BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 25 nëntor 2020

Data e publikimit: 25.11.2020

 

Në mbledhjen e tij të datës 25 nëntor 2020, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Strategjisë Afatmesme të Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë për periudhën 2021-2023

Strategjia Afatmesme e Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë 2021-2023 shpalos ambicien e BSH-së për periudhën trevjeçare në vijim. Dokumenti i miratuar sot nga Këshilli Mbikëqyrës është një përditësim i Strategjisë 2020-2022.

DSC 2555 498

Përditësimi shtrin kohëzgjatjen e strategjisë ekzistuese, përtej vitit 2022, duke siguruar kështu mbështetjen e duhur programatike për Buxhetin Orientues Afatmesëm për vitet 2022 dhe 2023.

Strategjia synon t’u japë një përgjigje proaktive sfidave të mjedisit ku operon Banka e Shqipërisë; të rrisë bashkëpunimin brenda institucionit; të nxisë përdorimin efektiv dhe eficient të burimeve; si dhe të promovojë transparencën dhe llogaridhënien publike.

Strategjia përfshin funksionet kryesore të Bankës: politikat (politika monetare, rezerva valutore, mbikëqyrja bankare), infrastrukturën financiare (emisioni i parasë, sistemet e pagesave); mirëqeverisjen (auditi, komunikimi dhe edukimi financiar); funksionet e tjera (kërkimet, statistikat); dhe shërbimet mbështetëse (burimet njerëzore, çështjet juridike, kontabiliteti dhe financa, prokurimet dhe shërbimet, IT).

Informacioni për zbatimin e Strategjisë Afatmesme të Zhvillimit është pjesë e rregullt e raporteve vjetore të Bankës së Shqipërisë.

  • Miratimin e buxhetit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2021 dhe buxhetin orientues afatmesëm për vitet 2022-2023.

Buxheti i miratuar për vitin 2021 dhe ai orientues afatmesëm për vitet 2022-2023 garanton përmbushjen e objektivave strategjike të Bankës së Shqipërisë të parashikuara në Strategjinë e saj Afatmesme të Zhvillimit. Në hartimin e tij janë mbajtur parasysh situata aktuale në tregjet ndërkombëtare financiare, zhvillimet ekonomike dhe financiare brenda vendit, shpenzimet korrente dhe ato kapitale të domosdoshme për miradministrimin e aktiveve dhe burimeve njerëzore.

Buxheti i Bankës së Shqipërisë për vitet 2021-2023, ndër të tjera, synon përsosjen e mëtejshme të kuadrit të politikës dhe të operacioneve monetare, zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale të Bankës së Shqipërisë, furnizimin e ekonomisë me kartëmonedhë cilësore, përpunimin me kujdes të saj, si dhe përsosjen e komunikimit dhe transparencës me publikun. Njëkohësisht, buxheti mbështet kryerjen e investimeve të nevojshme për përmirësimin e infrastrukturës teknologjike, asaj të sigurisë dhe të ambienteve ku ushtrohet aktiviteti i Bankës së Shqipërisë.

DSC 26100 498

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.