BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 1 mars 2023

Data e publikimit: 01.03.2023

 

Në mbledhjen e datës 1 mars 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2022

498-5092

Raporti vjetor përbën një detyrim ligjor të Bankës së Shqipërisë, me anë të të cilit realizohet llogaridhënia para Kuvendit të Shqipërisë dhe komunikimi me sistemin financiar, mediat dhe publikun. Ai përbën dokumentin më të rëndësishëm që, në mënyrë transparente, informon Kuvendin mbi vendimmarrjen e Këshillit Mbikëqyrës dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, në përmbushje të objektivave të saj institucionalë, monetarë, operacionalë dhe zhvillimorë.

498-5088

Në raport, ndër të tjera, pasqyrohen:

  • zhvillimet e përgjithshme makroekonomike në vend;
  • politika monetare dhe ajo valutore e ndjekur nga Banka e Shqipërisë;
  • zhvillimet në sistemin bankar dhe rreziqet potenciale me të cilat përballet stabiliteti financiar;
  • aktiviteti mbikëqyrës, licencues dhe rregullator;
  • aktiviteti i emisionit monetar, i sistemit të pagesave, i administrimit të rezervës valutore, statistikor, kërkimor, komunikues dhe ai i edukimit të publikut;
  • administrimi i burimeve njerëzore;
  • veprimtaria e kontrollit të brendshëm;
  • objektivat afatmesëm të institucionit.

Pas prezantimit të tij në Kuvendin e Shqipërisë, çdo i interesuar do mund të gjejë një kopje të plotë të Raportit Vjetor 2022, në faqen tonë të internetit: http:/www.bankofalbania.org/.

  • Disa ndryshime në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare””

Në shtator 2021 Banka e Shqipërisë miratoi disa ndryshime në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”, duke prezantuar për herë të parë normën efektive maksimale të interesit (NEI maksimal) për kreditë konsumatore. Banka e Shqipërisë, pasi ka monitoruar zhvillimet e tregut, si  dhe reagimet përkatëse, për një periudhë një vjeçare që nga publikimi i parë i NEI-t maksimal, me qëllim kalibrimin më të mirë të tij, si dhe në përshtatje me dinamikat e tregut, ka miratuar këto ndryshime që lidhen me mënyrën e aplikimit të NEI-t maksimal për kreditë shumë të vogla, si dhe shtimin e një intervali të ri (të shumave të disbursuara të kredive konsumatore), për të cilin do të llogaritet NEI maksimal.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.