BANKA E SHQIPËRISË

Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 28 mars 2018

Data e publikimit: 28.03.2018

 

Në mbledhjen e sotme, datë 28 mars 2018, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 1.25%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.25% dhe 2.25%, mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e pasqyrave financiare të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017

Pasqyrat financiare të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017 janë hartuar në përputhje me standardet ndërkombëtare të raportimit financiar (SNRF). Këto pasqyra janë audituar nga KPMG Albania Sh.p.k., dhe së bashku me raportin e audituesit të pavarur, janë pjesë e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017.

Në fund të vitit 2017, totali i aktiveve të Bankës së Shqipërisë është rreth 533 miliardë lekë, rreth 8 miliardë lekë më i lartë se në fund të vitit 2016. Peshën më të lartë në totalin e aktiveve e zënë investimet në letra me vlerë të huaja, pjesë e rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë, me 46 %.

  • Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren “Për organizimin dhe funksionimin e Komitetit Kombëtar të Sistemit të pagesave”
     

Në bazë të këtyre ndryshimeve, pjesë e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave bëhen edhe përfaqësuesit e subjekteve financiare jobanka që ushtrojnë veprimtarinë e pagesave dhe të operatorëve të infrastrukturave për klerim dhe shlyerje.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.