BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 3 tetor 2017

Data e publikimit: 03.10.2017

 

Në mbledhjen e datës 3 tetor 2017, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 1.25%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.25% dhe 2.25%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e rregullores "Për fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe procedurat për administrimin e tij"

Në zbatim të ligjit nr. 133/2016 "Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë", Banka e Shqipërisë krijon "Fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme", i cili themelohet nga kontributet e sektorit bankar dhe shërben për zbatimin e instrumenteve dhe kompetencave të ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Ky fond duhet të plotësohet gradualisht dhe të arrijë nivelin 0.5% të detyrimeve të të gjitha bankave, të llogaritura si diferenca midis aktiveve të sektorit bankar dhe kapitalit rregullator, brenda datës 11 korrik të vitit 2027.

Në këtë kuadër, rregullorja e re përveç krijimit të fondit, përcakton edhe metodologjinë për llogaritjen e kontributeve të bankave për plotësimin e tij si dhe hartimin e procedurave për administrimin e tij, në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave.

Kjo rregullore është hartuar me mbështetjen e asistencës teknike të Bankës Botërore, duke përshirë dhe standardet e vendosura nga vendet e Bashkimit Evropian për krijimin e fondeve për ndërhyrjen e jashtëzakonshme (në nivel vendi) në zbatim të Direktivës Evropiane për këtë qëllim.

  • Miratimin paraprak për kryerjen e një veprimtarie financiare shtesë nga Banka Intesa Sanpaolo Albania sh.a.

Në bazë të këtij miratimi, Banka Intesa Sanpaolo sh.a. do të kryejë veprimtarinë financiare shtesë të ndërmjetësimit në sigurime, në cilësinë e agjentit në sigurime.

  • Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren "Mbi raportimet në Bankën e Shqipërisë sipas sistemit raportues të unifikuar"

Ndryshimet e rregullores synojnë përmirësimin e mbarëvajtjes së raportimit mes Bankës së Shqipërisë dhe bankave tregtare si rrjedhojë e implementimit të Sistemit Elektronik Raportues Rregullator (ERRS). Ky rishikim mundëson heqjen e detyrimit të raportimit në kopje letër për subjektet banka, të cilat që prej datës 1 tetor 2016 raportojnë drejtpërdrejt në Sistemin Elektronik Raportues Rregullator (ERRS).

  • Miratimin e Universitetit Oxford si bashkëpunëtor të jashtëm të Bankës së Shqipërisë

Në bazë të këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës miratoi marrëveshjen njëvjeçare të bashkëpunimit të Bankës së Shqipërisë me Universitetin Oxford. Ky bashkëpunim do të synojë rritjen e kapaciteteve analizuese dhe kërkimore të Bankës së Shqipërisë, thellimin e njohurive mbi zhvillimet politiko-ekonomike e financiare dhe sfidat me të cilat përballet Shqipëria dhe rajoni i Evropës Juglindore në këto aspekte.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.