BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 2 dhjetor 2015

Data e publikimit: 03.12.2015

 

Në mbledhjen e tij të datës 2 dhjetor 2015, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Statutit të ri të Bankës së Shqipërisë

 Statuti përbën një ndër dokumentet themelore që përcakton parimet bazë të procedurave institucionale, administrative dhe operacionale të institucionit, në përputhje me Ligjin për Bankën e Shqipërisë. Me miratimin e Statutit të ri shfuqizohet Statuti i mëparshëm, i miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës me vendimin nr. 100, datë 19.12.2000, i ndryshuar.

Miratimi i Statutit të ri është përfundimi i një procesi për përshtatjen e dispozitave të organizimit dhe funksionimit të Bankës së Shqipërisë me praktikat më të mira të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, adresimin e rekomandimeve të ndryshme të institucioneve financiare ndërkombëtare si dhe reflektimin e disa ndryshimeve të tjera rregullatore më të hershme.

Disa nga risitë e Statutit janë:

  • përcaktimi i qartë i detyrave dhe përgjegjësive të Administratorëve të Bankës së Shqipërisë;
  • parashikimi i procedurave të qarta në lidhje me zëvendësimin e administratorëve në rastet e mungesës dhe pamundësisë së tyre për të vepruar;
  • riformulimin e dispozitave që lidhen me pavarësinë administrative dhe financiare të Bankës, duke i përafruar ato me dispozitat e Statutit të Bankës Qendrore Evropiane.
  • Miratimin e strukturës së re organizative të Bankës së Shqipërisë

Miratimi i strukturës së re të Bankës së Shqipërisë, përveç se përshtat aktivitetin e njësive të saj me nevojat dhe proceset e reja të punës që imponohen nga zhvillimet ekonomike dhe ndryshimet në legjislacionin bankar dhe më gjerë, synon më së shumti përmirësimin e administrimit të institucionit dhe forcimin e kontrollit të brendshëm. Krijimi i njësisë së specializuar për monitorimin dhe administrimin e rrezikut operacional përbën një hap thelbësor në këtë drejtim. Gjithashtu, me strukturën e re është synuar forcimi i kontrollit vertikal dhe atij horizontal në përputhje me modelet dhe praktikat më të mira të bankave qendrore evropiane.     

  • Miratimin e buxhetit për vitin 2016 dhe buxhetin afatmesëm për vitet 2016-2018

Të dy këto dokumente të rëndësishme për mbarëvajtjen e punës së institucionit janë hartuar në zbatim të Ligjit për Bankën e Shqipërisë si dhe në përputhje me objektivat e materializuara në Strategjinë Afatmesme të Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë për periudhën 2016-2018, të miratuar më herët nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.

Buxheti i miratuar për vitin 2016 garanton përmbushjen e funksioneve kryesore të Bankës dhe siguron vijueshmërinë normale të aktivitetit ekonomik, financiar dhe njerëzor të institucionit. Në hartimin e tij janë mbajtur parasysh, situata aktuale në tregjet ndërkombëtare financiare, zhvillimet ekonomike dhe financiare brenda vendit, shpenzimet korrente dhe ato kapitale të domosdoshme për miradministrimin e aktiveve dhe burimeve njerëzore.

Buxheti për vitet 2016 – 2018 synon përsosjen e mëtejshme të kuadrit të politikës dhe të operacioneve monetare, forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë,  zhvillimin dhe përsosjen e mëtejshme  të burimeve njerëzore, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e infrastrukturës, furnizimin e ekonomisë me kartëmonedhë cilësore, përpunimin me kujdes të saj, si dhe përsosjen e komunikimit dhe transparencës me publikun. 

Këto vendime të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë së bashku me Strategjinë Afatmesme të Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë për periudhën 2016-2018 janë në përputhje me rekomandimet dhe propozimet e institucioneve ndërkombëtare si dhe garantojnë përafrimin e modelit institucional të Bankës së Shqipërisë me atë të bankave qendrore të Bashkimit Evropian.