BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 4 gusht 2021

Data e publikimit: 04.08.2021

 

Në mbledhjen e datës 04 gusht 2021, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 0.5%, dhe të normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të mbeten përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%. Përveç kësaj Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe vendosi për:

 DSC9183 498

  • Miratimin e një ndryshimi në rregulloren “Për mbikëqyrjen e konsoliduar”. 

Në bazë të këtij vendimi, ndryshimet e kësaj rregulloreje të miratuara me vendimin 54/2020, do të hyjnë në fuqi në 1 janar 2022. Ky ndryshim synon të sigurojë konsistencë për datën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve të mëparshme të kësaj rregulloreje me afatin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve të rregullores “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave”, si dhe për t’u krijuar bankave një hapësirë të nevojshme kohore, me qëllim përshtatjen e sistemeve të raportimit për ekspozimet e mëdha edhe mbi baza të konsoliduara.

  • Miratimin e rregullores “Për medaljet dhe xhetonat të ngjashëm me monedhën metalike Euro”

Kjo rregullore përcakton kriteret teknike të lejueshme në prodhimin, importimin, shitjen, dhe/ose shpërndarjen e medaljeve dhe xhetonave të ngjashme me monedhën metalike euro dhe ndalimin e atyre për të cilat publiku i gjerë mund të ngatërrohet se janë monedha metalike euro.

 DSC9239 498

  • Miratimin e rregullores “Për kriteret për riprodhimin e kartëmonedhave dhe/ose monedhave metalike në Republikën e Shqipërisë”

Kjo rregullore synon të përcaktojmë kriteret teknike të lejueshme për riprodhimin e imazhit të kartëmonedhave dhe/ose monedhave metalike në Republikën e Shqipërisë për qëllime tregtare promocioni dhe aktiviteteve të ndryshme, si dhe ndalimin e riprodhimeve për të cilat publiku i gjerë mund të krijojë përshtypjen se janë kartëmonedha/monedha të vërteta.

Të dy rregulloret e mësipërme janë hartuar për përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me direktivat evropiane.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.