BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 25 nëntor 2015

Data e publikimit: 25.11.2015

 

Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 25 nëntor 2015

Në mbledhjen e tij të datës 25 nëntor 2015, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e rregullores “Mbi inventarizimin e vlerave monetare dhe materiale në Bankën e Shqipërisë.”

Kjo rregullore sjell, në një version të përmirësuar, tërësinë e rregullave të organizimit dhe mënyrës së kryerjes së inventarizimit fizik të vlerave monetare dhe aktiveve materiale në Bankën e Shqipërisë, duke pasqyruar elementë më të sigurt për rritjen e cilësisë së kryerjes së inventarizimeve dhe minimizimin e rrezikut.

Rregullorja e re parashikon:

  • Zgjerimin e kompetencave për inicimin e inventarizimeve fizike, duke ia dhënë këtë të drejtë edhe Inspektorit të Përgjithshëm.
  • Kryerjen e inventarizimeve të plota ose të pjesshme, pa u kufizuar në numër.
  • Rishikimin e objekteve që mund të inventarizohen, duke u pasuruar me elementë të rinj.
  • Rritjen e periodicitetit për kryerjen e inventarizimit të aktiveve materiale nga tre vjet në një vit.
  • Mundësinë e pjesëmarrjes së punonjësit/ve të Departamentit të Kontrollit dhe/ose specialistëve të jashtëm në procesin e inventarizimit.
  • Përmirësimin e përzgjedhjes së kandidatëve për të qenë pjesë e komisioneve të inventarizimit, duke përcaktuar numrin minimal të anëtarëve që duhet të kenë arsim të lartë dhe numrin minimal të anëtarëve me profesion ekonomist.
  • Pasurimin me elementë cilësorë dhe sasiorë të procesit të inventarizimit të arkave, në mënyrë që ky proces të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe me rezultate sa më të sakta. Për këtë qëllim, është përcaktuar një metodologji orientuese për mënyrën e përzgjedhjes së sasisë që do të kontrollohet, si dhe është parashikuar verifikimi i elementeve të ambalazhimit dhe zhvendosja e kolive gjatë inventarizimit.
  • Miratimin e rregullores “Për strukturën, kodifikimin dhe amortizimin e aktiveve të qëndrueshme në Bankën e Shqipërisë”.

Rregullorja e re është në përputhje me rekomandimet e auditit të brendshëm dhe të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Qëllimi i saj është plotësimi dhe përditësimi i listës së llojeve të aktiveve në Bankën e Shqipërisë. Ajo përafron normat e amortizimit të aktiveve me ato përgjithësisht të aplikueshme në Shqipëri, duke mbajtur parasysh veçoritë e Bankës së Shqipërisë.

Në përcaktimin e normave të amortizimit, rregullorja është mbështetur edhe në Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit, për sa i përket evidentimit veçmas të pjesëve të rëndësishme të çdo zëri të aktiveve të qëndrueshme, që ndikon në llogaritje. Gjithashtu, janë përjashtuar nga llogaritja e amortizimit aktivet me vlera unike origjinale të ruajtura që prej ndërtimit të Bankës së Shqipërisë, të cilat konsiderohen antike e me vlera historike.

Ndryshimet e bëra çojnë në ulje të normave të amortizimit të aktiveve të qëndrueshme në Bankën e Shqipërisë, të cilat shoqërohen edhe me efekte financiare, duke sjellë ulje të shpenzimeve të institucionit në zërat e këtij lloji.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.

* Deri tani, procesi i inventarizimit të vlerave materiale e monetare në Bankën e Shqipërisë është kryer në përputhje me rregulloren përkatëse të miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në vitin 2006.