BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 3 korrik 2019

Data e publikimit: 03.07.2019

 

Në mbledhjen e datës 3 korrik 2019, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 1.0%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e paketës rregullative për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Ekspertëve të Moneyval për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit

Paketa përfshin ndryshime në rregulloret për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga bankat dhe degët e bankave të huaja në Shqipëri, subjektet financiare jobanka, shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre, zyrat e këmbimit valutor, si dhe në rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”, në drejtim të parandalimit të pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit. Nëpërmjet kësaj pakete, synohet plotësimi i rekomandimeve të Komitetit të ekspertëve të Moneyval, në kuadër të vlerësimit të raundit V për Shqipërinë.

Ndryshimet e miratuara konsistojnë kryesisht në forcimin e kërkesave të Bankës së Shqipërisë për subjektet financiare, që aplikojnë pranë saj për licencë apo për aksionerët/ortakët, si dhe për subjektet e licencuara nga Banka e Shqipërisë, gjatë procesit të ndryshimit të pjesëmarrjes influencuese dhe riorganizimit juridik të tyre.

Gjithashtu, nëpërmjet këtyre ndryshimeve i vihet një theks më i madh procesit të monitorimit në vazhdimësi nga Banka e Shqipërisë të aksionerëve ose ortakëve të bankave dhe subjekteve financiare jobanka, si dhe të organeve drejtuese të subjekteve financiare jobanka dhe të shoqërive të kursim-kreditit.

  • Miratimin e disa akteve rregullative në kuadër të planit ndërinstitucional të masave për reduktimin e kredive me probleme

Një nga aktet kryesore të miratuara ishte rregullorja “Për trajtimin jashtëgjyqësor nga bankat, të kredimarrësve në vështirësi financiare”, e quajtur ndryshe “Qasja e Tiranës”, e cila u hartua në kuadër të plotësimit të angazhimeve të marra nga Banka e Shqipërisë në Planin ndërinstitucional të masave për reduktimin e kredive me probleme. Kjo rregullore u përgatit në bashkëpunim me ekspertët e Bankës Botërore (projekti FinSAC) dhe përbën plotësimin e  paketës së masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për adresimin e kredive me probleme në vend.

Rregullorja ka në fokus lehtësimin e rimëkëmbjes financiare të kredimarrësve të mëdhenj në vonesë, të cilët kanë ekspozim në më shumë se një bankë dhe parashikon ngritjen e një platforme të përbashkët midis bankave për gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme për kredimarrësin.

Ndryshimi tjetër, i miratuar në rregulloren për administrimin e rrezikut të kredisë, është reduktimi i afatit të fshirjes së kredive të humbura nga bankat, si dhe forcimi i kritereve të ristrukturimit të kredive nga ana e bankave, duke marrë në konsideratë dhe praktikat e ndjekura në vendet e Bashkimit Evropian.

  • Miratimin paraprak për bashkimin me përthithje të Bankës Union sh.a. me Bankën Ndërkombëtare Tregtare sh.a.

Në bazë të këtij vendimi, Banka e Shqipërisë jep miratimin paraprak për bashkimin me përthithje të Bankës Union sh.a. (shoqëria përthithëse) me Bankën Ndërkombëtare Tregtare sh.a. (shoqëria e përthithur). Kjo do të thotë se pas përthithjes, Banka Union do të jetë zotëruese edhe e veprimtarisë së Bankës Ndërkombëtare Tregtare.

  • Zgjedhjen e London School of Economics, Institute of Global Affairs si bashkëpunëtor të jashtëm të Bankës së Shqipërisë

Në bazë të këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës miratoi marrëveshjen e bashkëpunimit të Bankës së Shqipërisë me London School of Economics (LSE), Institute of Global Affairs. LSE renditet në krye të listës së universiteteve në rang global duke u vlerësuar në 10 universitetet më të mira në botë në fushat e studimeve sociale, ekonomike, politike,  shoqërore e ndërkombëtare. 

Ky bashkëpunim do të synojë rritjen e kapaciteteve analizuese dhe kërkimore të Bankës së Shqipërisë, thellimin e njohurive mbi zhvillimet ekonomike, financiare, politike e institucionale si dhe mbi sfidat me të cilat përballet Shqipëria dhe rajoni i Evropës Juglindore në këto aspekte.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.