BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 4 shtator 2019

Data e publikimit: 04.09.2019

 

Në mbledhjen e tij të datës 4 shtator 2019, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Deklaratës dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2019

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji "Për Bankën e Shqipërisë".

Në këtë raport, Banka e Shqipërisë vlerëson se sistemi financiar dhe sektori bankar, paraqiten të qëndrueshëm. Zhvillimet në mjedisin ekonomik rrethues përgjithësisht kanë mbështetur aktivitetin ne sistemin financiar shqiptar, ndonëse disa zhvillime në ekonominë botërore shënuan tregues nen nivelet e pritura.

Treguesit financiarë të sektorit bankar, duke përfshirë ata të cilësisë së aktiveve, të ekspozimit ndaj rreziqeve të tregut, të likuiditetit, të rezultatit financiar dhe të kapitalizimit, evidentojnë rreziqe të kontrolluara të veprimtarisë dhe rezistencë të mirë ndaj tyre. Kredia bankare, e korrigjuar për disa faktorë me efekt të përkohshëm, qe lidhen me ndryshimet strukturore te sektorit bankar, ka shfaqur rritje gjatë periudhës për individët dhe bizneset, me një kontribut të qëndrueshëm nga kreditimi në lekë. 

Raporti do të publikohet i plotë në ditët në vijim, në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë http://www.bankofalbania.org/.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera mbi aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.