BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Tryezë e rrumbullakët diskutimi mbi krijimin e Zyrës së Informacionit të Kredive

Data e publikimit: 28.04.2006

 

Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me FSVC-në (Financial Services Volunteer Corps - Korpusi i Vullnetarëve për Shërbimet Financiare) dhe me USAID-in (United States Agency for International Development - Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar) organizoi një tryezë të rrumbullakët diskutimi mbi krijimin e Zyrës së Informacionit të Kredive në Shqipëri. Kjo tryezë e rrumbullakët u zhvillua me pjesëmarrjen e drejtorëve të bankave të nivelit të dytë, ekspertëve të FSVC-së, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, USAID-it dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare financiare, përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane si dhe ekspertëve të Bankës së Shqipërisë.

foto zyra kredive 1069 0

Zyra e Informacionit të Kredive mund të konceptohet si një regjistër me të dhënat kryesore të çdo klienti që ka marrë kredi nga një bankë e nivelit të dytë në Shqipëri. Ngritja e një zyre të tillë është kthyer tashmë në një domosdoshmëri për realitetin bankar shqiptar, duke pasur parasysh edhe ritmet e shpejta të kreditimit në Shqipëri. Vetëm në vitin 2005, teprica e kredisë u rrit me 57.6 miliardë lekë ose 82 për qind, nga 19.3 miliardë lekë ose 38 për qind krahasuar me vitin e mëparshëm. Aktualisht identifikimi i klientit, për sa i përket marrjes dhe përdorimit të kredisë si dhe detyrimet e tjera që ai ka ndaj tregut bankar është i cekët, duke mos i dhënë mundësi sistemit bankar të ketë njohuri mbi "biografinë kredimarrëse" të çdo klienti.

Banka e Shqipërisë është e angazhuar që ta përfundojë sa më shpejt projektin e ndërtimit të Zyrës së Informacionit të Kredive. Kjo zyrë mendohet të jetë nën administrimin e Bankës së Shqipërisë dhe pjesëmarrja e bankave anëtare të sistemit do të jetë e detyruar, gjë që do të ndihmojë në shmangien e evazionit në informacionin statistikor, do të sigurojë integritetin i tij dhe njëkohësisht do të bënte që informacioni të ishte i disponueshëm për secilën nga bankat anëtare të sistemit.

Funksionimi i Zyrës së Informacionit të Kredive do të ndihmojë në rritjen e mëtejshme të vëllimit të kredive dhe të cilësisë së tyre, si dhe do të ndikojë në reduktimin e kohës së shqyrtimit të procesit të kredidhënies. Ulja e probabilitetit të dhënies së kredive të këqija dhe rritja e cilësisë së kredisë do të jenë disa nga përfitimet e tjera që do të ketë sistemi bankar shqiptar.

Në fjalën e tij të hapjes, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, ka kërkuar bashkëpunimin e bankave të nivelit të dytë për realizimin e këtij projekti, i cili do t'u shërbejë atyre për një administrim më të mirë të kredisë dhe rreziqeve që lidhen me të. Nga ana e tyre, bankat e nivelit të dytë u treguan entuziaste si dhe shprehën angazhimin e tyre për realizimin sa më të shpejtë të këtij projekti, duke u nisur edhe nga fakti se ai do të mbushë mungesën e informacionit që ekziston midis vetë bankave, si dhe midis bankave dhe klientëve mbi procesin e kredimarrjes.