BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 1 prill 2020

Data e publikimit: 01.04.2020

 

Në mbledhjen e datës 1 prill 2020, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Deklaratës dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë 2019

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji "Për Bankën e Shqipërisë".

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2019, sektori bankar tregoi zhvillime pozitive në veprimtarinë e tij, mbështetur në ecurinë e treguesve të performancës financiare dhe të ekspozimit ndaj rreziqeve. Me përmirësimin e veprimtarisë së ndërmjetësimit financiar, sektori bankar kontribuoi në rritjen ekonomike të vendit. Treguesit e kapitalizimit dhe ushtrimet e provës së rezistencës, dëshmojnë qëndrueshmërinë e veprimtarisë së sektorit bankar. Kjo qëndrueshmëri do të ruhet pavarësisht sfidës serioze dhe të paprecendentë me të cilën po përballet gjendja e shëndetit publik dhe zhvillimi i ekonomisë si rezultat i pandemisë së Coronavirusit COVID-19. Me këtë objektiv si dhe për të kontribuar më gjerësisht në ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim të ngushtë me industrinë bankare dhe në harmonizim të plotë me autoritetet e tjera shtetërore, do të përdorë të gjitha instrumentet e nevojshme që i njeh ligji në mënyrë proaktive dhe transparente.  

Raporti do të publikohet i plotë në ditët në vijim, në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë http://www.bankofalbania.org/.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera mbi aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.