BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimet e Politikës Monetare

Data e publikimit: 25.06.2014

 

Sot, në datën 25 qershor 2014, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.50%. Në gjykimin e Këshillit, transmetimi gradual në tregjet financiare i uljeve të mëparshme të normës bazë të interesit do të krijojë kushte të përshtatshme monetare për të siguruar kthimin e inflacionit në objektiv në një periudhë afatmesme.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë do të mbajë një konferencë për shtyp sot, në orën 16:00, ku do të sqarojë arsyet e këtij vendimi.