BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 4 mars 2020

Data e publikimit: 04.03.2020

 

Në mbledhjen e tij të datës 4 mars 2020, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2019

Raporti vjetor përbën një detyrim ligjor të Bankës së Shqipërisë, me anë të të cilit realizohet llogaridhënia para Kuvendit të Shqipërisë dhe komunikimi me sistemin financiar, mediat dhe publikun. Ai përbën dokumentin më të rëndësishëm që, në mënyrë transparente, informon Kuvendin mbi vendimmarrjen e Këshillit Mbikëqyrës dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, në përmbushje të objektivave të saj institucionalë, monetarë, operacionalë dhe zhvillimorë.

Në raport, ndër të tjera, pasqyrohen:

  • zhvillimet e përgjithshme makroekonomike në vend;
  • politika monetare dhe ajo valutore e ndjekur nga Banka e Shqipërisë;
  • zhvillimet në sistemin bankar dhe rreziqet potenciale me të cilat përballet stabiliteti financiar;
  • aktiviteti mbikëqyrës, licencues dhe rregullator;
  • aktiviteti i emisionit monetar, i sistemit të pagesave, statistikor, kërkimor, komunikues dhe ai i edukimit të publikut;
  • administrimi i burimeve njerëzore;
  • veprimtaria e kontrollit të brendshëm;
  • objektivat afatmesëm të institucionit.

Pas prezantimit të tij në Kuvendin e Shqipërisë, çdo i interesuar mund të gjejë një kopje të plotë të Raportit Vjetor 2019, në faqen tonë të internetit: http:/www.bankofalbania.org/.

Gjatë mbledhjes së sotme, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe miratoi shpërndarjen e fitimit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2019.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.