BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Turneu i Pestë Sportiv i Bankave Qendrore të Vendeve të Ballkanit

Data e publikimit: 23.09.2009

 

Në datat 16-19 shtator 2009, në vazhdën e një nisme më të hershme të bankave qendrore të rajonit për të nxitur më tej frymën e bashkëpunimit dhe të miqësisë Banka e Shqipërisë organizoi Turneun e Pestë Sportiv të Bankave Qendrore të Vendeve të Ballkanit. Në këtë aktivitet merrnin pjesë ekipet sportive të bankave qendrore të: Bosnje - Hercegovinës, Bullgarisë, Greqisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës, Rumanisë, Serbisë, Turqisë dhe Shqipërisë. 300 sportistwt pjeswmarrws kanw garuar nw tre disiplina volejboll, basketboll dhe futboll.

Në përfundim të ndeshjeve, ekipet pjesëmarrëse kanë arritur këto rezultate:

  • Disiplina e volejbollit femra ka nxjerrë fitues ekipin e Bankës Qendrore të Malit të Zi, ndërkohë që në vend të dytë dhe të tretë janë renditur përkatësisht Banka Qendrore e Bosnje-Hercegovinës dhe Banka e Greqisë.
  • Në disiplinën e futbollit meshkuj, kupa e artë ka shkuar për ekipin e Bankës Kombëtare të Rumanisë, ndërsa Banka e Shqipërisë është pozicionuar në vendin e dytë dhe Banka Qendrore e Malit të Zi në vendin e tretë.
  • Banka e Shqipërisë ka fituar kupën e artë në disiplinën e basketbollit meshkuj, duke triumfuar ndaj ekipit të Bankës Kombëtare e Rumanisë që u rendit i dyti, ndërkohë që në vend të tretë është pozicionuar Banka Qendrore e Malit të Zi.

Në këtë turne është dhënë edhe:

  • kupa “fair play” (lojë të ndershme), e cila ka shkuar në duart e ekipit të Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë;
  • kupat e miqësisë për ekipin femra të Bankës Kombëtare të Bullgarisë dhe ekipin meshkuj të Bankës Kombëtare të Serbisë;
  • medalje për sportistët më të mirë të cilat i kanë merituar z. Rãzvan CIORTEA nga Banka Kombëtare e Rumanisë, z. Orion Garo nga Banka e Shqipërisë dhe zj. Slobodanka ŠKEROVIĆ nga Banka Qendrore e Malit të Zi;
  • medalje inkurajimi për pjesëmarrjen në disiplinën e basketbollit të ekipit të Bankës Qendrore të Kosovës.

I organizuar nën frymën e një mjedisi të ngrohtë e të argëtueshëm ky aktivitet tashmë përbën një traditë në kuadër të bashkëpunimit rajonal të bankave qendrore duke përcjellë një ndjenjë miqësore dhe mirëkuptimi.