BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 1 shkurt 2017

Data e publikimit: 01.02.2017

 

Në mbledhjen e datës 1 shkurt 2017, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 1.25%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e rregullores "Për mbikëqyrjen e konsoliduar"

Kjo rregullore e rishikuar synon të plotësojë dhe përmirësojë kuadrin rregullativ të Bankës së Shqipërisë për mbikëqyrjen e grupeve bankare/financiare që operojnë në vend.

Rregullorja është hartuar në përputhje me kërkesat bashkëkohore për mbikëqyrjen e konsoliduar, të parashikuara në rregulloret dhe direktivat evropiane për institucionet e kreditit dhe grupet bankare e financiare dhe me parimet bazë të Komitetit të Bazelit "Për një mbikëqyrje efektive bankare", si dhe duke konsideruar praktikat më të mira në këtë fushë.

  • Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren "Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit"

Si pjesë e një vlerësimi të rregullt, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi mënyrën e ndikimit të masave kundërciklike, si edhe miratoi një ndryshim në mënyrën e zbatimit të tyre për vitin 2017. Ndryshimi parashikon që vendosjet e sektorit bankar me jorezidentët gjatë vitit 2017 të monitorohen sipas një periudhe kohe rrëshqitëse 2 vjeçare, duke stabilizuar në këtë formë kërkesën për kapital shtesë të sektorit bankar. Në fund të vitit 2017, Këshilli Mbikëqyrës do të rivlerësojë nevojën për vijimin ose ndryshimin e masave

  • Miratimin e rregullores "Për politikën dhe mënyrën e administrimit të rezervës valutore"

Rishikimi i rregullores është rrjedhojë e ndryshimit të kushteve në tregjet financiare ndërkombëtare, ku mund të investohet rezerva valutore. Gjithashtu, në këto ndryshime, është përfshirë edhe nevoja për një trajtim më efektiv të rreziqeve të shtuara gjatë administrimit të saj.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë, si dhe me veprimtarinë e Inspektorit të Përgjithshëm për vitin 2016 për auditimin e brendshëm dhe administrimin e rrezikut operacional dhe planin e punës për vitin 2017.