BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 28 mars 2019

Data e publikimit: 28.03.2019

 

Në mbledhjen e datës 28 mars 2019, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 1.0%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e pasqyrave financiare të Bankës së Shqipërisë për vitin 2018

Pasqyrat financiare të Bankës së Shqipërisë për vitin 2018 janë hartuar në përputhje me standardet ndërkombëtare të raportimit financiar (SNRF). Këto pasqyra janë audituar nga KPMG Albania sh.p.k., dhe së bashku me raportin e audituesit të pavarur, janë pjesë e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2018. Këto janë pasqyrat e para financiare të Bankës, në të cilat është aplikuar SNRF 9 “Instrumentet Financiare”.

Në fund të vitit 2018, totali i aktiveve të Bankës së Shqipërisë është rreth 547 miliardë lekë, rreth 14 miliardë lekë më i lartë se në fund të vitit 2017. Peshën më të lartë në totalin e aktiveve e zënë investimet në letra me vlerë të huaja, pjesë e rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë, me 35%.

  • Miratimin e rregullores “Për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e operatorëve të sistemeve për shlyerjen e titujve”

Rregullorja synon të mbështesë zhvillimet e tregut në fushën e titujve të kompanive private (letrave me vlerë) dhe më konkretisht klerimin dhe shlyerjen e tyre nëpërmjet sistemeve private të licencuara dhe mbikëqyrura nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Funksionimi i sigurt dhe efikas i këtyre sistemeve garanton procesimin post-trading, në mënyrën e duhur të transaksioneve, të cilat ndodhin në tregjet e rregulluara/bursë.

  • Miratimin e rregullores “Për raportin e mbulimit me likuiditet”

Kjo rregullore përcakton kriteret dhe rregullat për llogaritjen e raportit të mbulimit me likuiditet (RML) dhe kërkesat e Bankës së Shqipërisë, si autoritet mbikëqyrës, për nivelin minimal të këtij raporti (në total për të gjitha monedhat dhe për totalin e monedhave të huaja të rëndësishme).

Ky akt i ri ligjor synon të përafrojë më tej kuadrin rregullator të Bankës së Shqipërisë me kërkesat e Komitetit të Bazelit dhe rregulloret evropiane për administrimin e rrezikut të likuiditetit.

  • Përcaktimin e nivelit të ushtrimit të kompetencave në Bankën e Shqipërisë për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka

Banka e Shqipërisë ushtron dy funksione të rëndësishme si autoritet përgjegjës për mbikëqyrjen e bankave dhe për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, të cilat ushtrohen nga organe drejtuese dhe njësi organizative të ndryshme brenda Bankës së Shqipërisë.

Në këtë kuadër, me këtë vendim përcaktohet niveli i ushtrimit të kompetencave të organeve drejtuese të Bankës së Shqipërisë në procesin e vendimmarrjes në lidhje me funksionin si Autoritet i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme. Vendimi zbaton parimin e përcaktimit të kompetencave sa më pranë organeve, që ushtrojnë funksionet specifike përkatëse.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.