BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 1 korrik 2020

Data e publikimit: 01.07.2020

 

Në mbledhjen e datës 1 korrik 2020, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 0.5%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e vendimit “Për pezullimin e shpërndarjes së fitimit nga bankat”

Në bazë të këtij vendimi pezullohet deri në fund të vitit 2020, shpërndarja nga ana e bankave, të fitimit të mbartur nga periudhat e mëparshme, dhe të fitimit që do të realizohet për vitin 2020.

Kjo masë e autoritetit mbikëqyrës, synon të sigurojë mbështetje për bankat, kryesisht nëpërmjet rritjes së aftësisë së tyre për të përthithur humbjet e mundshme potenciale dhe për të mbështetur kredidhënien për klientët individë dhe biznese gjatë kësaj periudhe.

  •  Miratimin paraprak për kryerjen e veprimtarisë financiare shtesë nga Banka Union sh.a.

Në bazë të këtij miratimi, Banka Union sh.a do të kryejë veprimtari financiare shtesë si më poshtë vijon:

  • tregtimi për llogari të klientëve, qoftë dhe në një këmbim valutor, në një treg të vetorganizuar (OTC) ose ndryshe të letrave me vlerë të transferueshme,
  • ndërmjetësimi për transaksionet monetare të marrjes në kujdestari,
  • shërbimet këshilluese, ndërmjetëse dhe shërbime të tjera ndihmëse për veprimtaritë e listuara më sipër.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.