dhënë Bankës së Shqipërisë në realizimin e këtij programi.

Guvernatori Fullani ka zhvilluar gjithashtu takime spontane në disa banka tregtare që operojnë në qytetin e Elbasanit dha ka diskutuar me specialistët çështje aktuale që lidhen me sistemin bankar duke u fokusuar në rëndësinë e cilësisë dhe transparancës së shërbimeve bankare.