BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 24 nëntor 2021

Data e publikimit: 24.11.2021

 

Në mbledhjen e tij të datës 24 nëntor 2021, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Strategjisë Afatmesme të Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë për periudhën 2022- 2024

Strategjia Afatmesme e Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë 2022 - 2024 përcakton objektivat institucionalë të Bankës së Shqipërisë gjatë periudhës së viteve 2022-2024, duke shërbyer gjithashtu si udhëzues për përgatitjen e buxhetit orientues afatmesëm.

 DSC1884 498

Strategjia synon t’u japë një përgjigje proaktive sfidave të mjedisit ku operon Banka e Shqipërisë; të rrisë bashkëpunimin brenda institucionit; të nxisë përdorimin efektiv dhe eficient të burimeve; si dhe të promovojë transparencën dhe llogaridhënien publike.

Strategjia përfshin funksionet kryesore të Bankës: politikat (politika monetare, rezerva valutore, mbikëqyrja bankare, politika makroprudenciale), infrastrukturën financiare (emisioni i parasë, sistemet e pagesave); mirëqeverisjen (auditi, komunikimi dhe edukimi financiar); funksionet e tjera (kërkimet, statistikat); dhe shërbimet mbështetëse (burimet njerëzore, kontrolli i brendshëm , kontabiliteti dhe financa, prokurimet dhe shërbimet, IT).

 DSC1987 498

Informacioni për zbatimin e Strategjisë Afatmesme të Zhvillimit është pjesë e rregullt e raporteve vjetore të Bankës së Shqipërisë.

  • Miratimin e buxhetit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2022 dhe buxhetin orientues afatmesëm për vitet 2023 - 2024

Buxheti i miratuar për vitin 2022 dhe ai orientues afatmesëm për vitet 2023-2024 garanton përmbushjen e objektivave strategjike të Bankës së Shqipërisë të parashikuara në Strategjinë e saj Afatmesme të Zhvillimit. Në hartimin e tij janë mbajtur parasysh situata aktuale në tregjet ndërkombëtare financiare, zhvillimet ekonomike dhe financiare brenda vendit, shpenzimet korrente dhe ato kapitale të domosdoshme për miradministrimin e aktiveve dhe burimeve njerëzore.

Buxheti i Bankës së Shqipërisë për vitet 2022 - 2024, ndër të tjera, synon përsosjen e mëtejshme të kuadrit të politikës dhe të operacioneve monetare, zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale të Bankës së Shqipërisë, furnizimin e ekonomisë me kartëmonedhë cilësore, përpunimin me kujdes të saj, si dhe përsosjen e komunikimit dhe transparencës me publikun. Njëkohësisht, buxheti mbështet kryerjen e investimeve të nevojshme për përmirësimin e infrastrukturës teknologjike, asaj të sigurisë dhe të ambienteve ku ushtrohet aktiviteti i Bankës së Shqipërisë.

  • Disa ndryshime në rregulloren “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”

Ndryshimet synojnë të sigurojnë ndryshimin/zëvendësimin e normave të interesit të referencës (indekset e referencës/IBOR-et) dhe prezantimin e “klauzolës së ndryshimit të indeksit orientues” me qëllim zbutjen e rreziqeve drejt kalimit sa më normal dhe efektiv tek normat e reja të referencës.

  • Miratimin e disa akteve nënligjore dhe ndryshimeve në aktet në fuqi që rregullojnë procesin e licencimit të institucioneve të pagesave, të institucioneve të parasë elektronike, si dhe për regjistrimin e disa kategorive të ofruesve të shërbimeve të pagesave që përfitojnë nga përjashtimet, të cilat dalin në bazë dhe për zbatim të dispozitave të ligjit “Për shërbimet e pagesave”, përkatësisht:
  • Rregullorja e re “Për licencimin e institucioneve të pagesave dhe institucioneve të parasë elektronike, si dhe për regjistrimin e ofruesve të shërbimeve të pagesave”, e cila përcakton kushtet, kërkesat, afatet, dokumentacionin dhe procedurat për licencimin e institucioneve të pagesave dhe institucioneve të parasë elektronike, për regjistrimin e ofruesve të shërbimeve të pagesave në Republikën e Shqipërisë, që përfitojnë nga përjashtimet, si dhe për dhënien e miratimeve nga ana e Bankës së Shqipërisë dhe detyrimet për njoftime nga ana e subjekteve, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së këtyre subjekteve.
  • Disa ndryshime në rregulloren “Për licencimin edhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe degëve të bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë”, të cilat kryesisht konsistojnë në shtimin e disa kërkesave për agjentët e bankave, kur këto të fundit veprojnë me agjentë vetëm në cilësinë e ofruesit të shërbimeve të pagesave.
  • Disa ndryshime në rregulloren “Për licencimin edhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka”, të cilat lidhen kryesisht me kërkesat për licencimin dhe miratimet paraprake për subjektet financiare jobanka që ofrojnë shërbime të pagesave dhe të transferimit të parave, si dhe për institucionet e parasë elektronike, të cilat tashmë trajtohen në përputhje me kërkesat e reja ligjore dhe rregullative.
  • Disa ndryshime në rregulloren “Për licencimin edhe ushtrimin e veprimtarisë së shoqërive të kursim-kreditit dhe të Unioneve të tyre”, të cilat sigurojnë përputhshmërinë me kërkesat e reja ligjore dhe rregullative. Tashmë Shoqëritë e Kursim – Kreditit (SHKK) që do të kryejnë veprimtarinë financiare të shërbimeve të pagesave, do të pajisen me licencë të veçantë si institucion pagese, krahas licencës si SHKK.
  • Disa ndryshime në rregulloren “Për kërkesat minimale të sigurisë, në ambientet në të cilat kryhen veprimtaritë bankare dhe financiare dhe për transportin e vlerave monetare”, të cilat sigurojnë përfshirjen në subjekte e kërkesave të kësaj rregulloreje edhe të institucioneve të pagesave dhe të institucioneve të parasë elektronike, ndërsa në rastin e bankave ato janë përgjegjëse për verifikimin e përmbushjes së kërkesave të rregullores nga agjentët e tyre, kur këto të fundit ofrojnë shërbimet e pagesave nëpërmjet agjentëve.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.